TIRANË- Ndërkohë që fermerët e Lushnjes i shesin arkat me perime me 15 lekë, konsumatorët në Tiranë i marrin domatet dhe trangujt me 100 lekë. Tregtarët në Tiranë u shprehën për Report Tv se çmimet e shumicës variojnë nga 70-80 lekë dhe se ata e shesin tek qytetarët me 100 lekë pasi llogarisin dhe çmimin e transportit dhe fitimin.

“Malli kushton sipas cilësisë, nëse është cilësi e parë ndryshon çmimi. Rreth 70-80, unë e marrë 80 lekë me shumicë, e shes 100 lekë për shembull. Ky është sezoni që tregtia nuk është në fluksin e vet.

Prodhim vendi të gjitha. Unë i marrë me 80 lekë me shumicë dhe i shes me 100 lekë.

Varet si të jetë sepse nuk është çmimi njëlloj për të gjithë. I marrim me 50-60 lekë dhe i shesim me 70 lekë.

Vendi i kemi prodhim vendi të fshatarëve. Domatet, kastraveca i marrim me 70 lekë kilogrami, i shesim me 100 lekë. Ne i marrim tek fshatarët, te treni, te rruga e Elbasanit”-u shprehën disa prej tregtarëve

Nga ana tjetër qytetarët e Tiranës shprehen se çmimet janë rritur dhe pavarësisht kësaj nuk kanë siguri në atë që marrin. “E janë rritur mbase pak, janë rritur pak, kanë qenë më ulët normalisht. Do i marrim, por problemi është që mund të kenë këto pesticidet ky është i gjithë problemi.

Çmimet sipas qejfit i bëjnë, një ndryshe një ndryshe.

Çmimet janë të larta. Po të kemi nevojë edhe i marrim, çfarë të bëjmë. Për sigurinë ushqimore nuk kemi çfarë të bëjmë vetëm po të marrim ato aparatet nëpër shtëpi.

Shtrenjtë janë, çfarë të flasësh, më shtrenjtë nuk ka ku të shkojë”-u shprehën disa prej qytetarëve. Teksa në Tiranë, banorët ankohen për çmime të shtrenjta, në Lushnje fermerët janë të detyruar që të hedhin prodhimet e tyre pasi nuk kanë mundësi për të gjetur treg. Ato shprehen se ndihen të braktisur dhe të pamundur ekonomikisht të përballojnë mbjelljet e sezonit të ardhshëm.