TIRANE - A1 Report zbardh komunikimin e deputetit socialist Armando Prenga me avokatin e tij Baftjar Rusi në lidhje me përplasjen me armë pranë komisariatit të Kurbinit. Sipas dëshmisë së tij, Prengës i është bërë pritë nga disa persona ndërsa kthehej me makinë nga rruga e Patokut. Deputeti socialist i vënë në prangat e policisë si i përfshirë në konfliktin ku mbetën të plagosur 7 persona, thotë se është kërcënuar me jetë nga Gjok Cali dhe për këtë arsye i ka kërkuar vëllait të tij, Eduartit që të bëjë denoncimin në polici. “Qëllova për të mbrojtur jetën, mu cenua jeta”, ka thënë deputeti Prenga.
 
Për shkak të një konflikti për marrëdhënie prone në kthim nga rruga e Patokut më prenë rrugën disa perona, njëri nxori thikën dhe kërkoi hapjen e xhamit, qëllova me armë në ajër në mbrojtje të integriteti”, - mësohet të jetë shprehur Prenga para avokatit të tij.

Në lidhje me akuzën e armëmbajtjes pa leje që policia ka ngritur ndaj tij, Prenga i kërkon shtetit të bëjë verifikimet e duhura pasi armën e ka me leje.

Ka qënë mesdita e se shtunes kur deputeti Prenga është vizituar nga avokati Rusi, i cili është njohur nga klienti i tij lidhur me rrethanat e ngjarjes. Rusi ka nënvizuar se Armando Prenga nuk ka qënë në ambjentet e komisariatit të Kurbinit dhe se arrestimi i tij nga policia e Laçit sipas tij është i paligjshëm.
 
Deputeti i mazhorancës, për të cilin burime për A1 Report thanë se është përjashtuar nga grupi parlamentar pas ngjarjes në Kurbin, akuzohet edhe për “plagosje e rëndë me dashje” dhe “kanosje serioze për vrasje”.
 
Përplasja me armë dhe thika ndodhi për një konflikt në lidhje me shfrytëzimin për peshkim në Lagunën e Patokut, e drejtë të cilën e gëzonte për vite me radhë familja Cali por që me një tender të 2015-ës ju dha Eduart Prengës, vëllait të deputetit socialist Armando Prenga.

Aktualisht Prenga ndodhet ne ambientet e Drejtorise se Policise se Tiranes.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)