Mbyllet zyrtarisht votimi për 61 bashkitë, pjesëmarrja e ulët! Identifikimi elektronik pengoi votimin (VIDEO+FOTO)

Prej orës 07:00 të mëngjesit deri në 19:00, qytetarët i janë drejtuar kutive të votimit për të hedhur votën për 61 kryetar bashkie dhe këshilla bashkiakë. Procesi i votimit për zgjedhjet lokale në të gjithë vendin ishte i qetë pa incidente serioze. Pjesëmarrja e votuesve është e ulët dhe kjo nisi që në mëngjes pasi procesi nisi me një problem serioz në funksionimin e pajisjeve të identifikimit elektronik. E gjitha solli ikje të njerëzve që ishin në qendrat e votimit për të votuar. Problemi u zgjidh me urdhër të KQZ që njoftoi se procesi duhet të vijojë manualisht, që do të thotë se zgjedhësit do të identifikohen me anë të listave të printuara. 

KQZ njoftoi se në 585 qendra votimi pati probleme me pajisjen e identifikimit, ndërkohë që pjesë tjetër, pra në rreth 4700 qendra votimi janë plotësisht funksionale. Problem ishte edhe mungesa e komisionerëve kryesisht të Partisë Demokratike.

Thirrja e politikanëve për pjesëmarrjen 
Duke qenë se pjesëmarrja në këto zgjedhje deri tani rezulton më e ulët se në ato të vitit 2021, politikanët kanë dalë me thirrje që të gjithë qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit. PS fajëson KQZ që nuk arriti t’i jepte zgjidhje të menjëhershme pajisjeve të identifikimit biometrik PEI dhe i bën apel qytetarëve që të shkojnë për të votuar. Liderët politik në Shqipëri, nga presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kandidatët për kryebashkiakë i janë drejtuar qytetarëve që të marrin pjesë në këtë proces. Edhe vetë Sali Berisha i ftoi qytetarët që të votojnë duke i thënë se opozita po mbikëqyr me sukses të plotë këtë proces e që qytetarët të votojnë si njerëz të lirë. Nga ana tjetër Partia e Lirisë thotë se është ditë e madhe për të ardhmen tonë. Edhe ambasadorët e huaj, Yuri Kim dhe Christiane Hohmann kanë bërë thirrje që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre me votë duke thënë se autoritetet duhet të zbatojnë ligjet.

Problemi me votimin familjar dhe raste të publikimit të votës
Në këto zgjedhje nuk mungoi problemi i votimit familjar dhe rasteve të publikimit të votës. Sipas PD, administratorët e njësive vendore të Bashkisë po firmosin vërtetime për shumë qytetarët që të lejojnë votimin familjar. Po ashtu, PD ka publikuar raste të publikimit të votës nga vetë qytetarët duke thënë se tregon presionin e PS që ata të zbulojnë hapur se kë zgjedhin të marrë drejtimin në 4 vitet e ardhshme.

Persona të paautorizuar pranë qendrave të votimit
Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se në 7 qendra votimi, në Tiranë dhe Durrës janë konstatuar disa persona të paautorizuar që pengonin zhvillimin normal të procesit të votimit. Nuk kanë munguar akuzat mes palëve politike se persona të paautorizuar janë pranë qendrave të votimit.

Për këto raste, të gjithë drejtuesit e lartë të Bashkë Fitojmë, përfshirë edhe vetë Sali Berishën kanë bërë thirrje që policia të ndërhyjë se persona të paautorizuar janë pranë qendrave të votimit dhe kjo i ka intimiduar qytetarët. Kjo ka bërë që Ilirjan Celibashi të bëjë thirrje të fortë e të thojë që të gjithë të largohen se do të mbajnë përgjegjësi dhe policia të marrë masa. Po ashtu, pati akuza nga opozita se edhe policia është shumë afër disa qendrave të votimit, ndryshe nga çfarë lejon ligji.

Incidentet e raportuara deri tani
Një incident është shënuar në Zvezdë, Maliq ku deputeti Edmond Spaho pretendon se është dhunuar nga një grup të rinjsh që mbështesin socialistët. Po ashtu një incident është shënuar në Durrës në një qendër votimi të Spitallës, ku kandidati për këshilltar bashkiak i PS-së, Hekuran Markola është dhunuar nga tre persona, mes tyre edhe kreu i Rithemelimit në Durrës, Dritan Burgija së bashku me Pjetër Pjetrin dhe Ndrec Pjetrin. Një tjetër është shënuar në Roskovec, ku socialistët denoncojnë se kandidati i Bashkë-Fitojmë Erdit Hazizaj ka goditur me grushte 2 persona, gjë të cilën e përgënjeshtron poshtë Luan Baçi. Po ashtu edhe në Elbasan është raportuar për probleme, pasi deputeti Flamur Noka, nga Rithemelimi është konflikuar me komisionerët, në qendrat e votimit në Shirgjan dhe në Kuqan. Ndërkohë nga përfaqësues të opozitës është kërcënuar me armë ish-kreu i komunës në Shëngjin Salvador Kacaj, nga përfaqësues të opozitës. Policia dhe prokuroria për kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:32
Pas Vlorës, Yuri Kim vëzhgon procesin zgjedhor edhe në Elbasan

1684085597_6400875b56a8527ffb1d40dac419399685dd.jpg

Pas Vlorës, ambasadorja amerikane Yuri Kim është ndalur për një vëzhgim edhe në Elbasan.

Diplomatja amerikane është ndalur në një nga qendrat e votimit për të monitoruar nga afër procesin zgjedhor.

Më herët nga Vlora, Kim dha mesazhe të qarta se askush nuk duhet të shesë dhe të blejë vota. 

Ora 19:24
FOTOLAJM/ Çfarë do të thotë të rrezikosh jetën për të votuar

1684085156_ui.JPG

Kujtim Margjeka, banues në fshatin Bujan të Tropojës ka rrezikuar jetën për të votuar.

"Sapo votuam dhe në kthim për shtëpi ‘ në foto gruaja ime duke kaluar urën ‘ shpresojmë që të rregullohet nje dite ‘ ( vota jonë plumb për armikun e për katund të fikun )" shkruan Kujtim Margjeka në rrjetet sociale.

Sipas tij, ura dhe kjo lagje kanë vite që nuk ndryshojnë. 

Ora 19:17
Votim në terr, në Vranisht të Himarës zgjidhet kandidati me dritë telefoni

 

Në zonën rurale të Himarës, në Vranshit procesi i votimit është mbyllur në errësirë totale. Zgjedhësit kanë votuar me ndihmën e dritës së telefonit.

Ora 19:03
Përfundon afat zyrtar i votimit, qytetarët votuan për 61 kryebashkiakët për 4 vitet e ardhshme

 

Në 19:00 ka përfunduar zyrtarisht afati i votimit për kryebashkiakët dhe këshillat bashkiakë që do të drejtojnë 61 bashkitë për 4 vitet e ardhshme. Votimi përtej orarit zyrtar vijon vetëm aty ku ka ende votues.

Ora 19:00
FOTOLAJM/ Ka 14 muaj me paterica, qytetari në Kuçovë shkon të votojë

1684083658_6400f1da5d3f5e4e3e73aa790235f4512a4e.jpg

Andrea Kapllani, prej muajsh të tërë vuan nga një dëmtim i këmbës dhe lëviz vetëm me paterica, por kjo nuk e ka penguar që sot të shkojë të votojë. Shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Andrea dhe zgjodhi kandidatin që dëshiron për ta qeverisur për 4 vite në Kuçovë.

Ora 18:43
Pezullimi i votimit në shkollën ‘Ali Myftiu’ në Elbasan, mbërrin Llatja dhe Boçi

Kandidati i Bashkë Fitojmë Luçiano Boçi dhe kandidati i Partisë Socialiste Gledian Llatja u kanë mbërritur në shkollën ‘Ali Myftiu’. Llatja ishte i shoqëruar nga ministrja Evis Kushi.

Ora 18:07
Pezullohet procesi i votimit në shkollën profesionale ‘Ali Myftiu’ në Elbasan

 

Është pezulluar procesi i votimit në qendrën e votimit nr. 2361 në shkollën profesionale ‘Ali Myftiu’! Mësohet se sekretarja ka marrë një listë numrash të zgjedhësve, fletë këto të cilat i ka grisur kryetarja e komisionit.

Ora 18:03
Skandali/ Qendra e votimit në Kamëz nuk lejon median të raportojë: Kemi urdhër nga KQZ

 

Komisionerët e anëtaret e QV 1568/00 në Kamëz nuk lejojnë median në ambientet e qendrave dhe shtuar këtu me një komunikim me tone të  ashpra dhe fyese për vetë punën që bën media. Gazetarja Enxhi Musaj raporton se nuk lejojnë as të intervistohen komisioneret. Ato thonë “kemi urdhër nga KQZ”, ndonëse Celibashi ka sqaruar se media mund të jetë pjesë.

Ora 17:38
Probleme me identifikimin elektronik, Celibashi: Kërkojmë falje, njohim përgjegjësinë!

 

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka kërkuar falje për problemet e shkaktuara nga mungesa e identifikimit elektronik.

“Nëse dikush do ta tërheq KQZ në një debat jo produktiv, ne nuk kemi pse ta bëjmë, nëse ajo çfarë klasifikohet si parregullsi apo problematik në lidhje me funksionimin e pajisjeve të identifikimit, ka cenuar votën e një votuesi, ne ju themi që njohim përgjegjësinë dhe nëse kjo ka ndikuar tek ata edhe ndjesën e kemi kërkuar, nuk e di nëse dikush tjetër kërkon më shumë se kaq. Çfarë do duhet të ishte bërë ndryshe?

Ora 17:00
Dënohet deri në një vit burg, të rinjtë ‘guxojnë’ të fotografojnë votën dhe e publikojnë në rrjetet sociale

 

Fotografimi i fletës së votimit dhe më pas publikimit në rrjetet sociale është kthyer tashmë në një fenomen të cilin nuk e lufton dot as ligji.

Ndonëse është paralajmëruar vazhdimisht në spotet elektorale mbi udhëzimet për ditën e votimeve se fotografimi i fletëve me emrat e kandoidatëve përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burg gjer në një vit, qytetarët ende nuk janë ndërgjegjësuar.

Disa foto janë siguruar nga Report Tv, ku qytetarë të ndryshëm publikojnë foto nga ambientet e qendrës së votimit dhe foto të fletës së votimit me shënimet e kandidatëve që kanë zgjedhur.

Ky veprim konsiderohet kundravajtje penale dhe është i parashikuar nga neni 327 i Kodit Penal si “Shkelja e fshehtësisë së votës”.

Rastet e raportuara deri më tani nga policia janë të pakta në krahasim me fotot që kryesisht të rinjtë ndajnë në rrjetet sociale.

Më poshtë shfaqen dy foto të fletëve të votimit për bashkinë e Tiranës.

 

Ora 16:13
‘Vendoret’/ Fotografuan fletët e votimit, në pranga 37-vjeçari në Sarandë! Nën hetim bashkëshortja

1682668233_votime.jpg

Një 37-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Sarandës pasi ka fotografuar fletën e votimit. Bëhet fjalë për Lulëzim Tarllamishin, nën hetim është vënë edhe bashkëshortja e tij.

Njoftimi i policisë:

Fotografuan fletët e votimit, arrestohet një 37-vjeçar, procedohet në gjendje të lirë bashkëshortja e tij.

Komisariati i Policisë Sarandë ka marrë njoftim nga shtetasi O. Sh., vëzhgues në Qendrën e Votimit nr.4731, Xarrë, se dy shtetas kishin fotografuar fletët e votimit dhe më pas kishin dalë jashtë Qendrës së Votimit.   

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë menjëherë kanë njoftuar prokurorin e gatshëm, për këtë rast. Dy bashkëshortët dhe vëzhguesi janë paraqitur me vullnetin e tyre, në Prokurorinë e Sarandës.    

Në vijim të veprimeve u arrestua shtetasi L. T., 37 vjeç, banues në Xarrë, Konsipol dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e tij, shtetasen E. T(C)., për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.      

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Ora 13:37
Bllokohet votimi në Elbasan, komisioneri i BF-së pretendon se pajisja elektronike është manipuluar: Votova kandidatin tim, doli emri i kundërshtarit

 

Komisioneri i koalicionit Berisha-Meta në qendrën e votimit 2373/1 të Elbasanit ka pretenduar se pajisja për votimin elektronik është manipuluar. Për këtë pretendim, Eduard Doko mbështetet në votimin e tij, duke thënë se në momentin që kishte votuar për kandidatin e tij, tek fleta e prinatuar dilte emri i kundërshtarit.

“Në një moment pauze shkova dhe votova për kandidatin tim. Dolën të gjitha në rregull, por në momentin kur shoh te printeri, më del emri i kandidatit tjetër, jo i Luçiano Boçit po i kandidatit tjetër. Tani nuk e di, pajisjen e kemi bllokuar që pas momentit që kam votuar unë. Të vijë specialisti ta shikojë se për çfarë bëhet fjalë. Në momentin që kam votuar unë, kam parë një emër tjetër, votimi i fundit është votimi im”- u shpreh komisioneri mes të tjerash.

Ndërkohë është bllokuar procesi i votimit në qendrën e votimit në lagjen Partizani deri në kontrollin e pajisjes nga një specialist.

Ora 13:00
Në ditën e zgjedhjeve, denoncimi i Lëvizjes Bashkë: Policia ka cënuar godinën tonë

Lëvizja Bashkë, e cila përfaqësohet në garën për Tiranën me Arlind Qorrin në një postim në rrjetet sociale, denoncojnë ndërhyrjen e policisë pranë godinës së tyre. Sipas Lëvizjes Bashkë, e gjitha kjo bëhet për të trembur qytetarët, që të mos shkojnë të votojnë.

Postimi i Lëvizjes BASHKË:

Për rreth një orë punonjës të Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit kanë kërkuar që Lëvizja BASHKË të heqë materialet politike identifikuese nga selia, duke kërcënuar me heqjen me forcë të tyre.

Kjo tentativë është kryekëput e paligjshme. Sipas Kodit Zgjedhor, të përforcuar nga vendimi nr. 111 i KAS-it, i marrë mbrëmë në orën 22:00, Lëvizjes BASHKË i lejohet afishimi i materialeve zgjedhore në selinë e saj.

Ndërkohë, Tirana është përplot me materiale propagandistike të partive të vjetra.

Lëvizja BASHKË është e vendosur të mbrojë të drejtat që na jep ligji, si dhe të drejtën e çdo qytetari që të votojë i lirë dhe i qetë.

Me këtë rast, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shkojnë të votojnë.

 

Ora 12:34
VIDEOLAJM/ Rivalët për Bashkinë e Roskovecit pinë kafe ditën e zgjedhjeve

 

Në ditën e zgjedhjeve kandidatja socialiste për Bashkinë e Rokovecit, Majlinda Bufi, dhe rivali i saj kandidati i Bashkë Fitojmë, Erdit Hazizaj kanë zgjedhur të pinë një kafe së bashku ditën e zgjedhjeve.

Ora 12:00
Votuesi i Fatmir Mediut në Lezhë filmon votën (VIDEO)

 

Votuesi i Fatmir Mediut në Lezhë ka filmuar votën. Në një video e cila po qarkullon në rrjetet sociale ku votuesi ka filmuar votën dhe pasi voton koalicionin Bashkë-Fitojmë, voton Partinë Republikane.

Ora 10:25
Mungesë komisionerësh në qendrat e votimit, Celibashi: Kryesisht janë të PD, i kemi zëvendësuar

1683627150_celibashi.jpg

Kryesisht në jug të vendit nuk janë paraqitur një pjesë e komisionerëve që duhet t’i paraqiste Partia Demokratike. Celibashi thotë se KQZ i ka zëvendësuar.

“Kryesisht kanë qenë mungesa komisionerësh në zonat e jugut të Shqipërisë por në përputhje me parashikimet e Kodit emërojmë të tjerë, sepse disa parti nuk e kanë ushtruar të drejtën për të propozuar emra. Kryesisht kanë qenë vende të Partisë Demokratike”, tha Celibashi.

Ora 10:08
Do të zgjatet orari i votimit? Celibashi: Vetëm nëse ka njerëz në radhë

1684051167_kqz.jpg

Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha se nuk do të ketë automatikisht një shtyrje të orarit të zgjedhjeve për shkak të mosfunksionimit të aparaturave të identifikimit elektronik.

“Nuk mund të ketë automatikisht zgjatja të orarit të votimit, nëse në 19:00 ka votues në radhë për të votuar ata do të votojnë”, tha ai.

Ora 10:03
Zgjedhjet vendore, Celibashi: Në 531 qendra votimi kemi probleme me identifikimin elektronik

 

Kryekomisoneri Ilirjan Celibashi ka dhënë një deklaratë për mediat ku ka shpjeguar ecurinë e votimit deri më tani në qendrat e votimit. Në fjalën e tij, Celibashi tha se deri më tani raportohet për 531 qendra votimi që ka probleme me pajisjen e identifikimit, ndërsa për 205 qendra votimi nuk marrin dot informacion se çfarë po ndodh.

"Në lidhje me ecurinë e procesit të ditës së sotme. Të informoheni mbi problematikat në lidhej me përdorimin e pajisjeve të identifikimit. Në momentin që ne flasim janë 4464 qendra votimi që funksionojnë normalisht në kuptim të pajisjes elektronike të identifikimit. Janë 206 qendra votimi që sipas informacionit në kohë reale që marrim nëpërmjet sistemit na tregojnë që këto 205 qendra votimi pajisja është e konfiguruar por nuk mund të marrim informacion në kohë reale prej tyre. Janë 533 qendra votimi për të cilat nuk kemi informacion, që do të thotë ose të gjitha këto qendra votimi nuk funksionin PEI, funksionoi pjesërisht plotësisht por ne këtë të dhënë nuk e kemi nëpërmjet sistemit. Jemi duke komunikuar me këto qendra komunikimi për të ditur nëse ty procesi është duke u zhvilluar nëpërmjet PEI apo manualisht. Janë 532 qendra votimi për të cilat presupozohet në rastin më të keq që identifikimi s’po bëhet nëpërmjet pajisjes së identifikimit", tha Celibashi.

Sa i takon kësaj problematike, Celibashi tha se vendosën që identifikimi i votuesve të bëhej në mënyrë manuale.

Aktet kanë parashikuar situata të tilla veçanërisht kur implementohet një pajisje elektronike dhe është parashikuar që duhet pritur një farë kohe që situata të rregullohet. Në vlerësim të situatës dhe problematikave teknike vlerësuam së bashki me nënkomisioneren Pelinku urdhëruar që procesi i identifikimit të votuesve të bëhet me mënyrën tradicionale pasi në aspektin teknik nuk kishim asnjë mundësi më shumë që të prisnim edhe një herë më shumë apo sa llogaritet koha që duhet të prisnim. Sa i përket arsyeve ende nuk mund të themi se çfarë ka ndodhur. Specialistët tanë janë duke bërë

Ora 09:39
Problemet me identifikimin elektronik të zgjedhësve, KQZ urdhëron: Aty ku nuk punon pajisja ‘PEI’, procesi të vijojë me listën e printuar

1683730396_ilirjancelibashi.jpg

Duke ndjekur problematikat e krijuara në qendra të ndryshme të votimit me pajisjen e identifikimit biometrik ‘PEI’, KQZ ka urdhëruar që të vazhdohet me identifikimin e zgjedhësve me anë të listave të votimit të printuara.

Më herët, sekretari për çështjet ligjore të PS-së, Eridian Salianji i ka kërkuar KQZ-së që të marrë masa të menjëhershme për vijimin e votimit pa përdorimin e pajisjes PEi në qendrat e votimit ku ka pasur probleme me identifikimin elektronik të zgjedhësve.

“Të nderuar Anëtar të Komisionit Rregullator, I nderuar Z.Komisioner, Sot në datë 14 maj 2023, në orën 07.00 ka filluar procesi I votimit për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dt. 14 maj 2023. Që prej asaj ore, ashtu si dhe ju jeni, dijeni, në të gjitha qarqet ku po zhvillohet votimet, hasur problematika të shumta të funksionimin e pajisjes së Identifikimit Elektronik, e cila ka çuar të bllokimin e procesit të votimit në këto qëndra votimi. Për sa më sipër, bazuar në Kodin Zgjedhor, kërkojmë nga na Juaj, marrjen e masave të menjëhershme për vijimin e votimit në këto qendra votimi ku pajisja PEi nuk funksionon, duke urdhëruar fillimin e menjëhershëm të votimit”, deklaroi Eridian Salianji.

Urdhri i KQZ
Ora 09:36
Ende s’ka nisur votimi në qendrën ku do të votojë kryeministri Edi Rama, probleme me pajisjen e identifikimit

1684049864_Screenshot7.jpg

Në qendrën e votimit 626, ku voton edhe kryeministri Edi Rama nuk ka nisur ende procesi i votimit. Shkak për këtë vonesë me dy mbi dy orë është bërë problemi me pajisjet e identifikimit. Deri më tani janë ndërruar katër pajisje identifikimi.

Ora 08:56
Zgjedhin edhe të burgosurit, Report Tv në Burgun e Durrësit, pritet të votojë Lefter Koka

 

Përveç 5213 qendrave të votimit në të gjithë vendin në Shqipëri votohet edhe në burgje. Report Tv me gazetarin Keti Banushi ka zgjedhur të ndjekë procesin e votimit në Burgun e Durrësit, ku qëndron i paraburgosur ish ministri Lefter Koka.

193 persona gjithsej kanë të drejtën për të votuar në këtë institucion, ndërkohë që janë vetëm 3 të dënuar me vendim të formës së prerë. Pra shumica janë të paraburgosur. Gazetarja Banushi raporton se ka një vullnet nga ana e personave që janë në burg për të marrë pjesë në votime.

Ora 08:25
Zgjedhjet vendore, Polica: Nuk është konstatuar asnjë problem gjatë ruajtjes së objekteve dhe materialeve zgjedhore

1684045309_kavaj.jpg

Policia e Shtetit njofton se asnjë problem nuk është konstatuar gjatë ruajtjes së objekteve dhe materialeve zgjedhore, si dhe gjatë procesit të dorëzimit të qendrave të votimit te komisonerët e QV-ve, mëngjesin e sotëm.  

Punonjësit e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, të planëzuar me shërbim për ruajtjen e objekteve dhe materialeve zgjedhore, nisën prej orës 06:00 të mëngjesit të datës 14 maj 2023, dorëzimin e qendrave të votimit sipas të gjitha kërkesave ligjore, me proces-verbalet përkatëse të komisionit të votimit.   

Shërbimet e Policisë, gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e qendrave të votimit, nuk kanë konstatuar asnjë problem. 

Punonjësit e Policisë që kanë dorëzuar qendrat e votimit janë përqendruar në stacionet e përkohshme policore, të miratuara nga KQZ-ja, siç e përcakton ligji.  

Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në të gjithë vendin, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt, në funksion të garantimit të një procesi të qetë zgjedhor.

Ora 08:20
Fillon procesi i votimit në Kavajë me mbi 1 orë vonesë, zgjidhet ngërçi më pajisjet e identifikimit elektronik

 

Procesi i votimit në Kavajë ka nisur me mbi 1 orë vonesë. Shkak i vonesës u bë mosfunksionimi i aparateve të verifikimit elektronik të kartave të identitetit. KQZ nuk dërgoi zarfet me kodet e funksionimit të tyre. Por si zgjidhje u gjet që operatorëve t’i dërgohen me telefon kodet.

Ora 08:08
Fredi Beleri në Burg, në Himarë situatë është e qetë! Shumë emigrantë mbërrijnë nga Greqia

 

Një vëmendje e veçantë në këto zgjedhje është në Himarë, kjo për shkak të arrestimit dhe mbajtjes në burg të kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’ atje Fredi Beleri. Gazetarja e Report Tv, Odeta Dume, nga Himara thotë se situata paraqitet e qetë dhe njerëzit kanë filluar të votojnë.

“Vetëm zhurma e dallgëve të detit dëgjohet”, thotë gazetarja Dume.

Ajo raporton se në listat e votimit janë rreth 22.800 votues. Ajo thotë se vihet re një numër shumë i madh emigrantësh që kanë ardhur për të votuar, me autobusë por edhe me makina të vogla, kryesisht me targa greke. Llogaritet te jenë rreth 1 mijë emigrantë.

Ora 07:45
Zgjedhjet vendore, probleme me pajisjet e identifikimit thuajse në të gjitha qarqet

1684044594_Screenshot3.jpg

Votimi ka nisur zyrtarisht në orën 07:00 të ditës së sotme, por pothuajse në të gjitha qarqet janë hasur probleme me pajisjet e identifikimit elektronik. Deri më tani nuk ka nisur votimi në dhjetëra qendra votimit dhe shkak është bërë problematika në pajisjet e identifikimit. Raportohet për problematika në Vlorë, Fier, Berat, Elbasan, Korçë, por edhe në Tiranë. Nëse pajisjet e identifikimit elektronik nuk do të nisin të punojnë, pritet që në disa qendra, votimi i qytetarëve të nisë në mënyrë manuale.  

Korçë: Në shumë qendra të votimit ne Juglindje, pajisja e identifikimit Biometrik PEI, ka shfaqur probleme në hapje të votimit. Operatorët përgjegjës po mbajnë aktualisht kontakt me KQZ-në për riparimin e defektit. Ndërkohë për shkak të kësaj problematike nuk është ndaluar procesi, por po vazhdon manualisht me listë, gjithsesi procedura e votimit po vonohet. Rreth 40% e aparaturave identifikuese në qark kanë shfaqur probleme. Procesi po vazhdon me lista, është i ngadalshëm. Në Kavajë ende nuk ka nisur procesi i votimit. Shkak është bërë mosfunksionimi i aparateve të verifikimit elektronik të kartave të identitetit. KQZ nuk ka dërguar zarfet me kodet e funksionimit të tyre. Në këto kushte KZAZ nr.42 është mbledhur dhe po diskuton mundësinë e vazhdimit të procesit në mënyrë manuale. 

Tiranë: Në qendrën e votimit 1980 mungon operatori i pajisjes identifikuese dhe ende s’ka nisur procesi i votimit. Ndërsa në qendrën e votimit 1985, pajisja e identifikimit është ngatërruar me pajisjen e një qendre tjetër. Procesi i votimit s’ka nisur ende. Pritet shkëmbimi i pajisjes.

Elbasan: Ka raportime për pajisjen e identifikimit që nuk funksion në disa qendra votimi në Elbasan.

Vlorë: Disa qendra votimi në Vlorë kanë probleme me pajisjet elektronike! Deri tani ende nuk ka nisur procesi i votimit ne disa qendra votimi.

Lezhë: Ka nisur procesi i votimit në të gjitha qendrat e 4 KZAZ tË qarkut Lezhe. Në disa prej tyre procesi ka nisur me disa minuta vonese, për shkak të disa problemeve të vogla por që janë zgjidhur.

Kamzë: Nuk ka nisur shumë mirë procesi zgjedhur në disa qendra votimi në Durrës pasi nuk kanë punuar pajisjet e identifikimit elektronik. Procesi ka filluar 25 minuta me vonesë për shkak të instalimit me vonesë të pajisjeve të identifikimit. Koha jo shumë e mirë ka bërë që në minutat e para të hapjes së votimit të mos ketë fluks të madh votuesish.

Shijak: Edhe në Shijak ka pasur probleme me votimin, nga 54 qendra votimi në 40% të tyre ende nuk ka nisur procesi i votimit. Ka pasur edhe një problem, marrja pjesë e komisionerëve të koalicionit Bashkë Fitojmë me vonesë

Kavajë: Në KZAZ nr 42 konfirmohet se procesi ka nisur në të gjitha qendrat e votimit. Pjesëmarrja në mëngjes nuk ka qenë shumë e lartë. Burime zyrtare tregojnë se ka ardhur një numër i lartë emigrantësh për të votuar në Kavajë.

Shkodra: Njoftohet për rreth 80 Qendra votimit që ka probleme me pajissjen e identifikimit elektronik. 

Himara: Ka 30 minuta që ka nisur procesi i votimit ku situata është shumë e qetë. Më shumë se 15 persona kanë votuar në 30 minutat e para. Janë 36 qendra votimi dhe votues janë gati 22800.

Fier: Ka pasur problematika me pajisjet e identifikimit elektronik, por në pjesën më të madhe ka nisur votimi edhe pse jo në orarin e parashikuar nga KQZ. Janë paraqitur votuesit e parë.

Dibër: Ka nisur me problematika procesi i votimit në disa qendra votimit në Qarkun e Dibrës. Në qendrën e votimit 1101 në Maqellarë mungon proces-verbali i hapjes së kësaj qendre votimit. Në Kastriot, në një qendër votimit nuk ka energjie elektrike. Në Klos nuk ka nisur ende votimi në 10 qendra votimi nga 27 gjithsej, për shkak se nuk punon lexuesi elektronik. Pritet një përgjigje nga KQZ për të filluar manualisht.

Pogradec: Dy qendrat e votomit 3903/01 3903/00 ne KZAZ 69 kanë nisur votimin pas 1 orë e 30 min vonesë. Shkak është bërë problemi me energjinë elektrike, qytetarët shprehen se kanë me tepër se një orë që presin.

Ora 07:37
Zgjedhjet vendore, në Kavajë ende s’ka nisur procesi i votimit, nuk funksionojnë pajisjet e verifikimit elektronik

  

Në Kavajë ende nuk ka nisur procesi i votimit. Shkak është bërë mosfunksionimi i aparateve të verifikimit elektronik të kartave të identitetit. KQZ nuk ka dërguar zarfet me kodet e funksionimit të tyre.

Në këto kushte KZAZ nr.42 është mbledhur dhe po diskuton mundësinë e vazhdimit të procesit në mënyrë manuale. Gjë që e ka në tagrin e saj e ndërkohë është njoftuar KQZ që të dërgojë zarfet në fjalë.

Ora 07:35
Probleme me nisjen e procesit të votimit në Fier, mungojnë komisionerët e PD-së

 

Në bashkinë e Fierit në disa prej qendrave të votimit ende nuk ka filluar procesi i votimit, ndonëse qytetarët janë paraqitur për të votuar. Shkak është bërë mungesa e komisionerëve të Partisë Demokratike. Në qendrën e votimit numër 302 nuk ka mbërritur ende sekretari.

Ora 07:34
Zgjedhjet në Korçë, pajisja e identifikimit biometrik 'PEI' shfaq probleme! Votimi vazhdon manualisht me listë

 

Në shumë qendra të votimit të Korçës, pajisja e identifikimit Biometrik ‘PEI’, ka shfaqur probleme në hapje të votimit. Operatorët përgjegjës po mbajnë aktualisht kontakt me KQZ-në për riparimin e defektit. Ndërkohë për shkak të kësaj problematike nuk është ndaluar procesi, por po vazhdon manualisht me listë, gjithsesi procedura e votimit po vonohet.

Ora 07:18
Kryekomisioneri Celibashi shkon për të votuar që në 7:00, has probleme me aparaturën e identifikimit elektronik

1684041596_50de434d996a4856808f719cca772ecd.jpg

Që në orën 7:00, Kryekomisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi u paraqit në qendrën e votimit në shkollën ‘Dëshmorët e Lirisë’ për të votuar, por hasi fillimisht një problem me aparaturën e identifikimit elektronik.

"Jemi duke sjellë një pajisje tjetër, duket se ka ndodhur një problem gjatë transportit pasi pajisja që ishte në qendër konfirmohet se nuk funksionon", ka thënë Celibashi. 

Ndërsa për mediat ai tha se "Pajisjen për fat të keq duhet ta ndërrojmë nuk e di me saktësi problemin por ndoshta gjatë transporti janë bashkuar në mënyrë mekanike USB është problem i brendshëm i pajisjes dhe operatori nuk mund ta zgjidhë vetë jemi duke sjellë një pajisje tjetër se operatori nuk e zgjidh dot këtë problematikë". 

Ora 07:03
Ora 7:00, nis zyrtarisht procesi i votimit

 

Më orën 7:00 ka nisur procesi i votimit. Ende nuk ka informacion të konfirmuar nëse ka ndonjë nga mbi 5200 qendra votimi që ka probleme.

K.T./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lono: 15/05/2023 07:55

    Po per deshtimin e votimit elektronik do mbaj njeri pergjegjesi apo varja muhabet shqiperie. Te hapi doreheqjen drejtuesi se ne 2023 te njejtat muhabete

    Përgjigju
  • Iris: 15/05/2023 01:42

    % e vertete do te dale kur t'u njihet e drejta e votimit dhe emigranteve.Ato aparaturat per ID, KQZ duhet t'i kishte testuar disa dite me pare qe te mos kishin kaq probleme sot,s.d.q ketu tek ne nuk perdoren per votim,pasi mashtrimet ndodhin jashtezakonisht rradhe.Tek ne perdoret identifikimi manual,por votimi eshte gjithemone elektronik.Por ne kemi pasur dikur ne pune aparat biometrik qe perdorej si menyre punchimi ne fillim e fund te orarit te punes dhe kur behen lunch-et gjysem oreshe,ishte me identifikim te gjurmes se gishtave.Nuk ishte shume funksional se ca i merrte,ca jo,ne fund e hoqen si jo praktik dhe kaluan ne aparatura qe njohin elektonisht numerin e punonjesit,por ka akoma kompani qe i perdorin.Por per votim nuk behet fjale.

    Përgjigju
  • Analiza: 14/05/2023 18:47

    Ne fakt % eshte me e larte por duke pare qe besoj nga keto 5-6 vite kane emigruar 200-500mije i bie te dale % me e ulet ne fakt pak a shume % eshte e njejte nese llogaritet edhe emigrimi! Mesa duket realisht ne shqiperi jane 2.2-2.4 milion persona jo 2.8-2.9milion pra duhet rishikuar numri ne vend me numrin real

    Përgjigju
  • Shokutarras: 14/05/2023 17:49

    Fatkeqesisht ka humbur shpresa ne vendin tone dhe e vetmja zgjidhje qe njerezit shohin esht vetem largimi. As nuk i bir me ndermend se cili plere do vendoset ne krye. Ilace i befshit leket e vjedhura

    Përgjigju
  • Diti: 14/05/2023 14:43

    Votoni o dele …. Numerimin e bejne ustallaret …. !!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë