TIRANË - Ish-Kryeministri Berisha e ka konsideruar "ftesë me bisht" - "dardhë me bisht mbrapa" dhe në fund e ka përcaktuar si "ultimatum", ftesën e mazhorancës qeverisëse për të rënë dakord me opozitën, ditën e enjte, për votimin e Aktit Normativ të ligjit "Për nëpunësin civil".
Sipas tij, konsensusi i 30 majit ka qënë vetëm një mashtrim elektoral nga kryetarët e PS-së dhe LSI-së.

"Bashkëkryetarët e mazhorancës,"- shkruan ironikisht Berisha, duke iu referuar Ramës e Metës - " pasi asgjesuan me aktin e tyre normativ, për herë të parë në historine e pluralizmit, konsensusin, u vunë këto ditë në garë ftesash për opozitën për të zgjidhur me dialog, shkatërrimin e njëanshem të konsensusit për ligjin e nëpunësit civil.

Me asgjesimin e konsensusit, ata faktuan se më datë 30 maj, e kanë votuar këtë ligj vetëm për të mashtruar shqiptarët për qëllime elektorale.

Përgjigjes pozitive të opozitës për fillimin e dialogut, natyrisht pas tërheqjes së Aktit Normativ, mazhoranca iu përgjigj me ultimatum.

Pra, ftesat e tyre janë si dardhat me bisht dhe bishtin e nxorrën sot. Ai ishte ultimatumi, afati treditor për të rënë dakord ose ligji do votohet diten e enjte.

Keta nuk duan dialogun ndaj dhe i ofrojnë opozitës ftesa me bisht, me ultimatum. Ky është një gabim historik,"- përfundon Berisha.

berisha fb

(Mesazhi i ish-Kryeministrit, publikuar në Fb)

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)