Gjithçka ka nisur të marrë jetë sipas këtij plani në sheshin kryesor te kryeqytetit. Të parat që po vendosen janë shtëpitë e drurit të cilat do të pasohen edhe nga lojerat elektronike per femijet.
Risi e këtij viti do të jetë dhe pista e patinazhit e vendosur në qendër të sheshit duke ofruar një mundësi më shumë për argëtim.
"Për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, Bashkia e Tiranës ka menduar që hapësirën te sheshi “Nënë Tereza” ta kthejë në një ambient festiv, ku qytetarët mund të kalojnë kohën e tyre dhe të argëtohen. Kemi menduar edhe për zbukurimin e qytetit, edhe për mënyrën se si periudha e festave do të monitorohet edhe për çështje të cilësisë, edhe për çështje të çmimeve. Vitin e Ri do e presim në sheshin ‘Nënë Tereza’, epiqendra e të gjitha aktiviteteve, me një pistë patinazhi, cirk, lojëra për fëmijë, kabinat e drurit, produktet lokale”, tha Veliaj.
Shtepizat e drunjta te ngritura ne sheshin "Nene Tereza"
"Nga sot, ky shesh po shndërrohet në pedonale, ku pas datës 6 dhjetor, do të organizohen shumë aktivitete për të gjitha grupmoshat. Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës ka menduar t’i kushtojë një vëmendje të veçantë atmosferës festive në qytet për festat e fundvitit. Në bashkëpunim me ndërmarrjet e bashkisë ka nisur puna për dekorimin e rrugëve si bulevardit Dëshmorët e Kombit, bulevardi Zogu I, rruga Myslym Shyri, Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës dhe në Unazë. Më datë 6 dhjetor, do të ndizen dritat e qytetit për festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri."-shtoi Veliaj
Megjithatë ky organizim pritet të sjellë probleme me trafikun. Kjo pasi që nga sot nuk do të lejohet të lëvizë asnjë makinë në këtë shesh. Siç e shihni dhe nga këto foto trafiku është i rënduar qe ne diten e pare te pergatitjeve.
Sheshi do të jetë i bllokuar për automjetet deri më datë 4 janar.
Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)