"Vatra": Gazetarët kritikë jo në festë

"Vatra": Gazetarët kritikë jo në festë
TIRANE- Eshtë menduar si një festë për të gjithë komunitetin shqiptar që jeton në SHBA, që të gjithë bashkë të festonin 100 vjetorin e themelimit të Federatës Pan-shqiptare të Amerikës "VATRA. Por jo të gjithë do gjithë do të kenë mundësinë ta ndjekin. Veçanërisht gazetarët, të cilët duhet të pasqyrojnë akvitetetet, festimet, dhe takimet për nder të 100 viteve të organizatës më me emër në diasporën shqiptare. Nuk dihet se kush ka dhënë idenë dhe mbi çfarë kriteresh, por prej tre ditësh, drejtuesit e organizatës kanë vendosur që të përjashtojnë nga pasqyrimi i festimeve, mediat, që sipas tyre kanë shpifur dhe kanë hedhur baltë mbi to.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga Federata pan-shqiptare, në 22 prill 2012 dhe që mund të gjendet në adresën http://www.gazetadielli.com/, janë të përjashtuar nga ndjekja e veprimtarive ato media dhe gazetarë që kanë shpifur. "Me rastin e 100 vjetorit të Federatës Pan-shqiptare të Amerikës"VATRA", ka pasur një interesim të jashtzakonshëm të mediave për të ndjekur veprimtaritë finale të 100 vjetorit, vecanërisht ato të 28 Prillit, për konferencën shkencore, ekspozitën fotografike"100 vitet e Vatrës" si dhe ato të 29 prillit të Mbremjes Gala. I falenderojmë të gjithë dhe i njoftojmë se duhet që të marrin akreditim dhe të pajisen me pressin e pergatitur enkas me këtë rast!"-thuhet në njoftimin e Komisionit të mediave pranë komisionit Qendror të festimeve të 100 vjetorit të Vatrës. Komsioni njofton median e interesuar se gazetarët dhe kameramanët do të pranohen pasi të jenë akredituar pranë këtij Komisioni. "Jo kushdo që merr një kamer në krah dhe e quan veten gazetar do të jetë i lejuar që të ndjekë aktivitetet, ndërsa ata që kanë shpërndarë nëpër internet shpifje kundër Vatrës dhe nuk kanë preferuar të publikojnë informacione të vërteta, por i kanë besuar shpifjeve, thashethemeve dhe fantazisë së tyre, e kanë izoluar veten nga këto veprimtari. Per secilen media te interesuar qe paraqet kerkesen dhe pasi miratohet nga komisioni behet pajisja me lejen perkatese"-thuhet në lajmërimin e shpërndarë tre ditë më parë nga Komisioni i Mediave për festimin e 100 vjetorit të Vatrës, në New York.

Por si për habi, në një njoftim tjetër që jep të dhëna për konferencën shkencore që do të mbahet në 28 prill, thuhet se hyrja është e lirë: "Njoftohet komuniteti shqiptar se me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës" VATRA", të shtunën me 28 prill 2012 do të mbahet Konferenca Shkencore "Federata Pan-shqiptare e Amerikës "VATRA, 100 Vjetë në shërbim të Kombit". Konferenca drejtohet nga gazetari i njohur, ish drejtor per Euro-Azinë në Zërin e Amerikës, FRANK SHKRELI. Në konferencë do të mbajnë kumtesa studies të njohur të botës akademike shqiptare dhe gazetarisë. Konferenca Shkencore do të fillojë në orën 9 të mëngjesit dhe do të mbahet në një nga hotelet e njohura në Manhattan, "The Helmsley Park Lane Hotel", që ndodhet në adresën: 36 Central Park South, New York, NY 10019. Tel: (212) 521-6640 Do të ketë edhe një Kokteil. Hyrja është e lire"-thotë njoftimi.

Berisha, 36 mln lekë  për vizitën në SHBA
Reagimi ekstrem i Vatrës, duket se ka lidhje me shkrimet ku dënohej vendimi i qeverisë shqiptare për të financuar organizatën. Qeveria vendosi në 4 prill të japë 36 milionë lekë për shoqatën "Vatra" në SHBA, në kuadër të financimeve që buxheti i shtetit po bën për festimet për 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Qeveria miratoi një vendim që parashikon dhënien e një fondi prej 36 milionë lekësh për "Vatrën", që ajo të festojë 100-vjetorin e themelimit, që përkon me 100-vjetorin e pavarësisë.
Paratë u dhanë nga fondi rezervë i qeverisë. Në një shkrim të gazetës Dielli online thuhet se Arvizu do jetë më 28 dhe 29 prill në dy ditë festime të Vatrës. Në takim do jetë edhe Princi Leka II. Në konferencë do mbajnë kumtesa Nicholas Pano, Beqir Meta, Jusuf Bajraktari, Elez Biberaj, Anton Çefa, etj. Në festime do ketë edhe përfaqësues nga Departamenti i Shtetit, kongresmenë e senatorë. "Vatra" kishte kërkuar zyrtarisht që të ishte pjesë e festimeve të qeverisë shqiptare për 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Gjatë takimit të pak muajve më parë me kryeministrin Berisha, përfaqësia e Federatës Pan-Shqiptare në SHBA "Vatra", e kryesuar nga kryetari i saj zoti Gjon Buçaj, kishte vendosur që "të marrë pjesë në organizimet dhe aktivitetet, që do të zhvillohen me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit". Ndërsa kryeministri kishte theksuar se Federata 'Vatra' do të jetë pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë si një nga organizatat më të fuqishme të shqiptarëve të diasporës.
Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Cilët janë sot patriotët dhe atdhetarët dhe kush meriton të festojë Pavarësinë?

Cilët janë sot patriotët dhe atdhetarët dhe kush meriton të festojë Pavarësinë?