GJIROKASTËR- Në kuadër të zhvillimit të takimeve më qytetarët në bashkitë e vendit, kreu i qeverisë Edi Rama, e ka nisur ditën sot nga qyteti i Gjirokastrës, për të cilin tha se megjithëse është tetor, është një qytet që po gëlon nga turistët.

Duke u ndalur tek sektori i turizmit, kreu i qeverisë ka zhvilluar një bisedë me pronarin e një hoteli në Gjirokastër, i cili ka treguar se ky vit ishte një vit i suksesshëm, pasi kanë pritur shumë turistë.

Në shenjë mikpritje, pronari i hotelit i ofroi kreut të qeverisë që për mëngjes të provojë edhe ushqimet tradicionale të hotelit, të gatuara nga gratë nikoqirë të Gjirokastrës, siç është edhe trahanaja. Por Rama refuzoi, duke pohuar se ai ha shumë pak.

Pronari: Ishte një ndërtesë e vjetër. Me shumë punë e përshtatëm. Kam pasur hotel në Gjirokastër më poshtë, dhe duke punuar vajtëm 15 vite më turizëm dhe ndërtuam këtë lart. U munduam dhe ja arritëm. Gjirokastra është plot me turistë dhe këtë vit ka qenë bombë fare. Ka qenë viti më i mbarë, sezoni po zgjat aq shumë sa nuk po pushojmë akoma. Me Bypass-in dhe parkimin do të jetë super fare. Pagat i kemi rritur.

Rama: Sa merr ajo vajza?

Pronari: Ajo merr 350 mijë lekë në muaj, por është studente tani ka ardhur.

Punëtorja: Nuk krahasohet puna si në vendin tënd. Jam në shtëpi me prindërit, me njerëzit e tu. Andej mund të paguhem, por jetesa nuk është njësoj. Është më mirë të jem me prindërit, sesa të kem lekët dhe mos të kem prindërit afër.

Pronari: Kishim dëshirë që të provonit, trahananë e këto gjerat e tjera të grave gjirokastrite se janë shumë nikoqire.

Rama: Atë e di unë, por ha pak unë, ha shumë pak!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:58
Rama inspekton punimet në Bypass-in e Gjirokastrës, ministrja: U vonuan sepse pritëm këshillimet me UNESCO-n! Kryeministri: Lëri spekulimet, atë punë kanë

 

Nga Gjirokastra, kreu i qeverisë Edi Rama ka parë nga afër punimet në qytet. I shoqëruar nga ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, kjo e fundit sqaroi edhe vonesën e vendosjes në funksion të Bypass-it duke iu përgjigjur spekulimeve. Ajo u shpreh se kanë pritur përfundimin e procedurës së këshillimit me UNESCO-n. 

“Nga pikëpamja e infrastrukturës kanë filluar bizneset janë hapur dhe i kanë kthyer në hapësira komerciale. Bypass-i ka dalë spektakolar. Mirë është ta themi sepse ka pasur spekulime, u vonua sepse ne pritën të gjithë procedurën e këshillimit me UNESCO-n. Mirë është ta themi sepse nuk kemi pse të lejojmë spekulimet”, tha Kumbaro.

Nga ana tjetër Rama ironizoi spekulimet ndaj projektit. “Lëri spekulimet, atë punë kanë”, deklaroi Rama.

Ora 08:15
Rama e nis mëngjesin nga Gjirokastra: Gëlon nga vizitorët dhe nga turistët

Gjirokastra i vijon që të gëlojë nga turistët, pavarësisht se gjendemi në muajin tetor. Kështu shprehet kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar një video nga qyteti i Gjirokastrës duke treguar edhe hotelin ku ka kaluar natën, një strukturë tradicionale e kthyer tashmë në pjesë të rrjetit të mikpritjes.

‘Mirëmëngjes nga Gjirokastra. Ja edhe hoteli ku fjeta mbrëmë një tjetër derë e hapur në zinxhirin e shtëpive dhe strukturave tradicionale të kthyera në pjesë të rrjetit të mikpritjes. Në një qytet që vazhdon edhe sot në tetor, që pash mbrëmë gëlon nga vizitorë dhe turistë. Ditë të mbarë.’- shkruan Rama.