DIBËR- Me një foto duke pirë ujë të pijshëm në Dibër ka zgjedhur kryeministri Edi Rama t’i përgjigjet akuzave të opozitës që e shigjetojnë se ende del nëpër qytete të Shqipërisë dhe premton ujë 24 orë për qytetarët. Rama thotë se shkak që ende flitet për ujë të pijshëm në shekullin 21 është bërë sistemi që kanë lënë vite më parë partia e rublave me vjedhjet masive të ujit përmes lidhjeve të paligjshme, por edhe në katrahurën e borxheve që kishin futur sistemin e ujësjellësve.

I gjithë mandati i parë i Partisë Socialiste, sipas Ramës ka qenë i përqendruar në sfidën për të dalë nga ‘gropa’ e borxheve të ujësjellësit e ndërsa në mandatin e dytë harta e vendeve që furnizohet me ujë të pijshëm çdo 24 orë është zgjeruar nga jugu në veri të vendit. Kreu i qeverisë shkruan se PS po punon që t ambyllë këtë plagë të vjetër të lënë nga non grata dhe t’i jepet fund kësaj agonie, me një përfundim, ujë të pijshëm 24 orë në të gjithë Shqipërinë.

“DY FJALË PËR UJIN NË DIBËR, që ka ardhur me pikatore, 2 deri 4 orë në ditë, qysh në kohë të komunizmit e këtej mbrapa po e po. Ne nisëm në krye të herës një reformë dhe bëmë një plan investimesh për ujin e pijshëm 24 orë. Mandati i parë ishte dalje nga gropa e thellë e borxheve dhe kusureve të Partisë së Rublave. Investimet për ujin ecën, por me ngadalësi - akoma më ngadalë në bashkitë e rublaxhinjve. Mandatin e dytë u rrit ndjeshëm ritmi edhe falë largimit të ujëthithësve të LSI nga prehri ynë, deri kur erdhën me radhë tërmeti e pandemia, që diktuan përsëri ngadalësim të këtyre investimeve. Puna sidoqoftë vazhdoi pa ndërprerje dhe harta e mbuluar me ujë 24 vazhdoi të zgjerohet.

Disa që bëjnë interesantin kundër të gjithëve, thonë mallkuar PS e PD që merren akoma me ujin, kur bota merret me Hënën e me Marsin! Po si qenka njësoj PS, e cila me qeverisjen e saj po e mbyll, hap pas hapi, plagën shekullore të mungesës së ujit të pishëm, me PD që jo nuk bëri asgjë për ta kuruar këtë plagë të vjetër, po e thelloi atë me rrumpallën e krijuar në sistemin e ujësjellësave dhe stimulimin e vjedhjes masive të ujit përmes lidhjeve të paligjshme(?)! Dhe më falni po çfarë faji kemi ne konkretisht, që e trashëguam një plagë të tillë nga shekujt, apo mos vallë duhet të na vijë turp pse po e kurojmë dhe po e shërojmë hap pas hapi(?)”, shkruan Rama.

Prej disa ditësh, Rama thotë se ka përfunduar furnizimi me ujë të pijshëm për të gjithë bashkinë e Dibrës, ku përfitojnë 36 mijë abonentë. Ndërkohë, Rama njofton se uji i pijshëm do të jetë gati në fund të pranverës edhe për bashkinë Mat.

“Bashkia Dibër e nisi para disa ditësh furnizimin me 24 orë ujë të 36 mijë abonentëve, ndërkohë që deri në pranverë, do të mbulohet me ujë 24 orë edhe Bashkia Mat, ku furnizimi i ujit të pijshëm qysh në kohë të komunizmit ka qenë 1 deri 2 orë në ditë. Natyrisht që do të kishte qenë mirë të mos e kishim pasur ujin e pijshëm problem për zgjidhje në dekadën e dytë të shekullit 21. Por, sinqerisht, nuk i kuptoj disa që shajnë e mallkojnë me tërbim sa herë flitet e punohet për ujin e pijshëm, a thua se ne po ia presim ujin popullit dhe jo po ia çojmë përditë e më shumë në çezëm, nga Veriu në Jug, falë investimesh masive e një pune të mundimshme plot pengesa", shkruan Rama. 

I akuzuar si diktator nga opozita, Rama thotë se është i pari që ka mbyllur hesapet me Enver Hoxhën.

“Disa të tjerë shajnë në tym pse unë ngrita një shëndet me ujë dje në Dibër, jo Enveri, jo komunizmi, jo tërrci-vërrci! Po që të jemi shumë të qartë, e para ujë të pijshëm 24 orë nuk ka pasur në shumë e shumë zona të Shqipërisë, përfshirë edhe Dibrën, as në kohën e Enverit dhe e dyta, kur unë ngre shëndet me ujë as më shkon mendja hiç tek Enveri, se me Enverin i kam mbyllur hesapet i pari fare në këtë vend, kur fola publikisht kundër tij e kërkova lirimin e të burgosurve politikë bashkë me Ardian Klosin, teksa të tjerët, me Hienën Nongrata në krye nuk bëzanin për shokun Enver dhe i quanin të burgosurit politikë “llumi i shoqërisë”.

Ka edhe disa që thonë mos u merr me ata që shajnë e mallkojnë. Po në fakt unë s’u mora me ta këtu, po u mora me vetë faktin që tregon ndryshimin e madh mes PS, e cila po realizon hap pas hapi, planin e vonuar me shekuj për Ujin 24 orë dhe Aleancës së Rublave, partira, pëdëra e lirira, kanale e portale, të cilat derdhin përditë në veshët e shqiptarëve ujrat e zeza të urrejtjes së tyre, e hedhin përditë në sytë e shqiptarëve baltën e zezë të ligësisë së tyre. Sa për atë krahasimin me Enverin, gëzuar edhe një herë Dibra! Me Ujë 24 orë”, shkruan Rama.

Prej dy ditësh, kryeministri Edi Rama ka qenë në Dibër ku ka zhvilluar takime me qytetarë, të rinj, fermerë e sipërmarrës, takime në të cilat kanë qenë në fokus zhvillimet që ka njohur kjo zonë, por edhe se çfarë mund të bëhet më shumë, për ta kthyer atë në një atraksion turistik me bujtina agro turizmi, por edhe për të përmirësuar sektorin e bujqësisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:16
Zgjedhjet, Rama nga Dibra: PS nga tërmet do ta bëjë cunam

 

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar cunam nga partia Socialiste pas takimeve të zhvilluara në Dibër. Rama ndau në rrjetet sociale momente nga ky takim, që mbylli vizitën në qarkun e Dibrës.

Pjesë e takimit ishte edhe urimi për bashkëkryetaren e PS-së së qarkut të Dibrës, e cila festoi dje ditëlindjen.

‘Ne jemi Partia Socialiste e tërmetit, domethënë e Dibrës ishte tërmet me një kryetar me bashkëkryetaren që kishte edhe ditëlindjen që sapo fiku qirinjtë do të jetë cunam’, tha Rama në videon e publikuar.