TIRANE - Së bashku me një grup qytetarësh, ambientalisti Sazan Guri i ka bërë thirrje Kryeministrit Rama dhe Kreut të Bashkisë Basha që të ndalojnë projektet e ndërtimit të disa pallateve pranë digës së Liqenit Artificial, e në veçanti atij të ndërtimit të një godine 17 katëshe.

Guri ka theksuar se në asnjë vend të botës nuk është e lejueshme të ndërtosh pranë një dige, për shkak se paraqet rreziqe të mëdha qoftë për vetë digën e po ashtu edhe për njerëzit që do të jetojnë në këto apartamente. 

"Zoti kryeministër cliroje Tiranën që të marrë një drejtim të caktuar për ndërtime. Zoti kryebashkiak mund të bëhesh simboli i parë që arrin të ndërtosh nën digë, nuk kemi dëgjuar dhe nuk kemi mësuar që në digë të ketë ndërtime cfarëdolloj vepre qoftë ajo 1 katëshe apo 17 katëshe, prandaj dhe jemi jo më tepër për të protestuar me grup banorësh sesa për ti këshilluar ndoshta për herë të fundit jo vetëm vendimmarrësit e mëdhenj, kryeministër dhe kryebashkiak por edhe bizneset që ku e gjejnë atë kurajo që të ndërtojnë pikërisht njëra zonë 5 metra larg bazës së digës dhe zona tjetër 50 metra larg bazës së digës." tha Guri

Një tjetër aspekt është ai i shkatërrimit të parkut të Liqenit Artificial. A1 Report e ka ngritur më parë një shqetësim të tillë, vetëm 10 metra larg digës së liqenit është duke u ndërtuar një godinë 17 katëshe, e cila është pajisur me leje nga Bashkia e kryeqytetit në gusht të këtij viti. Ambientalisti Sazan Guri ka një prognozë më të zezë për të ardhmen e liqenit artificial.

"Dhe nesër do shikoni të gjithë ju popull shqiptar që sot jeni duke dremitur, do të shikoni se si do ndërtohet para kësaj baze dige dhe pasnesër do shikoni sesi ky liqen do spostohet e do ndërtohet brenda tij." tha ambientalisti Guri

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)