Ka përfunduar në barazim sfida Angli-Rusi, falë një goli të shënuar nga Berezutski në minutën e fundit të ndeshjes. Deri në atë moment, Anglia triumfonte kundër Rusisë me një gol të shënuar nga Dier në minutën e 73-të.
 
Goli erdhi nga një goditje dënimi pranë zonës, pas një numri të madh sulmesh pa rezultat nga ana e britanikëve.
 
Vetëm pak minuta para golit, anglezët goditën dy herë shtyllën e portierit Akinfeev.
 
Përballja, e tensionuar disi për shkak të plagosjes së një tifozi anglez gjatë një përleshjeje mes dy tifozerive, u dominua nga britanikët.
 
Rusët arritën të vinin nën presion Anglinë vetëm gjatë fillimit të pjesës së dytë. Momenti kyç për skuadrën ruse erdhi në minutën e 63', kur goditja e Smolov përfundo fare pranë shtyllës së majtë të portierit anglez Hart.
 
Ndërkohë më herët, Uellsi i Gareth Bale mundi Sllovakinë me rezultatin 2:1. Uellsianët shënuan fillimisht me anë të Bale i cili ekzekutoi saktë një goditje dënimi. Duda barazoi për sllovakët 61'. Ndërsa 10 minuta nga fundi i takimit Hal Robson-Kanu shënoi golin e fitores për Uellsin. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com