Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është prekur nga koronavirusi. Lajmin e ka konfirmuar vetë ai nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ku thotë se pavarësisht kësaj do të vazhdojë të punojë për Tiranën nga shtëpia.

"Miq, pas testit më njofuan se dola pozitiv nga covid-19. Jam në gjendje të mirë shëndetësore, ashtu si edhe familja ime. Por, nga sot do të vazhdoj të punoj me të njëjtin përkushtim për Tiranën nga shtëpia.

Askush prej nesh nuk është imun ndaj këtij virusi, ndaj JU LUTEM

JU LUTEM mos harroni të lani duart sa më shpesh dhe mbani maskë për të mbrojtur sa më shumë veten dhe familjarët tuaj!

Lus më të mirën për familjet tuaja! Shëndet e dashuri të gjithëve dhe mirënjohje e thellë mjekëve heronj! Do shihemi sërish!"-shkruan Veliaj.

Ndërkohë pas këij lajmi në bashki është dezinfektimi i ambienteve të godinës, ndërsa përveç Veliajt nga shtëpia po punojnë edhe stafi i ngushtë i kryebashkiakut, që ka patur kontakte të ngushta me të.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:25
Meta mesazh Veliajt: Uroj që të shërohesh sa më shpejt nga COVID-i

Kur bëhet fjalë për shëndetin harrohet lufta politike. Presidenti Ilir Meta i ka uruar shërim të shpejtë nga COVID-i kryebashkiakut Erion Veliaj, që njoftoi sot se është prekur nga sëmundja. "Duke i uruar shërim sa më të shpejtë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj dhe shëndet të plotë familjes së tij, apeloj me forcë rëndësinë jetike të respektimit të protokolleve shëndetësore, si dhe rritjes së efikasitetit të masave mbrojtëse përmes ndërgjegjësimit, transparencës dhe gjithëpërfshirjes, për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pandemisë COVID-19.

Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur, fatkeqësisht edhe të numrit të viktimave, shtrojnë si domosdoshmëri një strategji më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të zbatojnë udhëzimet e bëra publike për mbajtjen e maskave dhe respektimin e distancave fizike, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik.

Gjithashtu, është tepër e nevojshme garantimi i masave mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari" thotë Meta.