Anëtari i LSI në KQZ, Veleshnja, por edhe avokati i deputetit Ardian Visha u shprehën se ka shumë paqartësi në informacionin e prokurorisë, prandaj kërkojnë të dhëna shtesë dhe sqarime. “Për herë të parë ndeshemi me termin raportim policor. Në një stacion policie mund të shkojnë shumë raportime brenda ditës më pas vendoset nëse do të ketë procedime. Në pjesën e dytë të akuzës thuhet ‘të dhënat e përcjella nga drejtësia italiane, por nuk thotë kujt institucioni i referohet’. Sqarimi i këtyre dy momenteve është shumë me rëndësi” tha Veleshnja.
Ndërsa avokati mbrojtës shtoi se “Nuk ka asnjë masë sigurie ndaj Rehovës, asnjë hetim, asnjë vendim fajësie, asnjë dëbim dhe asnjë urdhër ndërkombëtar arresti. Në këto kushte është inekzistente përmbajtja dhe veprimi i prokurorisë. Ç’kupton prokuroja me raportim policor?” u shpreh Visha. Gledion Rehovica akuzohet për vjedhje në Itali në 1999 dhe deklarim të rremë të identitetit. I pranishëm në seancën e sotme ai u shpreh se nuk i kujtohej ngjarja, por nuk ka fshehur asgjë.
“Kam qenë student për shkenca politike në Itali në atë kohë. Nuk e kujtoj me detaje këtë histori, por s’kam asgjë për të fshehur. S’kam pasur në asnjë moment urdhër ndalimi, arrestim apo gjykim në Itali. S’kam ndërmend të fsheh asgjë” u shpreh deputeti i LSI. E njëjta tablo ishte edhe për rastin e Aqif Rakipit, për të cilin KQZ vendosi shtyrjen e vendimit për ditën e premte pas marrjes së informacioneve shtesë nga prokuroria. Rakipi nuk ishte i pranishëm, por avokati i deputetit të PDIU, Dhori Sollaku pas kërkesës drejtuar prokurorisë se duhet të sjellë të gjitha aktet ku e mbështet vendimmarrjen shtoi se argumenti më i fortë është se ky vendim është bërë pa certifikimin e prokurorit të përgjithshëm.
“Gjithë ky material duhet të certifikohen medoemos nga kryeprokurori. Nëse nuk pranohet kjo, ne kemi dhe kërkesa të tjera lidhur me dosjen. Është shumë e domosdoshme që KQZ t’i kërkojë Prokurorisë cilat nga pikat e nenit 2 të Dekriminalizimit kap deputetin, sepse ligji parashikon se nuk mund të kandidosh apo duhet të të ndërpritet mandati, kur je dënuar. Kjo nuk ekziston, Prokuroria duhet të sjellë aktet ku e mbështet këtë vendimmarrje. Duhet të qartësohet situata. Çdo pretendim i ngritur nga akuza duhet të shoqërohet me një akt”.
Për deputetin e PDIU-së, Rakipi Interpol Roma thotë se ai është raportuar për vjedhje me emrin Skënder Ejylbegaj. Vjedhja në fjalë ka ndodhur në 03.11.1998, kohë kur deputeti ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ka qenë emigrant në Itali. KQZ kërkoi informacion shtesë edhe për kreun e bashkisë Pogradec, Eduart Kapri edhe pse sipas Prokurorisë nuk preket nga ligji i dekriminalizimit, ndërsa me vendim të KQZ ish-deputetet Mhill Fufi dhe Omer Mamo nuk preken nga ligji.
Zhvillimet nga mbledhja e KQZ
Ora 13:30 KQZ shpëton ish-deputetin e PD, Mhill Fufi: Nuk preket nga Ligji i Dekriminalizimit
Gjashtë anëtarët e KQZ kanë votuar pro ish-deputetit Mhill Fufi, duke e shpëtuar atë nga hetimi, me pretendimin se nuk preket nga Ligji i Dekriminalizimit. Gjithashtu, është votuar pro ish-deputetit Omer Mamo, ndërsa është shtyrë shqyrtimi i kërkesës për kryebashkiakun e Pogradecit, Eduart Kapri.
Ora 13:10 KQZ shtyn me 4 vota pro e 2 kundër shqyrtimin për mandatin e Aqif Rakipit
Ora 13:00 KQZ shqyrton kërkesën për Rakipin, avokati Theodhori Sollaku: Vendimi të çertifikohet nga Kryeprokurorja
Nuk ka çështje për të investuar nga KQZ. Shkresa që ka ardhur nga prokuroria nuk është nënshkruar nga personi. Dekriminalizimi përmend dy emra, Prokuroria e Përgjithshme dhe prokurori, është ky i fundit që ja dërgon kërkesën KQZ. Në këto kushte, KQZ nuk duhet ta kishte caktuar këtë seancë. Ka qenë detyra e KQZ t’i kthente mbrapsht kërkesën Prokurorisë për informacion shtesë. Argument më i fortë është se ky vendim pa certifikimin e prokurorit të përgjithshëm është bërë në situatën kur drejtuesit kanë ndryshuar pozicionet. Gjithë ky material duhet të certifikohen medoemos nga kryeprokurori. Nëse nuk pranohet kjo, ne kemi dhe kërkesa të tjera lidhur me dosjen. Është shumë e domosdoshme që KQZ t’i kërkojë Prokurorisë cilat nga pikat e nenit 2 të Dekriminalizimit kap deputetin, sepse ligji parashikon se nuk mund të kandidosh apo duhet të të ndërpritet mandati, kur je dënuar. Kjo nuk ekziston, Prokuroria duhet të sjellë aktet ku e mbështet këtë vendimmarrje. Duhet të qartësohet situata. Çdo pretendim i ngritur nga akuza duhet të shoqërohet me një akt.
Ora 12:55 Kryetari Zguri: Në datë 5 është fati i fundit ligjor qe prokuroria te sjelle informacion per Rehovicen
Ora 12:55 Denar Biba: Duhet të vendosim një afat për prokurorinë për informacion, që duhet të jetë data 5 Janar. Kërkoj që tani e në vazhdim të jetë Kryeprokurorja që të komunikojë direkt me KQZ, jo përmes prokurorëve.
Ora 12:50 Miratohet me 4 vota pro dhe 2 kundër kërkesa e anëtarit të LSI për shtyrjen e seancës për deputetin Rehovica, KQZ: Kërkojmë informacion shtesë nga prokuroria. Votimi, PS dhe LSI bashkojnë votat për Rehovicën, PD kundër (Shtjefni dhe Zguri) mungoi Osmanaj
Kryetari Zguri: Do të hedh në votim propozimin e Veleshnjes. Unë besoj se verifikimi i të dhënave janë kompetencë e prokurorisë.
Ora 12:45 Deputeti Rehovica: Kam qenë student në Romë për Shkenca Politike në 1999, nuk e kujtoj me detaje atë histori, por nuk kam fshehur asgjë. Nuk kam pasur ndalim, arrestim apo gjykim në Itali
Avokati Visha: Nuk është thirrur. Ka thirrur subjekte të tjera, por ne jo. Ka një kontrast, nga njëra anë ka mbajtur të tejzgjatur praktikën edhe pse ka pasur 4 përgjigje negative nga Interpoli, por pasi mori përgjigjen e fundit reagoi.
Ora 12:40 Veleshnja: Jeni thirrur për të dhënë shpjegimet për rastin
Avokati Visha: Përgjigja është negative. Nuk ka fshehur asgjë dhe nuk ka pasur interes, pasi vepra nuk përbën pengesë, dha me vullnet gjurmët e gishtërinjve.
Denar Biba: Po për emrin Kusta Mina? E keni dhënë diku këtë identitet?
Ora 12:35 Avokati Visha: Askund nuk thuhet se ka pasur një fillim të çështjes penale
Denar Biba: Keni dijeni për raportin policor, ku shfaqeni me emrin Kusta Mina?
Deputeti Rehovica: Patjetër, të dy së bashku
Denar Biba: Subjekti ka pranuar të paraqitet ndryshe nga të tjerë. Avokati i tij ka qenë ish-drejtori për marrëdhëniet me jashtë në prokurori. Pyetja për subjektin? Do të flisni?
Ora 12:30 Avokati Visha: Pranoj që të mbroj në këtë proces deputetin. Ndaj gjithçka tha zoti Veleshnja mbështes. Kemi vërejtje të shtuara. Zhvendosja e prokurorit të ri të përkohshëm dhe delegimi i kompetencave nga prokurorja Gashi duhet parë. Ajo është degraduar nga pozicioni dhe kjo përbën shkak dhe jo pasojë për ne. Në nuk ka asnjë të dhënë nga ato që janë shkruar.
Nuk ka asnjë masë sigurie ndaj Rehovës, asnjë hetim, asnjë vendim fajësie, asnjë dëbim dhe asnjë urdhër ndërkombëtar arresti. Në këto kushte është inekzistent përbmbajtja dhe veprimi. Ç’kupton prokuroja me raportim policor?
Deputeti Gledion Rehovia: Deklaroj që për pjesën ligjore do të përfaqësohem nga avokati Ardian Visha
Ora 12:25 Njazi Kosovrasti: Jam dakord me propozimin e Gëzim Veleshnjës.
“Cdo gjë që është në funksion të sqarimit ju bën mirë të gjithë palëve. Duhet një informacion shtesë për të zgjidhur këtë problem dhe pastaj të vendosim nëse iu duhet hequr mandati deputetëve apo jo. Duhet të votohet për propozimin. Jam dakord me propozimin e Gëzim Veleshnjës.
Ora 12:20 Denar Biba: Me këtë rast kërkojmë info shtesë nga prokuroria edhe për kryebashkiakun Kapri
Ora 12:20 Gëzim Veleshnja: Prokuroria të sqarojë dyshimet
Për herë të parë ndeshemi me termin raportim policor. Në një stacion policie mund të shkojnë shumë raportime brenda ditës më pas vendoset nëse do të ketë procedime. Në pjesën e dytë të akuzës thuhet ‘të dhënat e përcjella nga drejtësia italiane, por nuk thotë kujt institucioni i referohet’. Sqarimi i këtyre dy momenteve është shumë me rëndësi.
Ora 12:20 Nënkryetari i KQZ, Denar Biba: Duhet të vendosim për shtyrjen
Ne po bëjmë procedurat, sepse nuk kemi procedura. Edhe ligji përkatës nuk parashikoi procedura, ne jemi organi vendimmarrës. Na duhet të vendosim për kërkesën e kolegut.
12:15 Gëzim Veleshnja nga LSI: Të shtyhet seanca, kerkojme me shume informacion nga prokuroria
Vendimi i Akuzës ka shumë probleme, që lidhen me ligjin dhe procedurën, për këtë arsye kërkoj që ta kthejmë materialin që bën fjalë për deputetin Rehovica, prokuroria duhet të sqarojë; cfarë kuptojmë me terim raportim policor? A në Itali një procedim të nisur? Prokuroria të sqarojë kush janë autoritetet e drejtësisë italiane dhe cfarë informacionesh kanë sjellë ato? Kërkoj që prokuroria të na tregojë cila është baza ligjore materiale e cila e ka orientuar deri përfundimit që kërkon ndërprerjen e mandatit të Rehovicës? Nëse i gjeni të pranishme pretendimet që kam unë ta votojmë?
12:10 Administrata e KQZ: Rehovica fshehu ndalimin ne Itali
Rehovica i ndaluar për vjedhje në Itali në 1999, deklaroi identitet të rremë Kusta Mina. Përfshihet në kushtet e ndalimit të funksionet në Kuvendin e Shqipërisë. Rehovia ka paraqitur të dhëna të rreme në formularin e vetëdeklarimit.
12:05 Debati në KQZ për mandatin e dy deputetëve
Njazi Kosovrasti: Ne jemi këtu për të folur. Ne do të japim mendimin tonë, do flasim...
12:00 Në seancë i pranishëm vetëm deputeti i LSI Rehovica, mungon Rakipi PDIU. Në seancë mungon dhe anëtari i PD në KQZ, Hysen Osmanaj.
dy.b/d.c/shqiptarja.com