"Si të jesh një elektromekanik 
 pa një kualifikim universitar"

"Si të jesh një elektromekanik <br /> pa një kualifikim universitar"
TIRANE- Ndodh rrallë të takojmë njerëz të suksesshëm përsa i përket orientimit profesional pa një kualifikim universitar apo një shkollë profesionale. Ky është elektromekaniku Gazmir Rakipi, i cili prej 15 vitesh është një ndër emrat më të njohur të serviseve të mëdha në Tiranë.

Në një rrëfim interesant ai na tregon se, nevoja, aftësitë dhe përkushtimi janë tri faktorët që e kanë bërë të jetë një person me një karrierë të konsoliduar në fushën e mekanikës në Shqipëri. Madje, Gazmiri e vë theksin edhe tek mundësitë që kanë sot të rinjt, ndryshe nga brezi i tij, ku mundësitë ekonomike, por edhe mbështetja kanë qenë të pakta për të mos thënë që nuk ekzistonin fare. Përpos tyre, elektromekaniku, i cili momentalisht punon pranë “Tendence 3A” thotë se, shumë djem dhe vajza pavarësisht mundësive që iu janë dhënë në jetë, kanë një karrierë në një fushë të caktuar, edhe pse nuk janë pjesë e studimeve të atij profesioni në anën teorike, por puna praktike në ndër vite të aftëson dhe të bën të jehs konkurrent i fortë në treg. 

Tashmë numëroni vite që jeni pjesë e serviseve në Tiranë. E veçanta juaj është se ju nuk jeni diplomuar, por jeni profilizuar si elektromekanik.  Si i kujtoni fillimet tuaja?
Prej 15 vitesh unë operoj në sektorin elektromekanik në serviset më të njohura në Tiranë. Është e vërtetë se nuk kam mundur të kryej studimet universitare, por si çdo i ri që ka pasion të merret mekanikën, unë zgjodha që të nisja fillimisht si ndihmës në një nga serviset e zonës ku jetoja.

Duke qenë se, ky zanat ishte dhe pasion arrita që për një kohë të shkurtër duke punuar me njerëz profesionistë të merrja bazat e para drejt këtij zanati. Pasi, zanati jonë nuk ka të mbaruar duke përvetësuar gjëra të reja dhe bashkëkohore me të cilat përballet tregu. Për mua, ka qenë një eksperiencë shumë e mirë në fillimet e punës time si elektromekanik.

Kush ju ka orientuar në këtë zanat, si e keni parë tregun e punës ndër vite?
Që i vogël kisha dëshirë të merresha me gjërat mekanike, duke parë si prirje dhe dëshirë timen në këtë fushë. Dua të theksoj se, fillimet e para të punës sime kanë qenë tepër të vështira pasi e kam nisur në një periudhë ku vendi jonë ndodhej në trazira, vitet ’98 dhe qëllimi kryesor ishte të kisha një punë dhe të mbaja familjen duke qenë dhe fëmija i parë. Tregu  i punës ka qenë tepër i vështirë për efekt dhe të kohës që po jetonim dhe vështirësive për të përvetësuar një zanat. Gjithçka është arritur falë vullnetit dhe përkushtimit që kam pasur.

Sa i vështirë është për ju ky profesion, mendoni se është zgjedhja juaj më e mirë?
Si çdo profesion edhe profesioni im ka pasur vështirësi në vazhdimësi. Përveç faktit se ky profesion ndahet 50% punë fizike dhe 50% argument logjik, duhet të themi se në vetvete rënditet tek zanatet e vështira. Përsa i përket zgjedhjes sime, nëse do të mund të rikthehesha në kohë duhet të kisha bërë zgjedhje tjetër, por duke parë problematikën e tregut të punës sotëm, padyshim do i kisha qëndruar besnik këtij zanati. 

Si çdo zanat edhe ky ka avantazhet dhe disavantazhet e tij. Na rendisni disa?
Bota e mekanikës është e gjërë, prandaj dhe profilizimet që bëhen në këtë profesion janë të shumtë. Këtu vlen të rendisim disa avantazhe siç janë; njohja me teknologjinë e avancuar, komunikimi me klientët, kënaqësia e arritur nga zgjidhja e problemeve të vështira mekanike, etj. Ndërsa, disavantazh është klienti i vështirë, problemet që nuk gjejnë zgjidhje për një kohë të shkurtër, e shumë elementë që janë kalimtare dhe pjesë e punës sonë të përditshme.

Shumë të rinj orientohen drejt përfundimeve të një diplome, mendoni se të pasurit një diplomë ka më shumë avantazhe në treg  pune apo të pasurit një zanat ju jep mundësinë për tu afirmuar në tregun e punës?
Rasti im, është ndër ato rastet në të cilët duhet të theksohen me të madhe! Në pamundësi ekonomike për të kryer studime profesionale apo universitare, kam arritur që sot të kem një zanat dhe një pagë të kënaqëshme në treg.  Sigurisht që të pasurit një diplomë apo kualifikim në një profil të caktuar të jep avantazh, por me pak përkushtim nëse e do punën mund të jesh konkurrent i fortë në treg.

Theksuat se ju keni 15 vite që operoni në treg, duke ngjitur shkallët vit pas viti, është ky një shembull  për të gjithë të rinjt që duhet të orientohen drejt shkollave profesionale?
Të pasurit një zanat apo një diplomë, është mundësia e parë ku çdo konkurrenti i jep të drejtën për të konkurruar në një treg pune. Por, nuk është gjithçka një diplomë apo zanat nëse ti nuk do të kontribuosh gjatë gjithë viteve të zgjedhjes tënde për të qenë koherent me tregun e punës. Shkollat profesionale, kur bëhet fjalë për mekanikën është vetëm hapi i parë drejt orientimit të tyre për një zanat. Duhet të theksojmë se, puna nuk nis vetëm tek një kurs profesional sepse atë mund ta marrësh në mënyra të ndryshme, por testi i së vërtetës është çfarë di të bësh në realitet ‘praktika profesionale’.

Cilat kanë qenë sfidat e profesionit tuaj si elektromekanik?
Sfida ime si elektromekanik ka qenë e vazhdueshme dhe prezente në çdo kohë, pasi çdo problem që kam hasur në punën time të përditshme dhe nuk iu jepja zgjidhje të menjëhershme, duke kaluar në një studim autodidakt. Sot, janë mundësitë e hapura duke marrë informacione në çast.

Shumë profesione paguhen ose nuk paguhen sa duhet, ky zanat ju përkthehet në të ardhura?
Mendoj se çdo lloj profesioni ka rëndësinë e tij dhe mënyrën e vlerësimit, duke u përkthyer në vlerë monetare. Sot, e shikoj që vlerësimi po kalon në bazë të aftësive të individit dhe jo të pozicionit. Në këtë grup, në bazë të këtij vlerësimi bëj pjesë edhe unë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)