"Kur kujtojmë Odhisenë", një
monografi për jetën e shkrimtarit

"Kur kujtojmë Odhisenë", një<br />monografi për jetën e shkrimtarit
Krijuesi i shquar i letrave shqipe për fëmijë e të rinj Odhise K. Grillo (21 mars 1933 – 24 shtator 2003) u nda nga jeta 10 vjet më parë. U nda në një kohë, kur letërsia për fëmijë e të rinj kishte shumë nevojë për të, kur kolegët bashkëmoshatarë, krijuesit më të rinj, lexuesit e vegjël ende prisnin vepra të reja nga ky shkrimtar, prisnin të gjithë: mendimin, buzëqeshjen, urtësinë dhe miqësinë e tij… E kush e ka njohur Odhisenë, e ka të pamundur të mos ruaj një kujtim të bukur, një fjalë shprese e një rrezatim mirësie prej tij…
  
Duke njohur korpusin e veprave të tij, është e pamundur të mos thuash se, ishte një krijues poledrik, më i spikaturi në fushën e letrave për fëmijë e të rinj pas çlirimit të vendit, sjellësi i risive të reja, veçanërisht në shqipërimin e në përshtatjen e veprave nga letërsia për të rritur në letërsinë për fëmijë, modeli i shkrimtarit që edhe rrahjen e fundit të zemrës e pati për atë letërsi që e dashuroi, e krijoi dhe e ëndërroi… Si një agim i bukur i një mëngjesi të ndritur na vijnë përjetësisht fjalët e tij proverbiale që ishin princip në udhën e procesin e tij krijues, si: “Në punë, në krijimtari e në jetë, mua më ka udhëhequr trinomi i shenjtë: Zoti në qiell, Atdheu në tokë dhe Letërsia në shpirt.” 

Në këtë shkrim-nderimi dua të lë “mënjanë” vitet e miqësisë dhe të kujtimeve të pashlyeshme, kuvendimet e shpeshta e bisedat telefonike me të…; kësaj radhe preferoj të ‘bashkëbisedoj” me monografinë letrare të titulluar “Kur lexojmë Odhisenë…” të studiuesit të talentuar Milaim Nelaj.  Një monografi, ndër të paktat e këtij lloji në studimet tona letrare shqipe për fëmijë, e shkruar për një shkrimtar të letërsisë për fëmijë e të rinj. Një monografi e shkruar me dashuri dhe frymëzim, me pasion e vërtetësi, me një poetikë rrezëllitëse e me ligjërim të  fjalës shqipe; në të cilën studiuesi përmes 19 kapitujve në rrafshe të ndryshme e këndvështrime interesante gdhend portretin njerëzor, letrar e artistik të krijuesit të talentuar Odhise K. Grillo.

Faqe pas faqe na shfaqet: Vendlindja e poetit –Vunoi si dhe trashëgimia e pasur sa arsimdashëse e patriotike e familjes Grillo, fëmijëria, dëshirat, ëndrrat, fillimet letrare, talenti, veprat radhë-radhë, këmbëngulja, palodhshmëria, hulumtimet dhe studimet, shqipërimet, pjesëmarrja në veprimtari e tubime letrare, mendimet e vyera për një vepër të një kolegu të vjetër a të ri, miqësia dhe kujtimet mes miqsh e kolegësh, korrespondenca me miqtë e vegjël krijues, ngrohtësia familjare veçanërisht e Vangjelosë, ëndrra e tij e bërë realitet për Kosovën, ku kishte ‘vëlla’ poetin e talentuar Rifat Kukajn, etj.

E gjitha kjo i ngjan një “shëtitjeje” mbresëlënëse ku shfaqet me realizëm mozaiku shumëngjyrësh e i papërsëritshëm i krijimtarisë letrare të shkrimtarit Odhise K. Grillo. E, duke iu referuar këtij kopshti të bukur poetik, pra këtij korpusi letrar që na la ky shkrimtar; me të drejtë studiuesi Milaim Nelaj e ka strukturuar, ndërtuar dhe mbështetur monografinë e tij mbi elementi analitik, ku krahas konkluzioneve të përgjithshme, ai herë pas here vë theksin në vepra të veçanta, ku gjejmë zbërthime vlerash e interpretime të shumë dukurive letrare, që i mbartte jo vetëm krijimtaria e autorit Grillo por edhe letërsia jonë për fëmijë e të rinj.

Pra, në këtë monografi elementi analitik mbetet bërthama kryesore e evidentimit të kontributeve dhe vlerave të shkrimtarit në fjalë, që në të shumtën e rasteve ishin bazale në zhvillimin e gjinive dhe zhanreve të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, ku autori i lëvroi me sukses. Kjo është dhe arsyeja që këto kapituj, kur bëhet fjalë për kontributet dhe arritjet e autorit në fushat: e poezisë, poemës, poezisë humoristike, baladave dhe legjendave me motive historike e patriotike, të prozës për larminë e temave dhe të formave artistike, të përrallës me tharmin popullor e të modeleve të kësaj natyre rrëfimi, të përshtatjes letrare, të hulumtimit e të rolit të studiuesit, etj,; mendojmë që janë më të realizuarit të kësaj monografie.

Lënda e ofruar e kësaj monografie na thotë se studiuesi Milaim Nelaj është një njohës i mirë i opusit të veprës së shkrimtarit Odhise K. Grillo. Ai na paraqitet një hulumtues i zellshëm, e deri diku i disa problemeve që paraqet krijimtaria e këtij autori, të cilin s’e ka shkëputur nga problemet që mbartte vetë letërsia shqipe për fëmijë e të rinj, në kushtet e realizmit socialist, si dhe pas viteve ’90. Duke pasur prirjen drejt një shterrimi dhe paraqitjeje sa më të plotë të monografisë, autori ka gërmuar edhe arkivin personal të familjes Grillo, si dhe e ka pajisuar atë me veprën e plotë të shkrimtarit Odhise K. Grillo të ndara sipas kriterit gjinor, me artikujt studimorë dhe shkrimet letrare të shkrimtarit botuar në organet e shtypit e gjatë viteve.

Në këto të fundit paraqitet kontributi i vyer i këtij krijuesi të palodhur në dhënien e mendimeve të shumë e shumë veprave të shkrimtarëve, poetëve e letrarëve të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Mjafton vetëm kjo punë e mundimshme dhe fisnike për të përcaktuar marrëdhëniet e autorit me veprat e kolegëve, gjykimet sa profesionale aq dhe dashamirëse, qasjen në evidentimin e vlerave artistike, ecjen reale dhe zhvillimin e kësaj letërsie, si dhe shpalosjen e botës së madhe të shkrimtarit Odhise Grillo.

Herë pas here në disa kapituj, studiuesi enkas ka shpërfaqur karakteristika e cilësi të shkrimtarit Grillo, të cilat i ka zbuluar gjatë studimit të veprave të tij. Mendojmë që janë të sakta, vlerësime të tilla, si: “Odhise Grillo ishte dhe mbetet ndër shkrimtarët më përfaqësues e më të kompletuar të letërsisë për fëmijë; ai shkroi e botoi më shumë se çdo shkrimtar tjetër i kësaj letërsie dhe në veprën e tij rroku tema e fusha të parrahura nga të tjerët; krijimtaria e tij e pasur dhe shumëplanëshe ka qenë gjithnjë e frytshme, cilësore dhe e suksesshme, e mbështetur fuqishëm në motivet popullore, si rrjedhojë e njohjes mirë të gjuhës së popullit, zakoneve,traditave, këngëve e legjendave të tij; ai guxonte e përpiqej vazhdimisht të sillte diçka të re në letërsi dhe e pasuroi atë me risi, përvoja, elemente dhe forma të reja artistike; ai kishte lindur për të shkruar letërsi për fëmijë, duke qenë një krijues i mirëfilltë i saj, dhe iu përkushtuar asaj tërë jetën, me talentin, pasionin dhe aftësitë krijuese që zotëronte; etj.” 

Ashtu siç e thamë më sipër, Odhiseja me shumë dashuri e përkushtim shkroi për një mori veprash të letërsisë shqipe e të huaj për fëmijë e të rinj. Por të mos harrojmë, duke marrë shkas edhe nga vlerat e njëmendta të kësaj monografie, edhe vepra e këtij shkrimtari u bë “pronë” e shumë studiuesve dhe shkrimtarëve, të cilët me studimet e tyre vlerësuan krijimtarinë e Odhisesë. Si një kujtim i bukur, si një kurorë nderimi e lavdie rrijnë shkrimet e kujtimet e I. Kadaresë, D. Agollit, P. Markos, J. Bulos, Xh. Spahiut, N. Jorgaqit, D. Shapllos, N. Priftit, B. Dedjes, D. Bubanit, T. Gjokutajt, Xh. Beqarajt, A. Mamaqit, S. Haskos, P. Koçit, A. Bishqemit, Xh. Bushatit, B. Gaçes, A. Devës, R. Kukajt, Q. Batallit, F. Shkodrës, Xh. Sylës, etj.

Dhe në mbyllje: teksa shfletojmë monografinë “Kur lexojmë Odhisenë…” të Milaim Nelajt, ndiejmë që kujtesa është mos-harrim, ndiejmë erën e mallit që nga Vunoi dhe ne pëshpërisim me dashuri ca vargje nga vargjet e tij: “Mbi krahët e ëndrrës / brodha në Evropë, / pashë tjetër jetë, / pashë tjetër botë. / Mirëpo Eifelin, / që pashë në Paris, / s’kisha për ta ndërruar / me një qiparis. / Shatërvanët e Londrës, / në argjende larë, / s’kisha për t’i ndërruar / as me një ujëvarë. / Edhe Koloseun / në Romën plot bujë / s’kisha për ta ndërruar / me kalanë në krujë. / Plazhet që ka Spanja, / sikur të m’i falin, / s’do t’i ndërroja kurrë / me plazhin e Jalit. / Me plazhin e Jalit, / që shkëlqen si xham, / ku kam plot kujtime / dhe vendlindjen kam.” 

 
Shkrimi u publikua sot (22.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024