TIRANE - Të emigrosh, por të kthehesh për të dhënë një kontribut të caktur përsa i përket njohurive profesionale në vendin tënd, është pak e vështirë. Por, për çiftin Genci dhe Alda Brahimaj ka rezultuar një ogur i mirë. Si shumë shqiptarë të asaj kohe ata emigruan për tu kthyer sërish në Tiranë me ide të qarta, duke ngritur një qendër kursesh, e cila sot është konsoliduar si katalizatori profesional jo vetëm i aftësive në shkollim, por edhe zgjidhjes së vështirësive në tregun e punës. Në këtë intervistë për “Shqiptarja.com”, Esmeralda Tasho tregon hap pas hapi se si është ngritur Qendra  Profesionale Irisoft dhe sfidat që kanë hasur gjatë këtyre 15 viteve në treg. Por, nuk ndalemi këtu, Irisoft në kuadër të projektit “Rekrutim, trajnim dhe punësim” ofron trajnime profesionale praktike në 10 degë të rëndësishme, për një qasje sa më të mirë të kërkesave të tregut dhe për një ngritje sa më profesionale të individëve të ndryshëm.
 
Qendra Irisoft, tashmë ka një bazë të vlefshme në treg. Një qendër e cila ka nisur si një biznes familjar dhe është konsoliduar fal një pune të gjatë. Si i kujtoni fillimet tuaja?
Irisofti është një institucion arsimor prej 15 vitesh. Hapja e kësaj qendre  nisi si një biznes familjar, ndërsa sot jemi konsoliduar në treg. Si shumë shqiptarë të ikur për një jetë më të mirë dhe ne të sapo kthyer nga Gjermania morëm një iniciativë të vështirë, duke dhënë kontributin tonë për të mirën e këtij vendi, për zhvillimin e  të rinjëve. Në fillim nisa të bëja kurse në rrethana shtëpie, ku klientët e parë ishin miqtë apo kushërinjtë, të cilët për pak kohë fituan ato njohuri që unë i kisha marrë gjatë eksperiencës në Gjermani, jo vetëm në gjuhë të huaj por edhe njohuri kompjuterike. Pas kësaj eksperience të parë, menduam që të merrnim një ambient në “Qytet Studenti” duke ditur që studentët janë më të predispozuar për të marrë njohuri shtesë të cilat arsimi universitar nuk i ofron.
 
Pra, ka qenë një sfidë e vështirë?
Çuditërisht me një investim minimal dhe me një ambient shumë të vogël blemë katër kompjutera dhe filluam trajnimet tona në fushën e kompjuterit, ku më pas më mbështeti dhe bashkëshorti im, Genci. Duhet të theksoj që qëndrimi prej 5 vitesh në Gjermani na dha goxha avantazhe në mënyrën e të konceptuarit të punës, duke nisur çdo gjë me baza ligjore dhe të rregullta. Irisoft u liçensua pas testimeve të bëra nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës në tetor të vitit 2000, duke na krijuar kështu mundësinë për të vazhduar rrugën tonë deri në këto momente. Në atë kohë, studentët kishin shumë dëshirë të familjarizoheshin me kompjuterin, pasi vitet 2000 ishin hapat e parë drejt zhvillimit teknologjik në Shqipëri. Nga dy grupe arritëm të kishim një ngarkesë, duke arritur deri në 10 orë kurse në ditë, një lodhje e jashtëzakonshme.
 
Cilat profesione janë orientuar më shumë në qendrën tuaj dhe ku keni arritur aktualisht përsa i përket profileve që trajnoni?
Unë dhe bashkëshorti im jemi Inxhinierë të dy në profesione dhe nuk është e vështirë për të konceptuar programet  kompjuterike, duke ditur që e kemi nisur punën me paketën bazë të Microsoft Office apo të kësaj natyre. Po këta studentë shtuan kërkesat duke kërkuar kurse të gjuhëve Anglisht dhe Gjermanisht. Kështu brenda një periudhe shumë të vogël arritëm të zgjeroheshim në një ambjent më të madh për shkak të kërkesave që të rinjtë kishin kundrejt këtyre njohurive. Hap pas hapi ne arritëm të krijonim një rrjet të gjerë të kurseve dhe e veçanta e qendrës sonë është se ne ecim në bazë të kërkesave të tregut.
 
Kur specifikoni kërkesat e tregut, kuptoj se ju tashmë keni krijuar atë urën lidhëse të bashkëpunimit edhe me bizneset apo institucione të tjera?
Qendra Irisoft ka qenë prezente çdo herë në panaire të ndryshme dhe kemi vënë re se shumë studentë të sapodiplomuar dorëzojnë një CV dhe  interesohen për një vend pune. Cv gjithmonë flet shumë, por duke menduar si biznes dimë që burimet njerëzore janë ato që e bëjnë të sukseshmëm apo jo një biznes. Për këtë arsye prej mëse dy vitesh po zhvillojmë projektin “Rekrutim, Trajnim dhe Punësim të Burimeve Njerëzore”, projekt i cili ka fituar besimin e Bizneseve dhe po ndërgjegjëson të rinjtë e sotëm për tu afirmuar sipas kërkesave të tregut të punës. Ky projekt ka të bëjë me faktin që ne rekrutojmë  individë, i testojmë, i trajnojmë dhe pastaj i punësojmë. Falë këtij projekti, shumë biznese kanë realizuar marrëveshje me Irisoftin të cilët kanë fituar besimin tonë. Për këtë arsye ne kemi ngritur 10 paketa profesionale, kryesisht për ekonomistë, menaxherë, inxhinierë, psikologë, juristë etj... ku  më të privilegjuar janë studentët e marketingut apo menaxhimit sepse ky është një treg i ‘virgjër’ në Shqipëri. Të gjithë bizneset thonë që marketojnë apo menaxhojnë, por jo gjithnjë  pronari mund të ketë vizionin  dhe të mund të kryej procesin e menaxhimit apo marketingut i vetëm.   Nga ana tjetër, studentët e sapodiplomuar, por dhe ato që janë në marrdhënie pune po përpiqen të ndërgjegjësohen, që të jesh pjesë e tregut duhet të jesh sa më i afirmuar.
 
Ky projekt që ju po zhvilloni, cilësohet si një orientim për tregun e punës?
Për fat të keq në Shqipëri kemi juristë, punonjës socialë  me shumicë, studentë që kanë mbaruar Gjuhët e Huaja dhe e kanë shumë të vështirë të punësohen në profesion.  Shumica e tyre përfundojnë të punojnë në Call Centre edhe pse është një punë që duhet vlerësuar dhe  përderisa  tregu ka nevojë duhen repsektuar të gjitha llojet e punëve. Ne mundohemi që nëpërmjet projektit tonë ti orientojmë drejt individët  në tregun e punës.  
 
Si i rekrutoni këta individë pranë qendrës tuaj?
Kemi disa faza të projektit të cilat i shtjellojmë me shumë kujdes.  Hasim  vështirësi në ndërgjegjësimin e individit sepse të gjithë vijnë me mendimin për tu punësuar menjëherë, por që të jesh pjesë e tregut drejtëpërdejtë nga bankat e shkollës është e vështirë. Për fat të keq, sistemi ynë arsimor i ka të kufizuara praktikat profesionale sidomos përsa i përket sistemit publik. Ne po shërbejmë si urë lidhëse mes kërkesave që ka tregu dhe kërkesave që ka një individ i sapodiplomuar. Meqënëse këto hallka ekzistojnë, atëherë ne jemi katalizatorët që mundohemi të bëjmë përqasjen e kërkesë-ofertës dhe këtë e faktojnë statistikat tona ku numri i individëve trajnuar pranë nesh janë pjesë  e tregut të punës. E veçanta  qëndron në faktin që ato jo vetëm që orinetohen drejt dhe gjejnë një punë por dinë dhe ta mbajnë atë.


Shkrimi u publikua sot (14.05.2015) nw Shqiptarja.com versioni print
 
Redaksia online
(k.b/shqiptarja.com)