Komunikimin e parë pas nisjes së sezonit politik, Rama ia ka dedikuar kryetarit të ri të Kuvendit, Gramoz Ruçit dhe prezantimit të qeverisë së re nesër në Kuvend, pas marrjes së dekretit nga Presidenti Meta.
Shefi i ekzekutivit thekson se janë për të ardhur keq sulmet ndaj Ruçit, i cili sipas tij në krye të Kuvendit do jetë garant i bashkëjetesës mes qeverisë dhe opozitës.
Rama shton gjithashtu se Kuvendi nuk do jetë më klubi i ligjëratave pa rend dite dhe as vend për hesapet personale të kundërshtarëve politikë.
"Falë mbështetes tuaj të jashtëzakonshme do të kemi një qeveri të re, një koalicion me njerëzit e zakonshëm.
Dje kemi zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit, deputetin me përvojën më të gjatë parlamentare i cili do të jetë garant i bashkëjetesës mes qeverisë dhe opozitës në sallën e Kuvendit.
Keqardhje për sulmet e baltës ndaj kryetarit të ri të Kuvendit të cilët janë jehojnë e zbrazëtisë që ka karakterizuar opozitën për vite të tëra.
Megjithatë koha do ta tregojë në vazhdimësi për ndryshimin e cilësisë së Kuvendit që padyshim nuk do të jetë më klubi i ligjëratave pa rend dite, pa kufij etikë dhe kohor, në një lum fjalësh sipas hesapeve partiake e personale të ligjvënësve", u shpreh Rama.
"Nesër prezantoj qeverinë në Kuvend"
Më herët qeveria "Rama 2" mori dekretin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, ndërsa kryeministri Edi Rama do prezantojë nesër para Kuvendit ekipin e tij qeverisës dhe programin e 4 viteve të ardhshme.
Nga "Komunikimi Javor" Rama tha se pas marrjes së besimit nga Kuvendi të hënën, qeveria do nisë menjëherë punën.
Nesër në orën 10:00 do të marr fjalën në Kuvend për programin e qeverisë dhe pas marrjes së besimit nga Kuvendi qeveria do bëjë betimin dhe të nisë menjëherë me mbledhjen e parë, e cila do të shpallë vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe do të vendosë për lehtësimet e para të barrës së burokracisë nga shpatullat e njerëzve të zakonshëm.
P.sh Italia, prodhon 1 milionë certifikata në vit për nevoja administrative të qytetarëve, për Shqipërinë 4.5 milionë. Më shumë certifikata të prodhuara se popullsia jonë brenda dhe jashtë vendit, 4.5 milionë radha në vit për të vërtetuar se ti ekziston, që të marrësh një shërbim, patentë, licencë.
4.5 mln arsye në vit për t’u mërzitur me këtë vend dhe këtë shtet, në xhunglën e letrave që prodhohen çdo vit. Me certifikatën do të nisë eliminimi i dhjetëra miliona udhëtimeve, radhave, kontakteve me sportelet, prisni edhe 2.7 ditë sa keni pritur 27 vjet dhe do të dëgjoni jo më zotimin, por vendimin për të nisur lehtësimin e ndjeshëm të jetës tuaj nga stresi i tepërt dhe i rraskapitshëm në zyrat e shtetit", tha Rama.