Qytetet e vogla të Shqipërisë: Atje ku fundjava është njësoj (monotone) si çdo ditë tjetër e javës

Jeta kulturore bashkë me mundësitë që u ofrohen të rinjve në qytetet si Tirana, Shkodra apo Korça nuk kanë arritur dot të kapërcejnë pragun e qyteteve të vogla të rretheve, aty ku mungesa e një kinemaje, një librarie apo ndoshta dhe një teatri flasin për një realitet monoton të të rinjve.

Po të marrësh rrugën drejt rretheve të Shqipërisë dhe të vizitosh qytetet e vogla, e kupton sa të vakët janë që në hyrje të tyre kur sheh vetëm disa syresh qytetarësh të shpërndarë tek-tuk nëpër kafene ose të moshuar të ulur në parqe. Qytete ku java dhe fundjava nuk kanë shumë ndryshim e ku ditët ekuilibrojnë mërzitshëm njëra-tjetrën.

Edhe pse shpesh është diskutuar për mundësitë e pakta që ofrojnë qytetet e vogla, pak duket se është bërë në këtë drejtim pasi në shumë prej tyre vijon të ndihet prezenca e aktiviteteve të munguara.

“Tirana të ofron jo pak mundësi argëtimi. Të premten dhe të shtunën organizohemi me shoqërinë dhe dalim nëpër festa të ndryshme. Shkojmë në kinema, dalim në kafenetë tona të preferuara ose dalim për të bërë shopping.

Fundjavën e shijoj shumë sepse është e gjallë, ndryshe nga ditët e javës që janë disi më të qeta.”-rrëfen për Gazetasi.al Sabrina Shehu e cila tregon një realitet krejtësisht të ndryshëm nga moshatarët e saj që jetojnë në qytetet e vogla për të cilët as java dhe as fundjava nuk shquhen për dinamizëm e ku nuk ka as kinema, as qendra tregtare e pale ndonjë kurs arti.

Të rinjtë duke kaluar kohën e lirë në Tiranë

“Këtu fundjava përpos faktit që je pushim nuk thotë asgjë më shumë për ne. Qytetarët do vijojnë të rrinë po prapë në kafene si gjatë javës, pa patur mundësi për të bërë ndonjë aktivitet tjetër që t’i japë ngjyrë asaj. Më vjen keq për të rinjtë që nuk kanë çfarë të bëjnë. Prandaj i kanë sytë nga Tirana”-tregon gjithashtu për Gazetasi.al Mela Goro e cila jeton në Himarë dhe shton se jo pak herë qyteti i duket shumë i vakët dhe i mërzitshëm.

E njëjta panoramë, e mbase ca më keq ravijëzohet edhe në Dibër, aty në Burrel, Bulqizë e Peshkopi ku rrugët thuajse gjithë kohës i sheh të zbrazëta e ku jo në pak raste, ditët i ngjasojnë njëra-tjetrës.

Qyteti i Peshkopisë në mesditë dhe në orën 20:00 të darkës ku vihet re mungesa e lëvizjeve

Në këto qytete, koncepti i fundjavës si ditë ndryshe nuk ekziston dhe rutina e përditshme e të rinjve pa frikë mund të quhet monotone.

“Ne nuk kemi gjëra të veçanta për të bërë jo vetëm në fundjavë por as në përditshmëri sepse këtu nuk ke ku të shkosh. Ne nuk kemi klube nate, nuk kemi as kinema, as teatër e as librari ku mund të ulesh të lexosh.

Çdo gjë është e mërzitshme dhe rrugët janë gjithmonë bosh, me pak njerëz që përgjithësisht janë burra ose të moshuar që u drejtohen kafeneve.

Edhe nëse del në fundjavë, e vetmja gjë që mund të bësh është të ulesh në një kafene me shoqërinë sepse ky vend nuk të le hapësirë për asgjë tjetër.”-rrëfen Alina, një gjimnaziste që jeton në Peshkopi  e cila thotë se mezi pret të largohet drejt Tiranës, për të marrë pjesë në aktivitetet që qyteti i saj nuk ia ka ofruar kurrë.

Të njëjtën gjë konstatoi edhe Gazetasi.al në një vëzhgim në këto qytete, të cilët pranëvënë me Tiranën, Shkodrën, apo Korçën, janë bosh, të zbrazët, të vakët, gati-gati të vdekur.

Nëse të rinjtë në Tiranë dalin në orën 8 të mbrëmjes për t’iu drejtuar festave apo klubeve, të rinjtë e këtyre qyteteve rrallë i has pas orës katër pasdite.

“Ne përgjithësisht të shtunën vijmë në Bllok meqë këtu ka vende goxha interesante për t’u ulur ose edhe për të kërcyer pak. Unë e dua shumë ritmin, më pëlqen se si kjo rrugë në fundjavë gëlon nga lëvizjet, vajza që vishen bukur, të rinj që qeshin, makina me muzikë të lartë. Të tregon se ka jetë”, shton më tej Sabrina e cila thotë se nuk do jetonte kurrë në qytete ku nuk ke asgjë për të bërë.

Por në fakt, qytetet e rretheve dëshmojnë se nuk ka jetë edhe aty ku ka frymë.

“Është e vërtetë që këtu nuk ka shumë banorë sa në kryeqytet apo në qytetet e tjera të mëdha dhe dihet se atje mundësitë janë të shumta por të paktën të kishim vetëm diçka ndryshe për të rinjtë tanë.

Po rrisim breza të zhytur në monotoni. Ne nuk kemi aktivitete gjatë javës, pale në fundjavë.

E di se sa ka ndikuar mentaliteti, jam e vetëdijshme që jo shumë prindër do i linin vajzat e tyre të dilnin në klube nate të shtunave siç bëhet në Tiranë por të paktën në librari do i dërgonin, në kinema do të shkonin. Por ne për fat të keq nuk kemi asgjë prej tyre.

Edhe nëse të rinjtë nuk do t’i frekuentonin është e domosdoshme që ata të ofrohen. Pastaj le të mbetet në zgjedhjen e tyre.

Këtu është një zbrazëti aq e madhe që më vonë u ndikon shumë të rinjve kur largohen drejt qyteteve më të zhvilluara ose konkretisht Tiranës, aty ku shpeshherë mund të ndihen dhe të distancuar apo të mënjanuar nga të rinjtë që kanë jetuar aty të cilët nuk e kanë idenë se si është të mos kesh asnjë vend apo aktivitet për të kaluar kohën e lirë.”-rrëfen jo pak e shqetësuar Elvira,një mësuese gjimnazi në qytetin e Burrelit.

E në fakt këto qytete janë shembulli më i mirë për të treguar skajin tjetër të Shqipërisë, një anë tjetër të rutinës së të rinjve që u mungojnë shumë gjëra që një qytet normal duhet t’i kishte.

Në orët e fundjavës kur qytetet e mëdha ndezin muzikën e jetën e natës, qytetet e rretheve ulin qepenat,shuajnë dritat dhe bien në gjumë, njësoj si çdo ditë tjetër, pasi në fakt,aty rrugët flenë edhe në mesditë.../ Nga Megi Iskurti/ gazetasi

 

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Basha apo Berisha, sipas jush kush e ka mbështetjen e anëtarësisë së PD-së?



×

Lajmi i fundit

John

Modric dhe Benzema i japin Realit trofenë e parë sezonal