Mbyllet votimi, reagon politika! Rama bën parashikimin: PS mbi 50 bashki! Begaj: Falenderoj shqiptarët për pjesëmarrjen! Opozita: Të tregohet përpikmëri me çdo votë

Mbyllet votimi, reagon politika! Rama bën parashikimin: PS mbi 50 bashki! Begaj: Falenderoj shqiptarët për pjesëmarrjen! Opozita: Të tregohet përpikmëri me çdo votë

Parashikimi i bërë nga Rama

Pas përfundimit të votimit në zgjedhjet vendore, kanë ardhur reagimet e para nga liderët politikë.

Kryesocialisti Edi Rama shprehet optimist se do të ketë një fitore të thellë për Partinë Socialiste. Kreu i qeverisë ka publikuar një foto ku parashikon se PS do të fitojë mbi 50 bashki, ndërsa opozita nga 0 deri në 11.

‘PS mbi 50 bashki, opozita 0-11 bashki’- shkruan Rama.

Kreu i shtetit, Bajram Begaj ka falënderuar të gjithë qytetarët që shprehën vullnetin e tyre duke përmbushur të drejtën kushtetuese të votimit. Opozita, me shpresën se mund të marrë fitoren në ndonjë bashki, kërkon që të tregohet përpikmëri me çdo votë.

Postimi i Ramës

Procesi i zgjedhjeve lokale në të gjithë vendin ishte i qetë pa incidente serioze. Pjesëmarrja e votuesve ishte kryesisht e ulët dhe kjo nisi që në mëngjes pasi procesi nisi me një problem serioz në funksionimin e pajisjeve të identifikimit elektronik. E gjitha solli ikje të njerëzve që ishin në qendrat e votimit për të votuar. Problemi u zgjidh me urdhër të KQZ që njoftoi se procesi duhet të vijojë manualisht, që do të thotë se zgjedhësit do të identifikohen me anë të listave të printuara. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:41
Çfarë po ndodh në selinë e PS, Rama zbulon prapaskenat: Kundërshtarët paralajmërojnë fitore, pastaj akuzojnë se iu vodh fitorja imagjinare

1684100533_3469763592544214737413974216954881536155366n.jpg

Kryeministri Edi Rama ka treguar prapaskenat e asaj se çfarë po ndodh aktualisht në selinë e PS. Rama ka edhe një mesazh për kundërshtarët e tij, të cilët që tani Sali Berisha ka nisur që të thotë votat i janë vjedhur.

“LIVE Selia e PS - Superskuadra që organizon sondazhet, studion shifrat, analizon trendet e pjesëmarrjes, ndjek të dhënat e terrenit në kohë reale dhe projekton rezultatet me përafërsi mbresëlënëse në bazë algoritmesh shkencore. *ndërsa të tjerët paralajmërojnë fitoret duke parë filxhanin e dëshirave të tyre, që pastaj kur dalin rezultatet vazhdojnë ta lexojnë nëpër ekrane me dëshpërimin e avazit bajat të regjimit që u grabit fitoren imagjinare me kthetrat e krimi”, shkruan Rama.

Ora 20:56
Shera triumfon në Vorë, Veliaj: Bravo, përulje dhe mirënjohje të jashtëzakonshme për besimin  e madh

1684090595_34709253812715854837300619212918275454076154n.jpg

Blerim Shera ka fituar thellësisht në Vorë me 75% të votuesve. Veliaj e ka uruar ndërsa falënderon qytetarët për besimin e Partisë Socialiste.

“Fitorja e dytë në rang vendi vjen nga Qarku i Tiranës. Fituam me 74 % Bashkinë e Vorës, për t’i shërbyer me dashuri e përkushtim 100% të qytetarëve të saj.

Jam i ndërgjegjshëm që kemi fituar bindshëm një bashki historikisht të djathtë, ndaj e shohim me përulesi e mirënjohje të jashtëzakonshme një besim kaq të madh.

Bravo Blerimit dhe skuadrës së tij, dhe punë të mbarë nga nesër për t’a çuar Vorën gjithnjë e më përpara.”- tha Veliaj.

Ora 20:36
Mbyllet votimi/ Alibeaj: Të lexohet me përpikëmeri çdo votë! E ardhmja do jetë më e mirë

 

Kreu i Komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka kërkuar që çdo votë e shqiptarëve të lexohet me përpikëmëri.

“Gjatë gjithë ditës Partia Demokratike ka denoncuar të gjitha problematikat që shoqëruan sot procesin zgjedhor, por nga ana tjetër vlerëson maksimalisht qytetarinë e shqiptarëve që falë qetësisë dhe maturisë së tyre, dhuruan sot një proces të qetë zgjedhor, pavarësisht përpjekjeve për intimidim, manipulim, praktikat e shitblerjes së votës apo cenim të këtij procesi.

Partia Demokratike falenderon gjithë ata që sot iu drejtuan kutive të votimit duke ushtruar demokracinë e drejtpërdrejte të zgjedhjes me votë.

Partia Demokratike, si parti e vlerave euroatlantike, i ka konsideruar dhe i konsideron zgjedhjet si e drejtë e qytetarëve dhe jo partive politike.

Partia Demokratike falendëron kandidatët që ndërmorën sfidën për të përfaqësuar të djathtën e vërtetë, ata djem, vajza burra e gra që u rreshtuan në anën e duhur të historisë duke përfaqësuar logon e PD në garën për këshillat bashkiakë.

Faleminderit pafundësisht për ju që përballë gjithë politikës së vjetër në pushtet dhe jo, oligarkëve, dhe krimit të organizuar që i mbështesin, qëndruat dhe i dhatë shpresë Partisë Demokratike, demokratëve dhe gjithë shqiptarëve.

Në këtë betëjë kundër të gjithëve, PD tregoi edhe njëherë se është padyshim e vetmja alternativë qeverisëse për të nesërmen e Shqipërisë.

Padyshim vlersim e mirënjohje për të gjithë komisionerët e Partisë Demokratike në qendrat e votimit të 61 bashkive të vendit të cilët menaxhuan në mënyrë përfekte një process jo të lehtë për shkak të presioneve e parregullsive të shumta që shoqëruan votimin.

Gjithashtu PD inkurajon të gjithë anëtarët e grupeve të numërimit në misionin që ata kanë në orët në vijim për të numëruar korrekt çdo votë të hedhur në kuti. Vota e shqiptarëve është në dorën e tyre dhe misioni për garantimin e saj është i shenjtë.

I kujtojmë të gjithë atyre që mendojnë apo do të provojnë të prekin votën e shqiptarëve, se çdo përpjekje për tjetërsim të votës është vepër e rëndë penale dhe si e tillë dënohet nga ligji zgjedhor dhe kodi penal. 

Partia Demokratike është e bindur se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe shqiptarët do të ndahen përfundimisht me politikën e vjetër duke I dhënë fyrmëmarrje Shqipërisë në rrugën drejt BE.”- tha ai.

Ora 20:32
Gjiknuri shpall fitoren e PS: Elbasani e bani ndryshimin!  E la pas të shkuarën! Vazhdoi përpara drejt të ardhmes

1684089229_damiangjiknurigledjanllatja.jpg

Sekretari i Përgjithshëm i PS ka shpallur fitoren në Bashkinë e Elbasanit. Përmes një postimi në rrjete sociale, numri dy I socialistëve nënvizon se Elbasani e la pas të shkuarën dhe vazhdoi përpara drejt së ardhmes.

“Elbasani e bani ndryshimin! E la pas të shkuarën! Vazhdoi përpara drejt të ardhmes”, shprehet Gjiknuri.

Ora 20:28
Mbyllet votimi/ Berisha: Me përgjegjësi e vendosmëri të numërohet çdo votë

 

Sali Berisha ka falënderuar qytetarët që kanë dalë e të votojnë. Ai u bëri thirrje të numërohet çdo votë .

“Nga kjo platformë dua të ju përcjell përshëndetjen më të përzemërt, nderimin më të madh për të gjithë ata qytetare e qytetarë që sot e shndërruar këtë ditë me votën e tyre, në një ditë të historisë sonë.

Ata votuan në qendrat e votimit, në kushtet më të jashtëzakonshme. U ngritën mbi çdo gjë dhe folën me votën e tyre, folën në mënyrën më të civilizuar, folën me guxim dhe vendosmëri.

Ata kapërcyen mbi konglomeratin e administratës mafioze, oligarkëve të shpifur dhe bandave të tyre kriminale. Guximi, vendosmëria, përgjegjësia e qytetarëve sot ishte epike.

Pjesëmarrja ka qenë jo ajo që duan ta zvogëlojnë të dëshpëruarit, ata që bënë gjithçka kundër këtij procesi, por një pjesëmarrje ndër më të denjat për qytetarët në të 4-anët e vendit.

Unë kam vlerësimin më të lartë, mirënjohjen më të pakufishme për të gjithë ata të reja, të rinj, burrave dhe grave, që qëndruan në krye të përgjegjësisë në komisionet e votimit.

U përballën me presione dhe kërcënime nga më të papranueshmet, por kryen me nder para shqiptarëve një detyrë që është mbi të gjitha detyrat; në kushte paqeje kjo është detyrë mbi të gjitha detyrat.

Ju bëj thirrje me atë përgjegjësi që dëshmuan gjatë ditës, me atë guxim me të cilin përballuan presionet e egra të mafiasshtetërore, të bandave të kësaj mafie, oligarkëve dhe bandave të saj, po me atë përgjegjësi, guxim, vendosmëri të numërojnë çdo votë.

Garantoj qytetarët se vota e tyre do të peshojë më shumë se asnjëherë, se kjo betejë është një betejë e një rëndësie historike dhe këtë betejë do ta fitojnë vetëm ata të cilët mbrojnë kauzën e drejtë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.”-tha Berisha.

Ora 20:26
Meta reagon pas mbylljes së procesit të votimit: Sot monizmi ka marrë një goditje të fortë

1684054316_metaberisha.jpg

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit në të gjithë vendin për zgjedhjet lokale.

‘Shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë qytetarët që morën pjesë në zgjedhje duke përbuzur presionet e të gjitha llojeve të bëra nga pushteti. Shpreh respektin më të madh për qytetarët votues, që sfiduan deformimet shumë të rënda dhe të qëllimshme të standardeve të zgjedhjeve nga qeveria dhe KQZ.

Shpreh mbështetjen dhe vlerësimin më të lartë për të gjithë anëtarët e komisioneve dhe vëzhguesit e opozitës, që megjithëse në kushtet më të vështira, kryen detyrën me përkushtim dhe vendosmëri në shërbim të votës së çdo qytetari. Në këtë moment që procesi i votimit ka përfunduar, misioni ynë vazhdon me më shumë përkushtim se më parë për numërimin edhe të votës më të fundit.

Sot monizmi ka marrë një goditje shumë të fortë falë qytetarëve që e duan lirinë. Të vazhdojmë pa u ndalur në këtë rrugë të hapur me kaq sakrifica për ta çuar deri në fund misionin tonë për votën e lirë dhe mbrojtjen e pluralizimit politik dhe demokracisë.’- shkruan Meta.

Ora 19:57
Mbyllet votimi, Begaj: Shqiptarët folën! Koha që vota e tyre të numërohet drejt

1683804131_WhatsAppImage20230511at13.18.491.jpeg

Pasi u mbyll procesi i votimit, presidenti Bajram Begaj ka një mesazh për qytetarët.

“Falenderoj të gjithë shqiptarët të cilët votuan sot me përgjegjësi e dinjitet, duke përmbushur kështu një të drejtë kushtetuese, por edhe një detyrim moral e qytetar ndaj vendit.

Në këtë moment të fillimit të numërimit të votave, si dhe të nxjerrjes së rezultateve, ju bëj thirrje të gjithë të përfshirëve në këtë proces që të kryejnë detyrën e tyre me përgjegjësi, ndershmëri e profesionalizëm, duke siguruar e garantuar vullnetin e shprehur me votë të qytetarëve shqiptarë.

Votuesit shqiptarë folën!

Është koha që vota e tyre të numërohet drejt dhe pa vonesë”, shkruan Begaj.

M.Q./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e Gjykatave e Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Revista kaliforniane: Zbuloni Rivierën Shqiptare dhe plazhet mahnitëse me ujëra bruz

Revista kaliforniane: Zbuloni Rivierën Shqiptare dhe plazhet mahnitëse me ujëra bruz