"Neue Zürich Zeitung": Kosova
kampione për flamuj amerikanë

"Neue Zürich Zeitung": Kosova<br />kampione për flamuj amerikanë
BERNË (ZVICËR) - Në asnjë vend tjetër - përfshirë edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës – nuk gjen më shumë flamuj amerikanë për kokë banori sesa në Kosovë. Kosovarët e trajtojnë Amerikën si një mami të shtetit të tyre dhe si një forcë mbrojtëse. Flamujt në pompa benzine, restorante dhe në fanella flasin për një nderim të thellë popullor.

Por, mrekullimi jo kritik i miqve amerikanë po vihet në pyetje. Forcë shtytëse e këtij emancipimi dhe njëkohësisht e një vetëdije radikale nacionale është lëvizja “Vetëvendosje”. Ajo po udhëheq me sukses një luftë në dy fronte: kundër mbikëqyrjes së Kosovës nga të huajt e fuqishëm (përfshirë edhe amerikanët) dhe kundër “qeverisë marionetë” e të korruptuar të vendit", shkruan Andreas Ernst në gazetën zvicerane "Neue Zürich Zeitung", që e transmeton "Telegrafi".

Të sulmuarit e injoruan për një kohë të gjatë “Vetëvendosjen” si një sekt margjinal politik. Por suksesi i saj në kutitë e votimit, prezenca e tyre mediale dhe popullariteti në rritje bën që të fillohen të përdoren metoda të tjera: ndoshta do të duhej biseduar me ta, menduan amerikanët? Albin Kurtit, udhëheqësit dhe ideologut të kësaj partie-lëvizje, për të parën herë që nga viti 1997 iu dha një vizë udhëtimi për në SHBA, për ku ai së bashku me zëvendësin e tij, Shpend Ahmeti, udhëtuan në muajin maj. Në program: takimi me përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit, me diasporën shqiptare dhe me akademikët.

Si rezultat i këtij udhëtimi ishte korrespodenca e mëpastajme e Edward Josephit, ish-zëvendësshefit amerikan të misionit të OSBE-së në Kosovë, dhe Shpend Ahmetit. Në të u diskutua sovraniteti i kufizuar i Kosovës, pozita e pakicës serbe dhe synimi i “Vetëvendosjes” për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Interesant është nënteksti i kësaj beteje të shkurtë. Joseph është përfaqësues i “intervenimit humanitar”.

Sipas këtij narracioni, SHBA-ja ndërhyn për të ndalur represionin dhe ndjekjen e kosovarëve nga shteti serb. Pas largimit të shtetit serb nga Kosova, aty, nën udhëheqjen e Perëndimit, u krijua një shtet multietnik, i cili do të duhej të stabilizohej përmes integrimit të tij në strukturat euroatlantike.

Koncesionet ndaj serbëve dhe kufizimet në sovranitetin shtetëror, Edward Joseph i konsideron si çmimin që duhet paguar Kosova për pavarësinë e saj. Në anën tjetër, bashkimin me Shqipërinë Washingtoni e konsideruaka “ide të marrë”. Kush iu përmbaka asaj ideje rrezikuaka miqësinë dhe mbështetjen e Amerikës.

LUFTA ÇLIRIMTARE HISTORIKE
Shpend Ahmeti ka koncepte të tjera historike. Për të intervenimi perëndimor është një kapitull në luftën çlirimtare të shqiptarëve. “Llogari-koston” e Edward Josephit ai e konsideron si parimisht të deplasuar. Ai bën me dije për atë se ndryshimet paskan pasur çmimin e tyre, shkruan kosovari. Këtë e dinë të gjithë bashkëkombësit e tij, të cilët e paguan me çmim të lartë të gjakut lirinë e tyre. Edhe përkundër vlerësimit të lartë të kontributit amerikan, nuk ishte ai vendimtar, por vullneti i popullit për pavarësi.

Karakteristikë e të dy bashkëdialoguesve është një vetësiguri deri diku arrogante. Tek Josephi bie në sy ideja e diktimit të “çmimeve” politike dhe kështu edhe e dirigjimit të qëndrimeve. Tek Ahmeti mbështetet në sigurinë e nacionalistit, se historia, sado e përgjakshme dhe e mundimshme, përmbushet përmes shtetit nacional. Ndalimin e bashkimit me Shqipërinë nga Perëndimi kosovari nuk e merr shumë seriozisht. Ai ia përkujton bashkëkorresponduesit të tij se në vitin 1998 qeveria e Washingtonit e hidhte poshtë kategorikisht pavarësinë e Kosovës (UÇK konsiderohej atëherë si terroriste). Që nga atëherë ka ndryshuar shumëçka dhe do të ndryshoje sipas vullnetit të popullit.

Çka tregon tjetër ky letërkëmbim? Udhëzimet e mikut amerikan pothuajse nuk i interesojnë fare kosovarit. Llogaria e shpenzim-përfitimeve i preokupon pak ata të cilët janë të pushtuar nga ndjenja e misionarëve të vetëdijes nacionale. Ne s’ju kemi borxh asgjë, është porosia e koduar dërguar amerikanëve. Dhe: ne kemi vërtet pak para, por shumë kohë, përfundon shkrimi i Andreas Ernst në gazetën NZZ.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës