Elbasan u rikujtuan traditat dhe ritualet e lashta të Dita e Verës, një festë me origjinë pagane që simbolizon ardhjen e pranverës dhe lidhjen e qytetit me trashëgiminë e tij kulturore

Në prag të 14 Marsit, një nga traditat më të hershme të qytetit të Elbasan, studiues dhe qytetarë u mblodhën në Biblioteka Publike Qemal Baholli për të rikujtuar origjinën dhe ritualet e kësaj feste me rrënjë pagane.

Gjatë takimit u diskutua për historinë e festës, e cila lidhet me ciklin e natyrës dhe ardhjen e pranverës. Sipas studiuesve, kjo ditë kremtohej si një shenjë mirënjohjeje ndaj natyrës dhe fillimit të një cikli të ri jetësor, kur gjithçka nis të gjelbërojë dhe të lulëzojë.

“Do të doja që disa rituale të përsëriteshin, si ajo pjesa e bukur e marrjes së barit që vendoset tek pragu i derës, vendosja e luleve manushaqeve dhe karakafteve, që janë simbolika e lulishtes së elbasanllinjve. Kjo është një gjë që në familjet e reja sot nuk po ndodh më si traditë, por gjithsesi nga moshat e vjetra ende ruhet dhe zbatohet. Po bërja e ‘kamës’ si është? Ka qenë dhe mbetet në këtë traditë që fëmija që duhet të shkelë, apo të bëjë ‘kamë’ siç e themi ne në Elbasan, duhet të ishte djalë, sepse lidhet edhe me atë që ne shqiptarët e kemi: djali është gjithmonë shtylla e shtëpisë",- tha historian Bardhyl Toda.

Pjesë e diskutimit ishte edhe simbolika e riteve që kryheshin mëngjesin e 14 marsit, të cilat përfaqësonin dëshirën për një vit të mbarë dhe të begatë.

“Nënat në mëngjesin e datës 14 zgjonin të gjithë anëtarët e familjes që të vinin të bënin ritet që përmendi Bardhi. Përveç kësaj, lanin fytyrën dhe shkonin përpara një tenxhereje me qumësht për t’u parë si në pasqyrë. Kjo tregonte se dëshira e tyre ishte që të reflektonin bardhësi në zemër, në shpirt, në sjellje dhe në mendime dhe që pranvera apo vera që po vinte të ishte e bardhë si qumështi",- thotës mësueja Anila Çota.

Një tjetër traditë e pandashme e festës mbetet edhe përgatitja e ballokumeve, ëmbëlsira karakteristike e qytetit.

“Kur ne gatuanim dikur ballokumet, na duhej që të asistonte një gjyshe me emër e me zë, që sekreti i ëmbëlsirës të bëhej si duhet dhe të mos dëmtohej kjo ëmbëlsirë kaq delikate, e cila jo gjithmonë na del ashtu siç duhet",- thotë mësuesja Migena Kapllani.

Takimi në bibliotekën e qytetit u kthye në një mundësi për të rikujtuar dhe ruajtur traditat e Elbasanit, duke i lidhur të rinjtë me një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.