TIRANE- Provimet sivjet janë më të vështira në krahasim me vitet e tjera duke marrë parasysh dhe ndryshimin e sistemit. Me këtë lloj sistemi kemi shumë vështirësi dhe madje shpesh herë dhe mësuesit nuk ambientohen dot. Ka pasur raste ku mësuesit i është dashur të anashkalojë dhe përshpejtojë planin e programit dhe të shhpjegojë temat që ka përcaktuar Ministria e Arsimit. Me sistemin e ri ne nuk hymë dot as në shkolla private, n.q.s. nuk marrin njërin nga lëndët me zgjedhje. Ne kemi 4 javë që kemi filluar me konsultime, ndërsa konsultimet në lëndët më zgjedhje ato do t'i fillojnë nga java tjetër", - kështu na thotë Arjan Kola, gjimnazist i vitit të tretë te shkolla e mesme e Gjuhëve të Huaja "Asim Vokshi". Por ai nuk është i vetmi i pakënaqur nga programi i ri i maturës i Letërsisë për maturën Shtetërore. Blerina Mekasani është një tjetër gjimnaziste e vitit të tretë të kësaj shkolle, e cila shprehet se programi i ri i ka bërë lëmsh. "Këtë vit e kemi lëmsh dhe shpeshherë nuk i kuptojmë procedurat që ndjekim. Ky vit për ne është vit eksperimental. Nga programi i ri, më shumë hasim probleme dhe vështirësi tek Letërsia Shqipe. Kemi shumë libra, 45 libra në provim dhe kemi tema të cilat nuk i kemi parë ndonjëherë më përpara. Ne bëjmë 1-2 orë në javë konsultime në letërsi dhe 2 orë konsultimi në matematikë, ndërsa për lëndët me zgjedhje bëjmë nga 1 orë në javë", - na shpjegon Blerina.
MESUESIT
Ata në të vërtetë duan të flasin, por kanë frikë se mos ndëshkohen nëse e thonë fjalën e tyre hapur. Profesori i letërsisë në këtë shkollë, nuk pranon të flasë mbi problemet e shumta që ka sjellë me vete jo vetëm program i orientues i provimit të Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në maturë, por edhe vetë ndërtimi i lëndës së Letërsisë, por atij nuk i rrihet pa bërë një koment. "Programi i ri? Po ju them vetëm një shprehje të prof. Agron Tufës, i cili ka qenë në krye të komisionit që ka kundërshtuar këtë program, dhe që përmbledh të gjithë gjendjen e tanishme. Tufa ka thënë: Me programin e ri Letërsia ka vdekur. Programi është për faqe të zezë". Kjo shprehje e përmbledh të gjithë gjendjen në të cilën është sot letërsia në shkolla", - na thotë ai. Një tjetër profesor që jep lëndën e letërsisë në këtë shkollë, që pranoi të na shpjegonte, por jo që të identifikohej me emër, na thotë se shpeshherë u duhet të anashkalojnë programin lëndor dhe të merren me programin e maturës. "Ka shumë tema që nuk i kanë zhvilluar fare, pasi në programin e maturës shtetërore janë përfshirë të gjitha temat që mund të jenë bërë në të gjitha librat e letërsisë së Altertekstit dhe kjo e bën më të vështirë përgatitjen e maturantëve. Ne, në shumë raste, jemi të detyruar që të anashkalojmë programin lëndor dhe ata tema që nxënësit nuk i kanë bërë, por që përfshihen në programin e maturës shtetërore, ne ua shpjegojmë imtësisht, në mënyrë që të mos dalin të papërgatitur në testin e Maturës", - na shpjegon ai.
(sg/shqiptarja.com)