Që prej orëve të pasdites, dhjetëra mjete të tonazhit të rëndë, të ngarkuara me mallra nga Shqipëria drejt Kosovës dhe vendeve të rajonit, janë bllokuar në kolonë, duke pritur të kryejnë procedurat e hyrjes në territorin kosovar.

Drejtuesit e kamionëve, kryesisht transportues nga Kosova, thonë se kjo situatë është kthyer në një problem të përditshëm, veçanërisht gjatë orëve me fluks më të lartë. Sipas tyre, vonesat në këtë pikë kufitare po shkaktojnë jo vetëm humbje kohe, por edhe kosto shtesë për transportin e mallrave.

Ata shprehen se në shumë raste detyrohen të presin për më shumë se një orë, ndërsa nuk mungojnë as rastet kur pritja zgjat edhe më tepër. Sipas drejtuesve, shkaku kryesor i krijimit të radhëve lidhet me funksionimin vetëm me një korsi në hyrje për në Kosovë, çka ngadalëson ndjeshëm përpunimin e mjeteve të tonazhit të rëndë.

Po ashtu, shoferët ngrenë shqetësimin për numrin e kufizuar të doganierëve në shërbim, duke theksuar se stafi i pakët nuk arrin të përballojë fluksin e lartë të automjeteve në orët e ngarkuara. Një tjetër problem, sipas tyre, janë edhe ndërprerjet apo rënia e sistemit elektronik, që në jo pak raste sjell bllokim të përkohshëm të procedurave dhe shton më tej kohën e pritjes.

“Ndoshta ska sistem. Po hyjnë pa rradhë shumë makina. Po punojnë ngadalë. Unë kam 1 orë e gjysmë në trafik. ” tha një prej shoferëve për mikrofonin e Report TV

Radha e mjeteve të tonazhit të rëndë është shtrirë deri në fshatin Morinë, ku kamionët janë parkuar në të dy anët e rrugës, duke krijuar një pamje të zakonshme për këtë aks kufitar. Kolona e gjatë e automjeteve jo vetëm vështirëson lëvizjen në zonë, por krijon edhe shqetësim për drejtuesit, të cilët përballen çdo ditë me vonesa të përsëritura në një nga pikat më të rëndësishme të qarkullimit të mallrave mes Shqipërisë dhe Kosovës.