Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama për mashtrim, lidhur me apartamentet e ndërtuara nga Turqia të cilat iu dorëzuan 522 familjeve në Laç me ceremoni 3 javë më parë, gjatë vizitës së presidentit turk Erdogan.

Zhupa thotë se në ato shtëpi nuk është futur asnjë familje dhe e cilësoi si “show” ceremoninë në të cilën ishte i pranishëm Rama dhe Erdogan

“Gati 3 javë më parë, Edi Rama përdori presidentin e Turqisë për të mashtruar me apartamentet e ndërtuar nga turqit në Laç. Rama dhe Erdogan u dhanë çelësat 4 familjeve, por, në të vërtetë, ato ishin vetëm sa për propagandë.

Në kompleksin e pallateve të reja, nuk ka hyrë asnjë familje.

Gjithçka ishte një shoë, i vënë në skenë nga Edi Rama. Banorëve nuk u jep askush përgjigje pse nuk po futen akoma në shtëpitë e tyre. Sa më gjatë rrinë ata në shtëpi me qira, aq më i madh është dëmi që i shkaktohet buxhetit, duke paguar bonusin e qirave, ndërsa shtëpitë e reja kanë përfunduar së ndërtuari rreth 3 muaj më parë.

Qeveria dhe bashkia heshtin, duke sjellë vërdallë mbi 500 familje të Laçit, që po pengohen të hyjnë në shtëpitë e tyre, të inauguruara 2 herë deri tani. Një herë nga Rama para Vitit të Ri, një herë nga Rama dhe Erdogan 3 javë më parë.”, shkrua ajo.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan zhvilloi më 17 janar një vizitë 1-ditore në vendin tonë. Ai  e nisi vizitën me ceremoninë e dorëzimit të çelësave të shtëpive banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Një lagje e re me 522 banesa  që kushtuan 42 mln euro, të financuara nga Turqia, e që për Erdogan shërbejnë për të forcuar më tej marrëdhëniet mes dy palëve. Ai u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Kurbinit” e ndërsa një shesh në Laç do të mbajë emrin e tij.