"Kasapi” i Ballkanit, kush është i
besuari i xhelatit Millosheviç

"Kasapi” i Ballkanit, kush është i<br />besuari i xhelatit Millosheviç<br>
Burgim i përjetshëm. U deshën 25 vjet pritje, 15 në arrati dhe 4 vjet gjyqe. Treqind dëshmitarë, 10 mijë elementë prove. Dhe orë të tëra për të dëgjuar deliret e tij mbrojtëse, “e bëra për të mbrojtur Evropën nga Islami!”. U përpoq të kacavirrej në çdo element, “nuk ka gjurmë të ndonjë urdhri të shkruar nga unë!”. Tezat e pakundërshtueshme të akuzës ishin, “prova e spastrimit etnik qëndron në faktin se myslimanët janë zhdukur nga shumë fshate boshnjake”. Përpjekjet e dëshpëruara të avokatëve të tij për ta shpëtuar nga gjykimi ishin të tipit, “është keq, duhet të kurohet në Rusi”. Por në fund, edhe pse me shumë vonesë drejtësia mbërriti: në moshën 74-vjeçare gjenerali serbo-boshnjak Ratko Mladic, kasapi që nga 1991 më 1995 martirizoi Sarajevën dhe “spastroi” të gjithë Bosnjen, me 100 mijë të vdekur dhe 200 mijë të dëbuar, njeriu që urdhëroi në Srebrenicë masakrën më të madhe të parë ndonjëherë që pas Luftës së Dytë Botërore, me mbi 8 mijë të vrarë, u dënua pasi u shpall fajtor për 10 nga 11 akuzat që ishin ngritur ndaj tij. Edhe pse seanca vonoi, sepse Mladic fillimisht ndjeu një dobësi, dhe më pas filloi të ulërinte në momentin e leximit të vendimit, duke e detyruar gjyqtarin që ta largonte nga salla.

Tre gjyqtarët e Hagës – Holandezi Alphons Orie, afrikanojugori Bakone Moloto dhe gjermani Christoph Flugge u përqëndruan te gjenocidi në Srebrenicë dhe në gjashtë qytete të tjera, te persekutimi i myslimanëve dhe i kroatëve, te bombardimi i Sarajevës dhe te qitja nga kodrat që shkaktuan 10 mijë të vdekur (1.500 ishin fëmijë), si dhe te marrja peng e kaskave blu të OKB-së... E pamundur të shqyrtohen të gjitha mijëra përdhunimet dhe shkatërrimet e luftës më të frikshme të parë ndonjëherë në Evropë pas nazizmit. Arratia e tij zgjati sa ajo e Eichmann, por vendimi për të qe tejet më i lehtë. Mlladiç shfaqet sot me pamjen e një ushtaraku me dinjitet në pension, me xhaketë dhe kravatë, dhe me sytë e mbyllur duke dëgjuar vendimin. Por të njëjtët sy i mbante të hapur mirë në kohën kur me veshje ushtarake fërkonte kokat e fëmijëve dhe më pas urdhëronte shfarosjen e tyre. “Si e mbijetuar – tha Lejla Deljanin, 37 vjeçe, e cila më 1992 ishte fëmijë dhe u godit në kokë teksa vraponte në rrugën e famshme të qitësve -, mendoj se çdo dënim është gjithsesi i lehtë për të dhe i pamjaftueshëm për jetët që ka shkatërruar”.

I besuari i xhelatëve Millosheviç dhe Karaxhiç e dëgjoi leximin e vendimit. Mjekët e tij deri në fund e këshilluan që të mos merrte pjesë, duke e akuzuar OKB-në se nuk po i jepte mjekimin e nevojshëm të burgosurit, duke propozuar që ta shtronin në Moskë dhe duke kërkuar që gjyqi të shtyhej, “sepse Mladic ka patur më parë dy iktuse dhe një infarkt, vuan nga çrregullime në tru, dhe stresi i dënimit mund t’i shkaktojë vdekjen”. I vetmi fëmijë që i ka mbetur Mladic, i cili mbijetoi ndryshe nga e motra Ana, e cila u vetëvra nga turpi dhe tmerri, mbërriti në Hagë së bashku me një grup nacionalistësh të papërkulur. Ultrasët u mbajtën në distancë të largët nga 150 përfaqësuesit e shoqatave të viktimave, të cilët po e prisnin vendimin përpara gjkykatës.

Njëri arriti të lëshonte një britmë “Mlladiç hero!”, duke valëvitur një flamur serb, çka solli reagimin e disa përfaqësuesve të viktimave që u përleshën me të. “Babai im nuk është fajtor për asgjë – tha Darko Mladic, i ardhur enkas nga Beogradi -. E kam menduar gjithnjë se çdo verdikt i kësaj gjykate nuk do të kishte qenë i pranueshëm nga familja ime. Çdo analizë ligjore dëshmon se akuza nuk arriti ta provojë përfshirjen e babit tim”.

Mlladiç mbetet një ikonë për shumë serbë, në Vojvodinë është e lehtë të blesh fanella dhe stema me fytyrën e tij, konfirmimi mbërriti kur një prift bekoi rrugën që mbante emrin e tij: “Gjenerali vazhdon të jetë një legjendë për popullin tonë – kohë më parë erdhi ta mbronte në Hagë presidenti aktual i Republikës Serbe të Bosnjes, Milorad Dodik -. Dhe një dënim për të vetëm sa do t’ia përforconte mitin”. Larja e hesapeve me drejtësinë më në fund erdhi. Kurse ajo me ndërgjegjen, për një popull që në pjesën më të madhe nuk e ka bërë kurrë, kushedi se kur do të vijë.

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025