Rama: Bojkotimi i punës në Rinas vepër penale, frymëzuesit janë Saliu dhe Iliri! Basha: Rama të ndalë kërcënimet ndaj shqiptarëve! Meta: Të rinisë puna

Pezullimi i fluturimeve në aeroportin e Rinasit për shkak të bojkotimit të punës së kontrollorëve të trafikut ajror në Rinas, ka sjellë përplasje edhe midis përfaqësuesve të politikës në vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook, e cilëson protestën si një sabotim të rëndë të aktivitetit të Aeroportit "Nënë Tereza" dhe se nuk do të tolerohen.

Frymëzuesit e asaj që Rama i cilëson si lëvizje të çartur, janë sipas tij Presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas Ramës, këta të fundit duan mbylljen e aeroportit që në vend të mos vijnë vaksinat.

"Sabotimi i rëndë i aktivitetit të Aeroportit "Nënë Tereza" nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës "Leshko" dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat! Organizatorët do të kallëzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin, që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve! Të tjerët duhet të vendosin menjëherë:O me shtetin në punë o me anti-shtetin në një proces penal për cenim të sigurisë kombëtare. Bojkotimi i punës për kontrollin ajror është vepër penale dhe ndëshkohet ligjërisht!'- shkruan kreu i qeverisë.

Sakaq presidenti Ilir Meta në një reagim në rrjetet sociale ka publikuar një shkresë zyrtare ku thotë së ka njoftuar kryeministrin Edi Rama mbi problematikat që i kishte adresuar Sindikata e Pavarur e Kontrollit të Transportit Ajror.

Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar Ramën, duke i bërë thirrje që të ndalë grevën dhe kërcënimet ndaj shqiptarëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:13
“I kam dërguar letër me problematikat e Sindikatës”, Rama i përgjigjet Metës: Nxitës i kësaj goditje të çmendur, por s’do ja dalin dot

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar Presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha si nxitës të pezullimit të punës së kontrollorëve, duke bërë që të pezullohen fluturimet në aeroportin “Nënë Tereza”.

Rama ka reaguar përmes një postimi në Twitter, pasi Presidenti Meta tha se i kishte nisur atij një letër pak ditë më parë, për ta lajmëruar mbi problematikat që i kishte adresuar Sindikata e Pavarur e Kontrollit të Transportit Ajror.

Deklaratën e Metës Rama e ka cilësuar si “humor vulgarë”.

“Humoret vulgare të IM ndërkohë që një grup i nxitur prej tij dhe Saliut, kanë kryer aktin e rëndë të bllokimit të aktivitetit të aeroportit "Nënë Tereza", thjesht rikonfirmojnë se IM është nxitës i kësaj goditjeje të çmendur e s'ka shqiptar që s'e kupton pse! Po s'do ia dalin jo!”, shkruan Rama.

Ora 14:42
Meta publikon letrën që i ka dërguar Ramës: Përgjigjen do ta marrë nga Vlora, ftohet edhe 'Tërmeti' sepse ka përvojë me aeroportet

1617780830_IlirMetaPresidentDeklarate.jpg

Presidenti Ilir Meta ka publikuar në rrjetet sociale një letër të cilën ja ka nisur pak ditë më parë kreu të qeverisë Edi Rama, për ta lajmëruar mbi problematikat që i kishte adresuar Sindikata e Pavarur e Kontrollit të Transportit Ajror.

‘Qeverisë së 1 Prillit do t’ia jap sot pasdite nga Vlora përgjigjen për çështjen e Aeroportit të Rinasit, si çështje shumë e rëndësishme e sigurisë kombëtare dhe e detyrimeve ndërkombëtare.

Nëse është hapur Aeroporti i Vlorës, konferencën e shtypit do e bëjmë atje, por nëse jo, në një ambient tjetër të përshtatshëm për të cilin gazetarët do të njoftohen në kohë.

Ftohet dhe “Tërmeti” të marrë pjesë për shkak të përvojës së tij me aeroportet, fluturimet dhe jo vetëm.’- shkruan Meta.



Letra që presidenti Ilir Meta i ka dërguar kreut të qeverisë
 
Ora 14:34
Pezullimi i fluturimeve, Rama i përgjigjet Metës: Je një nga dy nxitësit e kësaj goditje të çmendur, kërkon rrëzimin e qeverisë

1617734730_edirama31770x4311.png

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur presidentit Ilir Meta, pas deklaratës se duhet të rinisin punimet në aeroportin e Rinasit.

‘Ilir, dokrrat me injorimin e kërkesave të pseudosindikatës së kontrollorëve dhe predikimet për mosndërprerjen e punës në aeroport nuk pinë ujë! Je një nga dy nxitësit e kësaj goditjeje të çmendur, në kërkimin e palodhur të rrëzimit të qeverisë e të vetë shtetit!T'i harrosh të dyja!’- shkruan Rama.

Ora 14:29
Greva e kontrollorëve të AlbControl, Basha: Rama ta ndërpresë menjëherë grevën dhe të ndalë kërcënimet ndaj shqiptarëve

1617622038_Basha.jpg

Kreu i PD Lulzim Basha ka reaguar lidhur me ndërprerjen e fluturimeve në rinas pas grevës së kontrollorëve të AlbControl. Për këtë situatë Basha ka akuzuar Ramën, duke i bërë thirrje që të ndalë grevën.

"Rama e di tashmë fare mirë se do të humbasë, prandaj po përdor çdo marifet të pisët. Pas grevës në aeroport që dëmton qytetarët shqiptarë qëndron vetë Rama. Ai është i vetmi përgjegjës për këtë. I bëj thirrje Ramës ta ndërpresë menjëherë grevën dhe të ndalë kërcënimet ndaj shqiptarëve që sot duan ndryshim dhe shpresë pas 8 viteve të dështimeve të tij", thotë Basha.

Ora 13:54
Pezullimi i fluturimeve në Rinas, reagon Meta: Ndërprerja e punës nuk është zgjidhje! Siguria e hapësirës ajrore, është çështje e sigurisë kombëtare

Presidenti Ilir Meta në një reagim zyrtarë në rrjetet sociale thekson se është shumë i shqetësuar në lidhje me situatën që po zhvillon ndërprerjen e shërbimeve të fluturimeve ajrore.

Meta thekson se ndërprerja e punës për monitorimin dhe kontrollin e Trafikut Ajror nga kontrollorët e “Albcontrol” nuk është zgjidhje dhe se siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare

‘Jam shumë i shqetësuar për situatën, që po zhvillohet me ndërprerjen e shërbimeve të fluturimeve ajrore për shkak të reagimit të Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror, të cilët duket se nuk kanë arritur një dakordësi me Qeverinë dhe organet drejtuese të “Albcontrol”, lidhur me kërkesat e tyre.

Ndërprerja e punës për monitorimin dhe kontrollin e Trafikut Ajror nga kontrollorët e “Albcontrol” nuk është zgjidhje.

Siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare.

I kam paralajmëruar publikisht dhe zyrtarisht të gjitha institucionet përgjegjëse të Qeverisë se duhet të merrnin masa konkrete për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje. Injorimi i kërkesave të kontrollorëve nuk është e drejtë.

Edhe pse askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka treguar sinqeritet dhe gadishmëri për të diskutuar në kohë me anëtarët e Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror lidhur me shqetësimet e tyre, ritheksoj edhe një herë se është e domosdoshme që:

- Kontrollorët duhet të qëndrojnë në detyrë pa asnjë ndërprerje dhe të përmbushin misionin e tyre për të garantuar funksionimin e përshtatshëm dhe pa asnjë problematikë të kontrollit të trafikut ajror shqiptar;

- Në çdo kohë dhe pa ndërprerje të garantohet cilësia dhe objekti i punës së “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë për fluturimin ajror civil dhe ushtarak, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare;

- Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, ka përgjegjësinë dhe detyrimin, që të garantojë, që hapësira ajrore e saj të konsiderohet në çdo kohë e sigurtë për fluturimet ajrore;

- Nuk duhet të lejohet asnjë rrezik për cenimin e sigurisë dhe mirëqarkullimit të hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, sidomos në kushtet kur për pak ditë në Shqipëri do të nisë përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjes së përbashkët të forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate “Defender Europe 21”, nga ku pritet që trafiku ajror në vendin tonë të rritet ndjeshëm, si në fluturimet ushtarake, edhe në ato civile.

Qeveria dhe Organet Drejtuese të “Albcontrol”, duhet të vlerësojnë me seriozitet dhe shumë kujdes kërkesat e kontrollorëve, qëndrimet zyrtare që ATCEUC-Kontrolluesit e Trafikut Ajror dhe Koordinimit të Bashkimit Europian, për gjetjen e zgjidhje të drejtë, duke ju referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje, për trajtimin e kontrollorëve të trafikut ajror në këtë kohë krize globale të shkaktuar nga Covid-19, ku para së gjithash primare duhet të jetë garantimi i sigurisë së fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare. ‘- shkruan Meta.

Pak ditë më parë presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti me kërkesë të tyre një përfaqësi të “Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror”, të cilët në mënyrë të vazhduar kanë përcjellë pranë institucioneve shtetërore, shqetësimin lidhur me vendimmarrjet e Këshillit Mbikqyrës të Shoqërisë “Albcontrol” sh.a, që sipas tyre ju kanë cenuar të drejtat legjitime si punëmarrës.

Sipas përfaqësuesve të kësaj Sindikate, vendimmarrjet e Këshillit kanë shkelur një sërë rregulloresh dhe manualesh, që lidhen me ruajtjen e sigurisë së operimit të trafikut ajror në hapësirën ajrore shqiptare, duke vënë në rrezik individualisht dhe kolektivisht të gjithë trupën e kontrollorëve të trafikut ajror, shoqërinë “Albcontrol” sh.a. por njëkohësisht dhe sigurinë e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë.

 

M.Q./b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë