Rama: Auditim ndërkombëtar
financave të shtetit brenda vitit

Rama: Auditim ndërkombëtar<br />financave të shtetit brenda vitit
TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste mblodhi sot Asamblenë Kombëtare për të falenderuar të gjithë për fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit, duke nënvizuar disa herë se me këtë mandat populli ka vënë të majtën para një sfide të jashtëzakonshme: "Ose të bëjmë histori ose pas 4 vitesh të ndëshkohemi në mënyrë historike” .

Në një fjalim që zgjati gati 60 minuta, si kryeministër i Shqipërisë i dalë nga vota e popullit Rama e quajti një sfidë të jashtëzakonshme qeverisjen “për një realitet ku kudo që të hedhësh sytë duhet ndryshim" dhe ku "jemi thirrur për të ndërtuar shtetin modern pa përsëritur gabimet e bëra në 8 vite nga PD por dhe as gabimet e bëra nga PS, në 2005, që e kthyen në opozitë."

Rama foli për prioritete urgjente dhe të një rëndësie parësore të qeverisjes me të  marrë pushtetin në shtator, ku ai si kryeministër i vendit do të angazhohet personalisht.

“Na duhet një kryeministër për punë e jo përfundim punimesh.  Unë do përmbush me përpikmëri detyrën kushtetuese për të drejtuar qeverinë por i konsideroj çështje të një rëndësie parësore kombëtare dhe prioritete urgjente cështjen e ujit, legalizimeve, mbrojtjes së tokës dhe klimës së biznesit dhe për këto çështje do angazhohem personalisht” 

Vuri theksin dhe tek një auditim ndërkombëtar të financave të vendit për të bërë një pasqyrë të Shqipërisë reale me atë të imagjinares.

“Na duhet të auditojmë sistemin shtetëror shqiptar për të pasur një pasqyrë të Shqipërisë reale dhe për të mos vazhduar betejën politike me dy pasqyra, një pasqyrë e Shqipërisë reale, sipas nesh dhe asaj imagjinare sipas opozitës. Një auditim ndërkombëtar i financave dhe të dhënave të ekonomisë shqiptare brenda këtij viti.

Është një proces i domodoshëm për të hedhur bazat e një qeverisjeje përmes së vërtetës dhe për t’u ndarë nga e gënjeshtërta. Është një proces që është kthyer në model suksesi në Sllovaki. Ne duhet ta bëjmë me cdo kusht”- nënvizoi kreu i PS-së përpara 260 anëtarëve të pranishëm në Asamble që u zhvillua tek lokal "Xibraku".

Ai i tërhoqi vëmendjen kryeministrit në detyrë të kalojë në fazë kujdestarie, dhe u bëri thirrje subjekteve që përfshihen në bashkëpunim me këtë qeveri të mos e vazhdojnë bashkëpunimin, pasi "do jemi jashtëzakonisht të rreptë  me çdo produkt që lidhet pas zgjedhjeve të 23 qershorit. "

Rama foli dhe për rëndësinë e një administrate të ngritur mbi bazën e meritokracisë ku të ftohen dhe talentet që jetojnë jashtë, si dhe deri në shtator të hartohet një regjistër me burimet njerëzore që janë në dispozicion.

PJESE NGA FJALIMI I RAMES

RAMA: ASKUSH NUK E PRISTE KËTË REZULTAT, PERBALLE SFIDE E MADHE

Fjalimin e tij Rama e nisi duke thënë se shqiptarët me dhënien e votës i kanë vënë përballë një sfide të madhe PS dhe aleatëve të saj.
“Ne ishim të bindur në epërsinë e programit të skuadrës dhe të koalicionit tonë. Jua themi sinqerisht hapur, se askush nga ne nuk e priste këtë rezultat. Të gjithë besonim tek fitorja, por nuk mendonim se fitorja do të ishte kaq e thellë dhe shqiptarët do të na ngarkonin me një përgjegjësi kaq të madhe. Kjo fitore përbën një arsye edhe më të madhe sesa një humbje për të lexuar me shumë vëmendje rezultatin dhe për të kuptuar se çfarë kanë dashur të na thonë me këtë mandat që na kanë dhënë. Në thelbin e vet, kjo fitore është shumë e qartë; nuk është votë për të ndryshuar thjesht qeverinë, por për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë dhe këtu shqiptarët na vunë përballë një sfide të madhe, të cilën mund ta fitojmë së bashku si përfaqësues të PS dhe aleatët tanë, duke nisur nga aleati ynë strategjik, LSI. Do të fitojmë së bashku sfidën e jashtëzakonshme të qeverisjes përmes vlerave të atij programi që i drejtoi votuesit nga ne."- tha Rama.

RAMA: OSE BEJME HISTORI OSE PAS 4 VITESH DO NDESHKOHEMI NE MENYRE HISTORIKE
Ai e quajti një sfidë të jashtëzakonshme qeverisjen “për një realitet ku kudo që të hedhësh sytë duhet ndryshim".
"Jemi thirur për të ndërtuar shtetin modern”. "Nuk duhet të përsërisim gabimet e bëra në 8 vite nga PD”- nënvizoi Rama.
"Na duhet të biem me një mendje se ky nuk është mandat i radhës për një qeverisje të radhës dhe për një grup parlamentar të radhës, por ky është një mandat që ne na vendos përballë dy mundësish: Ose të bëjmë histori ose të ndëshkohemi pas 4 vitesh në mënyrë historike."

REFORMAT E DOMOSDOSHME SAPO TE MARRE QEVERINE NE SHTATOR
Rama renditi një nga një reformat e domosdoshme me të cilat do të punojë sapo të marrë në dorëzim pushtetin në shtator   
-Na duhet një reformë tërësore në funksion të sundimit të ligjit dhe një riorganizim i gjithë sistemit të administrimit të territorit, si pasuri kombëtare publike.
-Na duhet të nisim nga puna për një ndarje të re territoriale të Republikës në funksion të administrimit të ri të territorit.
-Na duhet të nisim nga puna të unifikojmë policinë në mbrojtje të qytetarit
-Na duhet ndarje drastike e menjehershme e policisë nga krimi dhe hapja e një beteje pa asnjë kompromis për të bërë që shteti të marrë në dorë territoret duke çuar drejt reduktimit shpërdorimet e pasurisë kombëtare për përfitime të kujtodoqoftë.
-Na duhet të vendosim në një mbrojtje të jashtëzakonshme ujrat, tokën dhe të gjithë burimet e energjisë.
-Na duhet të nisim menjëherë transparencën për të siguruar vendimmarrje të drejtë të procesit të çuarjes deri në fund të procesit të zgjidhjes së pronës.
-Na duhen me çdo kusht me shpejtësi legalizimet në zonat informale për të garantuar brenda këtij mandati inventarizimin e pasurisë por dhe të njerëzve.
 -Na duhet të auditojmë sistemin shtetëror shqiptar për të pasur një pasqyrë të Shqipërisë reale dhe për të mos vazhduar betejën politike me dy pasqyra, një pasqyrë e Shqipërisë reale sipas nesh dhe asaj imagjinare sipas opozitës. Një auditim ndërkombëtar i financave dhe të dhënave të ekonomisë shqiptare brenda këtij viti,  është një proces i domodoshëm për të hedhur bazat e një qeverisjeje përmes së vërtetës, për t'u ndarë nga e gënjeshtra. Është një proces që është kthyer në model suksesi në Sllovaki. Ne duhet ta bëjmë me çdo kusht.
-Në të njëjtën kohë të reformojmë administratën fiskale dhe të ndryshojmë sistemin e menaxhimit të doganave e taksave. Në mënyrë që paraja që publiku e adreson për intersat publike të shkojë në arkat e shtetit në sasi shumë më të madhe se shkon sot dhe nga ana tjetër të mos thithet në rrugët e arbitraritetit dhe dhunës ndaj sipërmarrësve.

PARTNERITET I NGUSHTE PRIVAT- SHTET
Rama foli dhe për një partneritet të ngushtë mes privatit dhe shtetit.
“Buxheti i shtetit nuk është zgjidhja e probleme ekonomike të vendit. Me buxhetin e shtetit nuk mund të plotësohen shërbimet në këtë vend, për të mbrojtur popullin shqiptar nga përmbytjet.... për këtë arsye partneriteti publik- privat duhet të kthehet në një mekanizëm aktiv dhe medoemos të sukseshshëm dhe jo me një fjalë goje që katandiset në koncesione si ato që fatkeqësisht vazhdojnë dhe sot."

BERISHA TË KALOJË NË FAZË KUJDESTARIE, QEVERIA TË MOS MARRE MË VENDIME
Rama i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, që të pajtohet me realitetin e imponuar nga populli sovran dhe të kalojë në një fazë kujdestarie, pa marrë më tutje vendime, si në funksion të vizionit apo të programit të tyre që u ndëshkua me votat e shqiptarëve.

“Jam i detyruar t’i bëj thirrje të gjithë subjekteve që përfshihen në bashkëpunim me këtë qeveri të mos e vazhdojnë bashkëpunimin. Ne do të jemi jashtëzakanisht të rreptë  me çdo produkt që lidhet pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Është e pamundur që një qeveri e ndëshkuar në mënyrë plebishitare nga populli të vazhdojë të marrë vendime mbi pasurinë e përbashkët të këtij populli mbi vazhdën e atyre e vendimeve që ishin arsye kryesore që e gjykuan këtë qeveri me votë më 23 qershor."

RAMA: NA DUHET NJE KRYEMINITER QE BEN PUNE, JO PER PERFUNDIM PUNIMESH
Rama foli dhe për ndërtimin e një qeverisjeje e cila të jetë model i ri ndryshe nga ai i qeverisjes së Berishës e ndëshkuar me votë më 23 qershor.  
"Shqiptarët ndëshkuan një model qeverisjeje, të konceptuar si shfaqja e një  njeriu të vetëm, dhe një trupë përfaqësuese që u soll me ta si trupë shurdh memecësh. Kjo duhet të mos përsëritet më. Ne kemi përgjegjësinë t’i japim shqiptarëve një model të ri komunikimi me opozitën dhe të gjitha grupet e interesit të këtij vendi."

"Na duhet një kryeministër për punë e jo përfundim punimesh.  Unë do përmbush me përpikmëri detyrën kushtetuese për të drejtuar qeverinë por i konsideroj çështje të një rëndësie parësore kombëtare dhe prioritete urgjente cështjen e ujit, legalizimeve, mbrojtjes së tokës dhe klimës së biznesit dhe për këto cështje do angazhohem personalisht”- tha Rama.

MINISTRI TE KETE PERGJEGJESITE E ADMINISTRIMIT,   RAMA: DEPUTETI JO ME LYPËS FONDESH
Rama foli dhe për domodosshmërinë e ndryshimit rrënjësor të modelit të ministrit dhe deputetit, nga modeli aktual.

“Kemi marrë vendim për të ndarë mandatin e deputetit me ministrit. Kjo është bërë që të punojnë ministra me kohë të plotë në krye të ministrive dhe deputetë që punojnë me orë të plotë të komunitetit që përfaqësojnë. Kjo është një zgjedhje e drejtë dhe vendosja në punë e një qeverie ku çdo ministër do të ketë përgjegjësi drejtëpërdrejtë individuale për ecurinë e çdo sektori dhe ku gjithë trupa parlamentare do të ketë përgjegjësinë kolegjiale e individuale për të ballafaquar ecurinë e punës së qeverisjes me interesat e komunitetit. Është e domodoshme të ndryshojmë rrënjësisht modelin e ministrit dhe deputetit në këtë vend. 
Deputeti nuk mund të jetë lypësësh fondesh në dyert e qeverive. Deputetët mund të marrin pjesë aktivisht në hartimin e buxhetit, por ne duhet të ndërtojmë figurën e një deputeti që nga kërkues fondesh e tenderash të kthehet në promotor të investimeve për hapjen e vendeve të reja të punës në të githë territorin e tij.
Po kështu skuadrat e rilindjes do të jenë skuadra që do të punojnë ditë natë për të promovuar qarkun e tyre, jo tek qeveria, por tek sipërmarrja vendase dhe e huaj.” theksoi Rama para drejtuesve të PS.

RAMA: KEMI MANDATIN PER TE BËRË ÇDO REFORMË, ASKUSH S’ KA MË ALIBI TË THOTE NUK BËHET 
“Lavdi popullit shqiptar kemi marrë një mandat për çdo reformë të mundshme dhe askush, unë i pari nuk ka më alibi të thotë: Këtu na bllokojnë, këtu nuk mundemi. Na kanë dhënë shqiptarët çdo përgjegjësi për të kthyer me vepra ato që i kemi thënë me fjalë. Brenda dy muajsh ne do gjykohemi me vepra. Është e domosdoshme, që deputetët të ndiejnë barrën e jashtëzakonshme të këtij mandati dhe të kuptojnë se nuk është e mundur që ecja drejt BE të realizohet si veprim i 2-3 individëve, por si skuadër, ku gjithkush ka misionin e vet.”

RAMA: DUHET TE NDERTOJME SKUADREN ME TE MIRE, SIPAS MERITOKRACISE
Rama foli për domosdoshmërinë e përzgjedhjes së burimeve njerëzore mbi bazën e meritokracisë duke kujtuar premtimin për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës.
 
“Ne s’do të harrojmë për asnjë çast askënd që ka dhënë kontribut për votën tonë, por nuk duhet të harrojmë se na kanë votuar 1 milionë shqiptarë dhe në këtë masë gjigande njerëzish duhet të kërkojmë më të mirët, të talentuarit, të zotët, ashtu si duhet të respektojmë zotësi për ata që nuk na kanë votuar.
Kemi premtuar hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës.   Kemi marrë votën me kërcënimin se do të përfundojmë më keq se kundërshtari ynë që k
ujtoj s’e e kishte futur popullin në xhep. Është e domosdoshme të jemi garantët e çdo vote. Të jemi garantët e çdo djali a vajze a zonje që meriton të vlerësohet se nuk ka mik kryetarin e bashkisë
Duhet të ndërtojmë skuadrën më të mirë. Ju jam mirënjohës. Përulësia, gadishmëria dhe zotësia që treguat në këtë fushatë.
Nuk jam naiv, nuk imagjinoj një botë që nuk ekziston. Flas për një botë që së bashkua ua kemi premtuar njerëzve dhe së bashku tua japim njerëzve. Një botë që nuk i ngjan qiellit por vendeve që kemi përreth Kroacisë që sapo hyri në BE apo të gjitha vendeve që e duan të hapin dyert për në BE. Duhet të jemi garant të çdo talenti apo njeriu të aftë në këtë vend. Do të jemi garant të çdo invidivi që sot gjendet në opozitë dhe i flakur në rrugë jo sepse nuk është i zoti të bëjë punën por sepse ka dashur të bëjë thjesht punën.
Apel publik të gjithë ata që duan ti shërbejnë këtij shteti dhe të jemi serioz në trajtimin e cdo cv të tyre. Me shpejtësi deri në shtator duhet të disponojmë listën e plotë të burimeve njerëzore që keni në dispozicion Ata që kanë kontribuar meritojnë një shans për të shërbyer por duhet të kuptojnë se vendi që ata duhet është vendi që ata i shërbejnë”

TRANSPARENCE TE PLOTE SHPERDORIMIT TE PUSHTETIT
“Në çdo qark e zonë të bëjmë transparencën e plotë të shpërdorimit të pushtetit. Çdo drejtues që ka kërcënuar, ka bërë presion dhe ka vendosur në kushte të vështirësisë psikologjike mësues, infermierë duhet të përgjigjet jo s’e duam ne, por të përgjigjet mbi bazën e dëshmive të njerëzve të kërcënuar e nën presion. Kemi premtuar ti japim fund mbylljes së dyerve të studentëve të opozitës.”  

EMIGRANTEVE TE MOS U KTHEJME SHPINEN, TE RIKTHEJME TALENTET
Duhet të jemi të vetëdijshmë për detyrën që kemi. Të promovojë më të mirët për të dhënë kontributin, sipas kualifikimit dhe kontributit që japin. Talenteve të këtij vendi t’i japim mundësinë e parë për të besuar se të jetosh në këtë vend nuk është domosdo me kë je i lidhur me këtë vend.
Gjithashtu ti krijojmë mundës reale të gjithëve që janë jashtë Shqipërisë për të dhënë kontribut në këtë shtet.
Emigrantët kanë ardhur si asnjëherë tjetër në fushatë. Nuk mund t’u kthejmë shpinën, apo të jemi meidokër si paraadhësit tanë me projekte si brain gain.  Ka talente, varet nga ne nëse ata do na besojnë dhe ne do të shfrytëzojmë ata.

SHQIPERIA REALISHT BUZE GREMINE, DUHET TE PUNOJME CDO DITE
"Sot nuk jemi në fushatë por Shqipëria është realisht buzë një gremine në të gjithë aspektet. Cdo inerci në sjellje politike në metodologjinë e qeverisjes dhe mënyrën e ndërtimit e menaxhimit është shtyrja drejt greminës. Duhet të jemi radikalë kur vjen puna tek menaxhimi i institucioneve. I kemi të gjitha mundësitë. Kjo fushatë më tregoi se ne nuk na mungojnë njerëzit. Siç kemi treguar se shqiptarët e zakonshëm presin nga ne t’i trajtojmë si njerëz jo si zgjedhës. Dhe këtu ne bëjmë diferencën, përndryshe i japim të drejtën të thonë se këtu të gjithë janë njësoj dhe të gjithë vazhdojnë të njëjtin avaz.  
Ju ftoj pa humbur kohë të përgatiteti duke punuar çdo ditë, që momenti i marrjes së stafetës të mos na gjejnë të papërgatitur pa baza të dhënash për burime njerëzore. Të mos na gjejë të mbyllur ndaj shoqërisë. Të mos na gjejë të papërgatitur për t’i ndarë detyrat dhe përgjegjësitë. Ajo që na kanë dhënë shqiptarët është e jashtëzakonshme do ia kthejmë me të jashtëzakonshme."

Rama e mbylli fjalën e tij duke falenderuar të gjithë për fitoren si dhe duke emëruar Taulant Ballën si anëtar të kryesisë së PS-së në vend të Arben Malajt i cili në zgjedhjet e 23 qershorit kandidoi si i pavarur. 
"Ju falënderoj me gjithë zemër për gjithë cfarë keni bërë, dhe në emër të vlerësimit të kontributeve edhe të nevojës formale për të plotësuar kryesinë e PS me vendin e lënë vakant kërkoi të përfshijë Taulant Ballën. Ai meriton duartrokitje sepse në rrethin e Librazhdit ka demonstruar një aftësi dhe vullnet që është përkthyer në rezultat të jashtëzakonshëm”

Asambleja Kombëtare numëron mbi 260 anëtarë. Në panel ishin ulur Gramoz Ruçi, Blendi Klosi, Taulant Balla,  Luiza Xhuvani dhe Mimoza Harito.

PAS ASAMBLESE RAMA POSTON NË FACEBOOK : U VOTUAM PER TE NDRYSHUAR SHQIPERINE, JO THJESHT QEVERINE
Bashkë me postimin e një fotoje nga mbledhja e sotshme e ansamblesë së PS, Rama ka shkruar edhe fjalët: "U votuam për të ndryshuar Shqipërinë, jo thjesht qeverinë. Në Asamblenë Kombëtare, ku ndër të tjera Kryeministri i zgjedhur ka kërkuar t’i gjejmë punës njerëzit, jo njeriut punën".
 
rama ansamble
 
(Foto: Asambleja Kombetare e PS-se)

Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ PSG vijon ‘traditën’, Dortmund e mposht 1-0 në gjysmëfinalen e parë

Champions League/ PSG vijon ‘traditën’, Dortmund e mposht 1-0 në gjysmëfinalen e parë