BEOGRAD - Kryeministrit Edi Rama nuk do t’i dorëzohet çelësi i Beogradit, dhe as nuk do të mbajë një tubim në Preshevë, por një fjalim të shkurtër me komunitetin shqiptar. Lajmi bëhet i ditur nga media serbe “Kurir” sipas së cilës, incidentet e ndeshjes Serbi-Shqipëri, kanë ndikuar edhe në ndryshimin e axhendës së kryeministrit shqiptar.

Sipas “Kurir”, në vizitën e 22 tetorit, e cila u shty vetëm për shkak të incidenteve në fushën e futbollit, ishte parashikuar dhënia e çelësit të Beogradit nga kryebashkiaku Sinisha Mali, si dhe mbajtja e një mitingu në Luginën e Preshevës, me komunitetin shqiptar.

Megjithatë pavarësisht se në axhendën e ndryshuar të kryeministrit Rama është parashikuar takim me kryebashkiakun e Beogradit, sipas “Kurir” atij nuk do t’i dorëzohet çelësi i qytetit.

Po ashtu kryeministri Rama do të mbajë vetëm një fjalim të shkurtër në Pallatin e Kulturës në Preshevë dhe jo tubim. Ndërkaq sipas mediave lokale në Preshevë, Ramës do t’i dorëzohet çelësi i Preshevës, ndërsa banera ku shprehin mikpritjen për Ramën janë vendosur në të gjithë qytetin.

Vizita e kryeministrit shqiptar, është e para pas 68 vitesh në Beograd e një zyrtari të tillë të Shqipërisë. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)