"Xhuka", Kushtetuesja "rrëzon"
Nishanin: S'ka kalim kompetencash

"Xhuka", Kushtetuesja "rrëzon"<br />Nishanin: S'ka kalim kompetencash
TIRANE - Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesë-padinë e bërë nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani lidhur me shkeljen e kompetencave nga ana e Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e ish-kryetares së ILDKP-së Zana Xhukës dhe emërimit në vend të saj të Shkëlqim Ganajt.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi çështja në fjalë u shqyrtua mbi bazën e dokumentash dhe duke qenë se gjatë votimit, votat u ndanë në mënyrë të barabartë pa krijuar mundësinë e arritjes së një përfundimi për këtë çështje, në mbështetje të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” u vendos për rrëzimin e kërkesës së Presidentit Nishani.

Në fillim të muajit mars, kreu i shtetit shqiptar iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e konfliktit të krijuar sa u përket kompetencave të Presidencës dhe Kuvendit të Shqipërisë, ku sipas Nishanit, Parlamenti ndërhyri në kompetencat e Presidentit me shkarkimin dhe emërimin që kreu në ILDKP, ndësa shqyrtimi i kërksë-padisë së Presidentit Nishani nga Gjykata Kushtetuese nisi më 27 maj.

Më poshtë vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:

NJOFTIM PËR SHTYP

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në përfundim të shqyrtimit të çështjes me:

Kërkues: Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Subjekt i interesuar: Kuvendi i Shqipërisë

Objekt: 1. Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës midis Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
2. Deklarimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i Vendimit nr.14/2014, datë 20.02.2014 i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për zgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive”.

Pasi shqyrtoi çështjen në seancë plenare mbi bazë dokumentash, duke qenë se gjatë votimit votat u ndanë në mënyrë të barabartë pa krijuar mundësinë e arritjes së një përfundimi për çështjen, në mbështetje të nenit 74 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me vendimin e datës 17.06.2014,

VENDOSI:

- Refuzimin e kërkesës.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Sulmi bën Sylvinhon me 'dhimbje koke', skualifikohet Mirlind Daku

Sulmi bën Sylvinhon me 'dhimbje koke', skualifikohet Mirlind Daku