UASHINGTON - Shumë media të huaja, midis tyre edhe gazeta prestigjioze amerikane, Washington Post, flasin për një grusht shteti të mundshëm në Greqi, nga ana  e rezervistëve të Forcave Speciale.

Në portalin e vet internetik, WP, përmend hetimin e çelur nga prokuroria pas urdhërit të lëshuar nga drejtoresha e Prokurorisë së Athinës, e cila merrte shkas nga publikimi i një teksti në internet, tekst i cili, nxiste qytetarët që t’i bashkohen ushtrisë dhe të rrëzojnë qeverinë dhe në hetimin që do të zhvillohet edhe nga nëndrejtoria eNdjekjes së Krimit Elektronik të Policisë Greke.

Sikundër theksohet në shkrimin e WP, nivelet e verfërisë, të cilat kanë kapur kulmin, si edhe papunësia i kanë çuar shpesh herë grupe të ndryshme të dëshirojnë dhe kërkojnë rëzimin e qeverisë.

WP i referohet edhe KEED, duke nënvizuar se Rezervistët e Forcave Speciale të ushtrisë greke edhe në të kaluarën ishin rreshtuar haptazi kundër paketave të shpëtimit të Greqisë, duke kryer edhe protesta ne kryeqytetin e Athinës, të veshur me uniformat ushtarake, sikundër ndodhi gjatë vizitës së kancelares Merkel në Athinë. Për grushtin e supozuar të shtetit shkruan akoma edhe FOX News dhe Startribune.

Duhet theksuar se sot në mëngjes, KEED (rezervistët e Forcave speciale të ushtrisë greke) publikuan në internet një tekst në lidhje me ato ç’ka thuhen në lidhje me një grusht të mundshëm shteti. Rezervistët e forcave speciale janë shprehur në këtë tekst hapur kundër politikës së qeverisë, e cila u është nënshtruar fuqive të huaja pushtuese, sikundër i quajnë ata partnerët ekonomikë e politikë të Greqisë, të cilët kanë dhënë kreditë e paketat e ndihmës, por edhe trajtimin nga ana e kanaleve televizive, mediave të shkruara e vizive, si edhe portaleve internetike, thirrjes së tyre, të cilën u përpoqën që ta paraqesin si thirrje të hapur për grusht shteti. Sipas tyre, kjo tendencë e mediave greke nuk është serioze.

Për këtë, në komunikaten e KEED përmenden se të gjitha protestat e zhvilluara nga rezervistët kanë qenë gjithmonë brenda kuadrit ligjor dhe kushtetues të Greqisë.
Sipas komunikatës së rezervistëve motoja e tyre është: “Për ne nuk ekziston e Majta, nuk ekziston e Djathta, vetëm eshtrat e shenjta të grekëve” dhe motoja tjetër: “Së bashku që të ikin nazistët”.

Për rezervistët “çdo lloj lidhjeje mes tyre dhe forcave politike varion në sferën e fantazisë. Ata i lidh flamuri grek dhe dashuria për atdheun”, thuhet në komunikatën e rezervistëve, e cila u është derguar të gjitha forcave politike, të cilat janë rreshtuar kundër memorandumeve të imponuara Greqisë...

The National Herald: Rezervistët e forcave specile duan dorëheqjen e qeverisë

Në jehonën e publikimit të Washington Post, edhe The National Herald në faqen e saj në internet ka si temë të parë artikullin me titull “Rezervistët e forcave specile duan dorëheqjen e qeverisë”.

Në artikull thuhet se ushtarakët dëshirojnë dorëheqjen e qeverisë Samaras dhe zëvendësimin e saj me një qeveri tjetër “të bashkimit kombëtar”, e cila do të anullojë marrëveshjet e vendit me kreditorët e jashtëm dhe do të gjykojë e dënojë politikanët aktualë.

Po në këtë artikull bëhet fjalë në lidhjet e mundshme mes neonazistëve të Agimit të Artë me elementë të forcave speciale ushtarake greke, por edhe me funksionarë të policisë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)