Rajoni separatist në Moldavi ndien pasojat e mungesës së gazit rus

Rajoni separatist në Moldavi ndien pasojat e mungesës së gazit rus

Tubacioni i gazit natyror në Ugheni të Moldavisë

Ndërprerja e një prej rrugëve kryesore të transportit të gazit rus për në Evropë, po ndihet më shumë në një rajon të vogël separatist në Moldavi. Rajoni, përgjithësisht rusishtfolës, ka mbajtur sytë prej dekadash nga Moska, duke i varur shpresat tek mbrojtja e saj.

Separatistët e mbështetur nga Rusia u shkëputën nga Moldavia kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë në fillimet e viteve 1990, duke fituar një pavarësi de facto për rajonin me një popullsi prej rreth 450 mijë banorësh, të njohur si Transnistria.

Rusia mban atje rreth 1500 forca ushtarake dhe e ka furnizuar rajonin prej kohësh me gaz të lirë. Kjo përfundoi në ditën e Vitit të Ri, kur Ukraina, pas gati tre vitesh pas fillimit të sulmit frontal nga Rusia, refuzoi të rinovojë marrëveshjen për tranzitin që i mundësonte Rusisë kalimin e gazit drejt Evropës qendrore dhe lindore.

Pasojat për Transnistrian u ndjenë menjëherë. Të mërkurën u ndërpre furnizimi me gaz për ngrohjen e shtëpive dhe të ujit. Të enjten autoritetet njoftuan se ishte ndalur prodhimi në të gjitha sipërmarrjet industriale, me përjashtim të prodhimit të ushqimeve.

Kur u ndërpre gazi në kompleksin e tij të apartamenteve shumëkatëshe në Tiraspol, qyteti kryesor i rajonit, 54-vjeçari Boris nxori nga garazhi një sobë elektrike të epokës sovjetike. Soba siguron nxehtësi të mjaftueshme për të gatuar dhe për të ngrohur kuzhinën, ndërsa një ngrohës elektrik ngroh dhomën e gjumit.

"Unë dhe bashkëshortja ime kemi të ardhura të qëndrueshme dhe fëmijët tanë do të na ndihmojnë. Por, pensionistët e vjetër?", i tha agjencisë së lajmeve Reuters Borisi, i cili nuk pranoi të identifikohej me emrin e tij të plotë. “Çfarë do të ndodhë me ta nëse u fiken sobat me gaz?”.

Një tjetër banor i Tiraspolit tha se nuk kishte ndjesi paniku, por njerëzit rrinin në radhë, ndonjëherë me dhjetëra prej tyre, për të blerë ngrohës elektrikë dhe soba.

Disa banorë vendas i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se ishin të shqetësuar se çmimet për mallrat thelbësore, si buka dhe makaronat - si dhe batanijet - ishin rritur që nga e mërkura.

MOSMARRËVESHJE PËR PAGESAT

Rusia dërgonte rreth 2 miliardë metra kub gaz në vit në Transnistria - përfshirë një termocentral që ofron energji për të gjithë Moldavinë, një vend me 2.5 milionë banorë që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Krahas mosmarrëveshjes së tranzitit të gazit me Ukrainën, kompania ruse e energjisë Gazprom GAZP.MM kishte thënë më 28 dhjetor se do të ndalte furnizimin me gaz për Moldavinë më 1 janar, për shkak të 709 milionë dollarëve borxheve të papaguara për gazin, që Rusia thotë se i detyrohet Moldavia. Moldavia e kundërshton këtë dhe e ka përcaktuar borxhin në 8.6 milionë dollarë.

Jonathan Eyal, drejtor ndërkombëtar në organizatën studimore RUSI në Londër, tha se objektivi i Rusisë ishte të krijonte trysni ndaj Moldavisë, të nxiste probleme ndërmjet qeverisë qendrore dhe Transnistrias dhe ta shndërronte krizën energjetike në një krizë politike.

Ai tha se është në interesin e Moldavisë që ta ndihmojë rajonin separatist, pavarësia e vetëshpallur e të cilit nuk njihet nga asnjë vend dhe banorët e të cilit i konsideron si qytetarë të saj. Por Moldavisë do t’i duhet të paguajë për gazin që mund të dërgohet në Transnistria, dhe kjo mund të nxisë mosmarrëveshje të mëtejshme.

"Nuk ka dyshim se qeveria do të dëshironte të ndihmonte. Pikëpyetja është nëse separatistët do të duan ta pranojnë ndihmën dhe nëse ky mund të jetë një prelud për një mosmarrëveshje shumë më të madhe, në vend që të jetë fillimi i një marrëdhënieje të mundshme bashkëpunimi", tha ai në një intervistë.

"Nuk kam asnjë dyshim në mendjen time se Moska tani po mbështet mundësinë që kriza thjesht të shtonte vëmendjen drejt lëvizjes separatiste brenda Moldavisë".

Rusia fajëson Ukrainën për ndalimin e tranzitit të gazit dhe thotë se do të përfitojnë Shtetet e Bashkuara - duke i shitur më shumë gaz Evropës. Moska mohon përdorimin e gazit si mjet për të shtuar trysninë ndaj Moldavisë, por tha muajin e kaluar ndërsa po afronte ndërprerja e gazit, se do të merrte hapa për të mbrojtur qytetarët dhe ushtarët e saj në Transnistria dhe se do "të reagonte në mënyrë adekuate ndaj çdo provokimi".

Kryeministri i Moldavisë, Dorin Recean tha të premten se ndërprerja e gazit rus në Transnistria kishte krijuar një krizë për vendin e tij.

"Ne e trajtojmë këtë si një krizë sigurie, që synon të mundësojë rikthimin e forcave pro-ruse në pushtet në Moldavi dhe përdorimin e territorit tonë kundër Ukrainës, me të cilën ne ndajmë një kufi prej 1200 km", tha ai.

‘RUSIA NUK DO TË NA BRAKTISË’

Në Transnistria, autoritetet po përdorin rezervat e mbetura të gazit dhe furnizimi i apartamenteve ende po vazhdon pjesërisht, në mënyrë që njerëzit të mund të gatuajnë ushqim. Termocentrali kryesor ka kaluar nga përdorimi i gazit tek qymyrguri.

Në Rybnitsa, një qytet me rreth 50 mijë banorë në Transnistrian veriore, 52-vjeçarja Alla tha se kishte ndezur një zjarr në një dhomë të shtëpisë së saj dhe se vetëm "vullneti i Zotit" do ta rikthente gazin.

Në Bender, një qytet me 90 mijë banorë, Maria Zolotukhina, 32 vjeçe, tha se punëdhënësi i saj i kishte thënë të qëndronte në shtëpi, ku po përdorte një ngrohës elektrik.

Ajo nuk e dinte nëse do të vazhdonte të paguhej, por tha se beson se do t’i shpëtojë Rusia.

"Ne jemi aleatë të Rusisë, pavarësisht rrethanave. Dhe ne shpresojmë që Rusia nuk do të na braktisë", tha ajo./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Ushqimi falas në shkollat e Tiranës, Veliaj: Njësoj siç kemi bërë me çerdhet dhe kopshtet

Ushqimi falas në shkollat e Tiranës, Veliaj: Njësoj siç kemi bërë me çerdhet dhe kopshtet