Mjafton një shëtitje në Korçë dhe menjëherë të bie në sy atmosfera e një qyteti tipik mesdhetar: rrugë me kalldrëm, çati me tjegulla dhe lagje të vjetra që duken si labirint. Në muajt e ngrohtë, njerëzit mbushin sheshet, pinë kafe nën çadra dhe shijojnë ritmin e qetë të qytetit. Në sfond shtrihen kodra të buta që i japin gjithë zonës një pamje karakteristike.
Mund të mendosh lehtësisht se je në Andaluzi, në Toskanë apo në ndonjë rajon të Greqisë. Por jo, Korça ndodhet në Shqipëri, një nga destinacionet më ekonomike në Mesdhe për vitin 2026.
Korça njihet për qytetin e vjetër të ruajtur mirë dhe pazarin qendror. Edhe pse në periferi shihen ende pallate të periudhës komuniste, që nuk janë pjesa më tërheqëse e qytetit, zona historike ofron rrugica, dyqane tradicionale dhe një trashëgimi të dukshme osmane. Qyteti ka shumë histori për të ofruar duke nisur nga objektet e kultit deri te muzetë e pasur.

Edhe pse Shqipëria ka kaluar dekada izolimi gjatë Luftës së Ftohtë, një nga elementët që bie më shumë në sy është mikpritja. Tradita shqiptare e “besës”, që lidhet me respektin dhe pritjen e të huajve, vazhdon të jetë shumë e fortë edhe sot.
Nga ana tjetër, Shqipëria mbetet një nga vendet më të lira për turistët në Europë. Edhe pse çmimet janë rritur vitet e fundit, është ende e mundur që një udhëtar të kalojë ditën me rreth 50 dollarë. Për krahasim, në Spanjë shpenzimet ditore arrijnë të paktën 85 dollarë.
Çfarë mund të bësh në Korçë
Korça është ideale për ta eksploruar pa ndonjë plan të caktuar. Një nga pikat më të njohura është Pazari i Vjetër, një treg shekullor i rrethuar nga ndërtesa prej guri. Edhe sot, kjo zonë ruan atmosferën e dikurshme, edhe pse shumë nga dyqanet dhe restorantet janë përshtatur për turistët.

Mund të shëtisësh lirshëm, të ulesh në një tavolinë dhe të shijosh jetën e qytetit. Një kapuçino kushton rreth 2 dollarë, ndërsa një vakt mesatar rreth 11 dollarë.
Për ata që janë të interesuar për artin, një ndalesë e rëndësishme është Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, ku ekspozohen rreth 7 mijë vepra të krishterimit ortodoks nga pesë shekuj. Shumica janë ikona, të realizuara në stilin tradicional bizantin. Hyrja kushton rreth 7 dollarë.
Në qendër të qytetit ndodhet edhe katedralja ortodokse, e cila është vetëm disa minuta larg muzeut dhe mund të vizitohet falas. Edhe pse duket si ndërtesë e vjetër, ajo është ndërtuar pas rënies së komunizmit, pasi kisha e mëparshme u shkatërrua në vitin 1968.
Po ashtu, një tjetër objekt i rëndësishëm është Xhamia e Mirahorit, që daton që nga viti 1496 dhe mbetet një nga monumentet më të vjetra të qytetit.

Si të shkosh dhe ku të qëndrosh
Edhe pse ndodhet në Ballkan, Korça nuk është nga destinacionet më të lehta për t’u arritur. Aeroporti më i afërt ndërkombëtar është në Tiranë, më shumë se 3 orë larg me makinë. Marrja me qira e një makine është një nga mënyrat më praktike për të udhëtuar dhe mund të kushtojë rreth 15 dollarë në ditë.
Transporti publik funksionon përmes linjave private dhe mund të jetë pak i vështirë për turistët e huaj. Edhe pse Korça ka atmosferë mesdhetare, ajo nuk ka dalje në det. Zona më e afërt për ujë është Liqeni i Prespës, rreth 30 kilometra larg, i rrethuar nga male dhe i ndarë me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Pranvera dhe vera konsiderohen periudhat më të mira për ta vizituar, ndërsa dimrat janë të ftohtë, por ofrojnë një tjetër pamje të qytetit, me borë dhe dekorime festive. Sa i përket akomodimit, Korça ofron shumë mundësi dhe është e lehtë të gjesh një dhomë për më pak se 50 dollarë nata. Qyteti është i vogël dhe mund të eksplorohet në këmbë, ndaj shumica e hoteleve janë pranë pikave kryesore.
Taksitë janë të përhapura dhe një udhëtim kushton nga 5 deri në 10 dollarë. Platforma si Uber apo Lyft nuk operojnë në Shqipëri. Zona është gjithashtu e përshtatshme për ture me biçikletë, një mënyrë praktike për të zbuluar qytetin dhe rrethinat./Islands
Komente









