TIRANE-Tre deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Ralf Gjoni, Enver Roshi dhe Eljo Hysko janë infektuar me COVID. Ralf Gjoni, i cili nuk ishte në Kuvend në seancën e djeshme thotë se pas tre ditësh temperaturë dhe gjendje gripale, dje bëri tamponin ku mësoi se ishte pozitiv. Deputeti shprehet se është mirë dhe drejt rikuperimit. Infektimi do ta kushtëzojë që të marrë pjesë pas dy ditësh në votimin për hapjen e listave. Ralf Gjoni kërkon nga qytetarët që të mbrohen duke respektuar masat dhe të mos dalin pa maskë.

"Dje kam rezultuar pozitiv me Covid 19 pas tre ditësh temperature të lehtë e gjendjeje gripale. Sot jam më mirë dhe me sa kuptoj, drejt rikuperimit. Mirënjohje të thellë për gjithë mjekët e komunitetin mjekësor që po përballet çdo ditë me këtë ‘armik’ të panjohur më parë. Gjatë dy javëve të ardhshme do qëndroj në izolim total në shtëpi për të mbrojtur të tjerët. Me sa duket praninë fizike në javën më kyçe të angazhimit tim parlamentar, atë të hapjes së listave, do ma mohojë një virus i padukshëm.

Sidoqoftë, mbetem më i përkushtuar se kurrë në distancë dhe ne kontakt të vazhdueshëm. Kam kuptuar nga bisedat me mjekë e kolegë që gjatë dy javëve të shkuara, virusi është përhapur me shpejtësi të frikshme pa u ndjerë fare. Kjo përhapje ka ndodhur në ambjente publike, dhe patjetër edhe në institucione shtetërore, përfshirë parlamentin. Njerëzit po tregohen të pakujdesshëm dhe po refuzojnë të kuptojnë se Covid19 do disa ditë që të inkubohet në trup. Në momentin që jep shenjat e para, ju mund të keni qenë i infektuar prej ditësh dhe ndërkohë mund t’ia keni kaluar virusin familjarëve e miqve të afërt.

NDAJ KUJDES MAKSIMAL!
Mos dilni në ambjente publike pa maskë. Lani duart pa pushim. Nëse keni shenjën më të vogël si temperaturë e lehtë, dhimbje koke, gricje fyti, ethe, djersitje natën, dhimbje trupi, kollë, bllokim hundësh, humbje e nuhatjes/shijes apo çdo shenjë tjetër gripale, duhet të karantinoheni e të kërkoni kryerjen e tamponit. Mos e neglizhoni miq. Disa do e kalojnë lehtë, e disa të tjerë do rrezikojnë jetën. Përgjegjshmëria e secilit prej nesh gjatë 2-3 javëve të ardhshme duhet të jetë në nivelet maksimale
" shkruan ai. Sot rezultoi pozitiv me COVID dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. 

Pas konfirmimit pozitiv me koronavirus të disa deputetëve, Kuvendi  ka sqaruar disa nga masat që janë marrë në kuadër të parandalimit të këtij virusi brenda mureve të organit ligjvënës. Në njoftimin e shpërndarë për mediat, sqarohet se Kuvendi që prej fillimit të pandemisë ka respektuar masat, duke kryer online komisionet dhe duke dezinfektuar rregullisht të gjitha ambientet brenda.

Gjithashtu, për të parandaluar përhapjen e pandemisë  është reduktuar kohëzgjatja e seancave plenare si dhe koha e diskutimeve.  Ashtu sikurse kemi parë edhe në fillim të seancave plenare, deputetët në sallë mbajnë maska dhe ulen duke respektuar distancën fizike, duke shfrytëzuar  për këtë qëllim edhe mjediset e tjera të sallës së seancave, galerinë dhe llozhat. 

Ky sqarim për masat e marra nga Kuvendi, vjen pasi u konfirmuan me koronavirus deputetët Ralf Gjoni, Eljo Hyska dhe Enver Roshi. Ndërkohë më parë ka qenë edhe vetë kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka bërë që apel për të gjithë qytetarët që të rrisin kujdesit për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Ai tha se virusi agresiv po rrëzon ditë për ditë shpresat e njerëzve se pandemisë po vjen fundi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:31
Infektohet me COVID-19, deputeti Roshi për Report TV: Respektoni masat, e keni vetë shëndetin në dorë

Deputeti i opozitës parlamentare dhe njëherësh kreu i komisionit të shendetësisë, Enver Roshi në një reagim për Report Tv,  shprehet se e ka të pamundur t'i përgjigjet të gjitha telefonatave të miqve të afërmve, të shqetësuar për shëndetin e tij.

Roshi i bën apel qytetarëve të bëjnë kujdes dhe të respektojnë të gjitha masat që janë thënë, në mënyrë që të ruajnë shëndetin e tyre. Duhet kujdes maksimal shprehet Roshi dhe për këtë secili nga qytetarët e ka vetë në dorë.

"Në pamundësi të përgjigjes të telefonatave të panumërta të shqetësimit të drejtë dhe të sinqertë të gjithë miqve dhe të afërmve të mi kërkoj mirëkuptimin vllazëror të tyre që nuk mund të komunikoj në tel! Porosia ime është që tani çdo gjë është në dorë të qytetarëve!! Mos e lini shëndetin në duart e të tjerëve, por ruajuni. Masat janë thënë e stërthënë nuk ka mbetur gjë pa thënë e shkruar! Duhet kujdes!", shprehet Roshi për Report Tv

Ora 11:53
Infektohen me COVID edhe dy deputetë të tjerë të Kuvendit

Rezultojnë të infektuar me COVID edhe dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Përveç Ralf Gjonit janë infektuar edhe Eljo Hysko nga PS-ja dhe Enver Roshi, që u fut nga listat e LSI-së.