Presidenti Bajram Begaj uroi shqiptarët për një nga festat që ka mbijetuar përtej shekujve e lidhur ngushtë me natyrën dhe me shpirtin e popullit tonë, siç kreu i shtetit thekson, mes urimeve që kjo festë të sjellë gëzim në çdo familjeje shqiptare.
Me pamjet e Elbasanit të mbushur me gjallërinë e festimeve të Ditës së Verës, dhe qindra qytetarëve në rrugët pranë Kalasë së qytetit, mes ngjyrave, muzikës e panaireve, kryeministri Edi Rama uroi shqiptarët.
Përmes rrëfimit të grave të një familjeje në lagjen Kala, kreu i qeverisë solli nga qyteti simbol i Ditës së Verës, përgatitjen e ëmbëlsirës traditë të kësaj feste, ballokumes.
Më tej, sërish në rrjetet sociale, një kolazh artistik me veshjet tradicionale të të gjitha trevave.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha urimet i përcolli nga qyteti i Elbasanit, pa u shkëputur dot nga situata politike dhe refuzimi i kërkesës së SPAK nga mazhoranca për arrestimin e zv/kryeministres.
“Në 34 vite kjo është dita e parë e verës në të cilën dyert e Europës u mbyllën për shqiptarët për shkak të veprimeve të pashembullta në historinë e vendeve që shkojnë drejt integrimit nga dyshja Rama-Balluku. Ndaj dhe le të urojmë dhe të punojmë që dita tjetër e verës të na gjejë sa më afër ëndrrës tonë evropiane", tha Berisha.
Ditën e Verës ish-presidenti Ilir Meta, e uroi nga paraburgimi në një postim në rrjetet sociale.
Ndërsa ministri i ri i drejtësisë, Toni Gogu vizitoi Institutin e të Miturve në Kavajë duke i uruar për Ditën e Verës dhe rikthimin sa më shpejtë në jetën aktive.

Ish-ministrja e Jashtme dhe deputetja Elisa Spiropali ka reaguar në rrjetet sociale, duke uruar shqiptarët për Ditën e Verës. Teksa ka publikuar një foto me djalin e saj 6-vjeçar, Elisa Shkruan “Gëzuar Ditën e Verës e çdo ditë përpara”.
Elisa Spiropali ‘rikthehet’ pas debatit për mungesën e saj në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë Socialiste, ndërsa nuk shkoi as në Kuvend ku socialistët “mbrojtën” mandatin e deputetes Balluku.

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu zhvilloi një vizitë në Institutin e të Miturve në Kavajë, me rastin e festimit të Ditës së Verës, ku u zhvilluan aktivitete kulturore dhe edukative me pjesëmarrjen e të rinjve të institucionit. Ai u njoh nga afër me aktivitetet që zhvillohen në institut dhe theksoi rëndësinë e programeve të rehabilitimit, arsimit dhe formimit profesional për të rinjtë që ndodhen në konflikt me ligjin.
Në fjalën e tij, ai nënvizoi se drejtësia për të miturit duhet të shkojë përtej ndëshkimit dhe të krijojë mundësi reale për rikthimin e tyre në shoqëri.
“Një shoqëri e fortë nuk është ajo që vetëm ndëshkon gabimet, por ajo që krijon mundësinë që një i ri të ngrihet përsëri dhe të ndërtojë një rrugë të re në jetë,” u shpreh ministri.
Gjatë aktivitetit, ministri dhuroi për bibliotekën e institutit librin “Të Mjerët” të Viktor Hygo, një nga veprat më të njohura të letërsisë botërore, që trajton temën e drejtësisë, mëshirës dhe shansit të dytë në jetë. Ministri theksoi se sistemi i drejtësisë për të miturit duhet të fokusohet gjithnjë e më shumë në arsim, aftësi profesionale dhe programe rehabilitimi që ndihmojnë të rinjtë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë.
Urimin e Ditës së Verës, kryetari i PD, Sali Berisha, e bëri nga qyteti i Elbasanit ku zhvilloi një vizitë në panairin e organizuar në qytet.
Urimin e zakonshëm ai e lidhi edhe me zhvillimet e fundit duke thënë se Rama dhe Balluku nuk kanë më të ardhme. Berisha u shpreh se kjo është dita e parë në 34 vite që u mbyllën dyert e Europës prej veprimeve të Ramës e Ballukut.
“Së pari, qytetarëve, banorëve të Elbasanit, sot si kryeqyteti i festës për mbarë kombin, u uroj gëzuar Ditën e Verës, festën më të lashtë jo vetëm të shqiptarëve ç’është e vërteta, por edhe të kombeve të tjera, një ditë që ngjall shpresë, frymëzon ripërtëritje, një ditë pra gëzimi.
Dhe sot këtë festë shqiptarët e festojnë më të bindur se kurrë se festën tjetër të keqen ia lanë dimrit dhe Rama me lubinë të ardhme nuk kanë më. Kjo është dita e fundit e verës që ata i gjen me karrige të thyer ashtu siç janë. Nuk e meritojnë!
Ndaj dhe le të urojmë që Ditën e ardhshme të Verës, qytetarët e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë ta festojnë siç ua do zemra, ta festojnë me dyer të hapura drejt të ardhmes dhe drejt Europës. Është e trishtë dhe e dhimbshme se në 34 vite kjo është Dita e parë e Verës në të cilën dyert e Europës u mbyllën për shqiptarët për shkak të veprimeve të pashembullta në historinë e vendeve që shkojnë drejt integrimit nga dyshja Rama-Balluku. Ndaj dhe le të urojmë dhe të punojmë që Dita tjetër e Verës të na gjejë sa më afër ëndrrës tonë europiane”, tha Berisha.

Foto: Ilir Meta
Ish-presidenti Ilir Meta ka uruar shqiptarët për ‘Ditën e Verës’.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shprehet se pas një dimri të vështirë pranvera po troket me shpresë të re
“Gëzuar Ditën e Verës! Pas një dimri të gjatë dhe të vështirë, pranvera po troket me shpresë të re dhe plot gjallëri”, shkruan Meta.
Komente











