Zbulohen detaje të reja nga problematika e radarëve të vëzhgimit në det, një ditë pas zbulimit të letrës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako drejtuar Ministres së Mbrojtjes. 

Çako denoncoi mosfunksionimin e radarëve, gjë që sipas tij pengonte punën e policisë; por menjëherë ka reaguar Ministria e Mbrojtjes e cila e përgënjeshtroi këtë fakt.

Ditën e sotme është publikuar një letër që ministri teknik i Brendshëm, Dritan Demiraj i ka dërguar ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Ai thotë se sistemi i radarëve ka shfaqur probleme, gjë që sipas tij ka vështirësuar punën e policisë, duke bërë që operacionet kundër trafikimit të lëndëve narkotike të mos realizohen.

“Sistemi i radarëve ka shfaqur probleme. Kjo situatë vështirëson punën e policisë. Radarët nuk iu përgjigjen nevojave operacionale, pasi nuk vëzhgojnë të gjithë hapësirën. Krijohen kënde që shfrytëzohen nga trafikantë. Radarët nuk detektojnë mjetet dhe njerëzit. Parametrat e sistemit janë larg atyre që kërkohen. Nuk ka kamera të integrueshme që afrojnë objektet. Duhen marrë masa që të përmirësohen parametrat e sistemit”.

Në këtë letër, Demiraj i referohet një rasti konkret, vërtetë shqetësues sipas tij, ku siç shkruan, sinjali i radarëve është fikur në mes të një operacioni antidrogë të policisë.

Më 7 gusht 2017 morëm informacion për një gomone. Por sinjali i radarit u fik në mes të operacionit . Inxhinieri i kompanisë fiku sinjalin e radarëve. Ka dyshime, se sinjali u fik qëllimisht”.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com