Por, propozimi i shumicës qeverisëse për ndryshimin e ligjit nuk do të prekë ata investitorë, kryesisht ne sektorin energjetik dhe minerar, të cilët i kanë zhvilluar projektet e tyre ose që janë në proces, edhe pse këto leje per HEC-e apo shfrytezimin e minierave janë dhënë në zona të mbrojtura mjedisore.
Rama tha se nuk do të lejojë sakrifikimin e të ardhmes së brezave të rinj përballë "babëzisë" për investime.
“Qeveria është angazhuar për të rivendosur rendin ligjor në këtë terren ku ka ende shumë për të bërë. Dy momente me rëndësi themelore që janë adresuar në këtë periudhë kanë pasur të bëjnë me minierat dhe me HEC-et për të krijuar një ekuilibër sa më të natyrshëm mes nevojës së pandalshme për zhvillim dhe që ky zhvillim të mos cënojë të ardhmen e vendit dhe të mos ndodhë në kurriz të gjeneratave të tjera. Në vitet e shkuara kemi pasur një zhvillim të paqëndrueshëm ku të drejtat e zhvillimit janë dhënë pa hesap dhe pa drejtuar mekanizmat e domosdoshëm për të monitoruar detyrimet që burojnë nga këto të drejta. Ka disa shembuj shumë domethënës lidhur me faktin se shumë kompani që kanë operuar në sektorin e minierave dhe ndërtimin e HEC-eve vazhdojnë t’i kenë detyrime të rënda shoqërisë dhe një pjesë e tyre për vite të tëra as nuk kanë denjuar të paguajnë garancinë e rehabilimit. Në të shkuarën batërdia e korrupsionit dhe e këtij modeli zhvillimi ka sjellë një numër të drejtash apo lejesh të dhëna për HEC-e ndër të cilat 113 janë drejtpërdrejtë në zona të mbrojtura, të caktuara ligjërisht si zona të paprekshme nga rrugët e zhvillimit, 42 janë në prodhim, 23 janë në proces, 48 të tjera nuk kanë filluar punë dhe nuk do të fillojnë, pasi në projektligjin që propozohet për të rishikuar lejet e dhëna do të ndalohet ndërtimi i HEC-eve apo çdo lloj tjetër aktiviteti në zonat e mbrojtura”, - u shpreh Rama.
Fjala e plote e Kryeministrit Edi Rama
Por jo të gjitha lejet e dhëna për investime i kanë sjellë probleme vendit. Përkundrazi! Sipas kryeministrit ka modele të intevstitorëve të cilët i zbatojnë në përpikmëri kontratat dhe që kanë ndikuar në rritjen e punësimit në Shqipëri.
“Në projektligjin e ri është detyrimi për të bërë rivlerësimet nga të gjithat institucionet përkatëse. Është koha që disa shembuj pozitiv të bëhen shembuj jo më të veçantë, por shembuj në të gjithë territorin si p.sh: subjekte që operojnë në Krujë që pasqyrojnë shembuj pozitiv në respektimin e kontratës, po ashtu siç po aty apo edhe në zona të ndryshme operojnë shembuj negativë. Është e trishtueshme që sot ende nuk kemi përfunduar kthimin në normë të çdo kompanie që merren me shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe kompanive që vazhdojnë të mos zbatojnë detyrat kontraktuale. Zbatuam 60 leje për shkak të kushteve të punës por ka ardhur koha që të shkojmë më tutje, që të drejtat të mos lidhen vetëm me kushtet por edhe me zbatimin e përpiktë të kontratës. Do vazhdojmë të mbështesim rritjen e kapaciteteve që po ndodh në mënyrë të vazhdueshme në sektorin e minierave, çka ka sjell rritje të punësimit dhe shpërblimit të minierave. Jemi po ashtu të kënaqur edhe me punën në sektorin e energjisë me punën e kënaqshme dhe me përgjegjësinë e lartë në respektimin e resurseve natyrore”, - tha Rama.