Radha që Lulzim Basha të pastrohet nga akuzat!

Radha që Lulzim Basha të pastrohet nga akuzat!

Lulzim Basha dje ne seline e PD gjate prezantimit te "deshmitarit X"

Lulzim Basha sot është detyruar të mbrohej. Nuk kishte planifikuar të dilte para shtypit. As tre aktorët e “Portokallisë” së tij, nuk e vazhduan më “teatrin”, pasi ishte e rëndësishme të fshihej “bashkëpunëtori”… Prej dje në mbasdite, ata po kujdeseshin se si ta nxirrnin jashtë personazhin e përdorur si kavie, për të ilustruar obsesionin e tyre. Vetëm pasi policia ka ndaluar trafikantin e keqpërdorur prej tyre dhe ja ka dorëzuar Prokurorisë, ata kanë nxituar të bëjnë publike deklaratën e amanetit të tij, që ai e ka bërë në selinë e PD një ditë më parë.

Janë detyruar pra të ndryshojnë skenarin e parashikuar, pasi kryeministri bëri publike se ka siguruar një provë shkencore për një kasetë të fallsifikuar prej tyre.

Ky është i vetmi zhvillim real i ditës së sotme. Një përpjekje e Lulzim Bashës për të mbrojtur veten nga akuza për fallsifikim dhe për t’ia faturuar të gjitha një trafikanti, që herë sillet si i penduar, herë si i mërzitur, herë si i paditur se kush e ka regjistruar, dhe në fund i patrajnuar mirë për rolin që i kanë dhënë.

Por nuk ja vlen të humbet kohë me të. Ai është një lloj “Durim Bani”, dhe si i tillë duhet mbajtur në duart e organeve të drejtësisë derisa të ç’montohet ky skenar vulgar. Pjesa tjetër i takon Prokurorisë.

Është hera e dytë që PD organizon në opozitë skenarë me kriminelë për destabilizim, dhe tashmë ka një traditë si ç’montohen këto akuza. Ashtu siç tentuan t’ia mveshin Ilir Metës, Durim Banin, si vrasës me pagesë, ashtu duhet ta trajtojnë dhe këtë tipin, si një i keqpërdorur për shantazh ndaj ministrit të Brendshëm. Dhe natyrisht Lulzim Bashën duhet ta trajtojnë si Tom Doshin. Nuk ka pse përdoren dy standarde.

Por më shqetësues se sa një kriminel i përdorur nga Basha, dhe pastrimi i kësaj historie, është shqetësimi ndërkombëtar se Basha po përdoret nga Rusia, për një fushatë destabilizmi në Shqipëri. Është koha që Lulzim Basha të pastrohet deri në fund nga kjo akuzë, përmes drejtësisë.

Gazeta më prestigjioze britanike “Indepedent’, ka sot një shkrim të detajuar, nga një ish- ministër britanik për çështjet europiane, i cili kërkon hetim ndërkombëtar për Lulzim Bashën, si njeri për të cilëin Rusia ka paguar gati 1 milionë dollarë përmes një kompanie off-shore dhe që synon destabilizimin e vendit për interesa ruse. Ai shpjegon hapat që Lulzim Basha ka ndërmarrë, duke kundërshtuar reformën në drejtësi, duke kundërshtuar komisioneren Mogherini dhe duke e fyer atë, duke kundërshtuar hapjen e negociatave dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë pjesë e BE dhe jo zonë influence e Rusisë.

Akuzat që Bashës po i vijnë nga Perëndimi janë shumë më të rëndësishme për të kuptuar lojërat e tij të pista këtu brenda.

Guximi për të përdorur kriminelë ordinerë në skema filmash policeskë, janë ana banale e tij dhe shenjë e pafuqisë reale si lider politik.

Një politikan i rëndësishëm ka fuqi të mjaftueshme për të shkaktuar trazira në vend, biles dhe për ta destabilizuar atë me fuqinë e tij politike. Shqipëria njeh fatëkeqësisht plot raste të tillë.

Problemi që ka Lulzim Basha është pafuqia e tij për t’iu përgjigjur dhe detyrimeve që ka në këtë fushë. Ai është i pafuqishëm dhe për gjëra të tilla. Destabilizimi vjen nga liderë popullorë, të besueshëm dhe me energji qoftë dhe negative për të përmbysur. Sali Berisha ka qenë fatkeqësisht një i tillë. Lulzim Basha e vetmja gjë që di të bëjë prej katër vjetësh në opozitë, është të trajnojë Durim Banin, si vrasës të porositur për Tom Doshin dhe të  trajnojë këtë bashkëpunëtorin si shok të Agron Xhafajt.

Një vit më parë në këtë orë, pasi rraskapiti Shqipërinë për tre muaj, duke bërë betejë të egër kundër Brukselit, në çadrën për të cilën kishte vetëm mbështetje ruse, hyri në një takim të gjatë me Edi Ramën e veshur me tuta, dhe doli prej andej me shumicën e qeverisë vetëm që të pranonte të hynte në zgjedhje.

Pas një muaji humbi thellë dhe sot pas një viti, takimi më i rëndësishëm i tij dhe shpresa e vetme e tij, është një trafikant i trajnuar për të inskenuar. Ky është një zhgënjim jo vetëm për demokratët dhe Perëndimin, që ka në dorë më shumë informacione se sa Basha për këtë çështje, plus dhe kasetën fallco të tij, por edhe për rusët, të cilëve duket se po iu ikën lekët dëm në Shqipëri tek ky njeri.

Pas këtyre akuzave që po i vijnë nga Perëndimi, e vetmja gjë që e pastron Lulzim Bashën, është procesi penal. Ashtu siç ai këmbënguli që Fatmir Xhafaj të dorëzonte vëllain para drejtësisë për akuzat, ai po vetë, duhet tani t’i dorëzohet drejtësisë për akuzat që po i vijnë nga SHBA dhe Perëndimi, si dordolec i paguar me para ruse në Shqipëri. Këto historitë e përdorimit të kriminelëve janë detaje nga puna e tij.  Dhe kur të pastrohet, aty e ka këtë trafikantin nga Vlora, le të bëjë kaseta të tjera.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Zelensky: Nuk kemi forca për të rimarrë Krimenë dhe Donbasin! Rusia: Të hapur ndaj propozimeve nga i dërguari i Trump

Zelensky: Nuk kemi forca për të rimarrë Krimenë dhe Donbasin! Rusia: Të hapur ndaj propozimeve nga i dërguari i Trump