"Prapa luftës së një kompanie qëndron përpjekja juaj për kompaninë tuaj. Aksioni kishte një qëllim, t'i hapësh fushën 'vëllaçkos' në hakmarrjen për drejtësi, e cila po fut me shpejtësi të madhe me qindra e qindra makina çdo ditë", tha Berisha. Nga ana tjetër, kryeministri Rama, duke shprehur vendosmërinë për të çuar deri në fund luftën kundër krimit ekonomik, tha se aktiviteti kriminal me lojërat e fatit ishte mbuluar nga paraardhësi i tij Berisha dhe ministri i Punëve të Brendshme. Ndërkohë që shefi i qeverisë e ironizoi deklaratën e Berishës, duke thënë: “Këto mure e dinë se çfarë kanë dëgjuar nga kjo foltore, nga këto foltore, pikërisht në adresë individësh, sipërmarrësish, kompanish, jo njëherë, jo dy apo tre herë, por 20 vjet me radhë, nga e njëjta gojë e shthurur dhe nga i njëjti korr gojështhururish, që pas gojës së shthurur e kanë shthurur dhe e kanë bërë copë-copë këtë shtet.
Do të shkatërrojmë çdo monopol që kemi gjetur dhe që do të gjejmë në rrugën tonë", tha Kryeministri Rama. Ndërkohë që nga ana e tij, ministri Tahiri akuzoi Berishën se nuk ka marrë asnjë masë për mbylljen e këtyre bizneseve të paligjshme. “Do kisha preferuar këtë që të çoheshit dhe të falënderonit 6 mijë oficerë të nderuar të policisë së Shtetit, që me një aksion të papara i dhanë fund paligjshmërisë që ngritët ju në institucion, sepse unë nuk besoj kurrë që një kryeministër – paligjshmëria e lojërave të fatit i përplasej në fytyrë mu në mes të Tiranës dhe nuk merrte asnjë masë për të mbyllur një biznes të paligjshmëm”, i drejtua Tahiri Berishës.
Përplasja Balla-Olldashi
Një tjetër përplasje që ngjalli debate në seancën e djeshme plenare ishte pikërisht edhe ajo për monopolin e udhëtimieve ajrore, ku sipas Ballës qeveria paraardhëse e kishte shndërruar në monopol. Njëkohësisht ai akuzoi ish ministrin e Transporteve për shpërdorim të fondeve për portet detare në vend. Olldashi nga ana e tij tha se mazhoranca nuk duhet të harrojë investimet e qeverisë paraardhëse.
Batutat në seancë
Olldashi: Të vish këtu e të flasësh broçkulla, të thuash që pinë rojet lëngje, apo toçllëqe se portet janë të rethuara me kangjella hekuri, sepse nuk ka port në botë që nuk janë të rrethuar, për elemente sigurie. Mos i jepni konotacion politik, sepse uji i detit është blu nuk mund të bëhet dot i kuq.
Balla: 54 milion USD paguajnë sot qytetarët shqiptar, ndërsa katër kompani të lidhura me ish – ministrin e Transporteve, të lidhura me ish – kryeministrin, vazhdojnë sot të vjelin fitimet. Nuk e di anijen që bën linjën Sarandë-Korfuz se destinacionin vetë e bën me jaht. Ndërkohë që anijes së pasagjerëve i kanë shtruar fundin me beton që të mos fusë ujë. Belle Air i ka 8.5 mln euro borxh tatime, dhe 5.6 mln euro borxh aeroportit të cilat nuk janë vjelë për shkak të shfrytëzimit gjatë fushatës zgjedhore.
Berisha: Çfarë bëtë ju me lojërat e fatit? Kush u arrrestua? Cili nga këta shkoi për shkelje? Turp! Ngritet 6000 mijë polic në mbarë vendin dhe u katandisët me një vrasje. Dhe kush u vra? Njëriu më i afërt i ministrit të Brendshëm.
Tahiri: Keni lënë policinë rrugore më të korruptuar që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. As kur badigardi i djalit tuaj plagoste me armë në dorë kamarierin në mes të Tiranës.
Berisha: Fol për atë që u vra.
Rama: Si ka mundësi që në të gjithë këtë bahçe bixhozi, megjithë këto lule të mbjella mbi ruleta, mbushur fasadat e dyqaneve që hap pas hapi u kthyen në salla bixhozi, nuk ka një raport të vetëm të shkruar nga cilidoqoftë në zinxhirin e krimit ekonomik, në Policinë e Shtetit? Kjo mund të ndodhë vetëm në qoftë se ky aktivitet kriminal ka mbulimin politik të Kryeministrit dhe të Ministrit të Brendshëm. Janë dhimbje që sapo kanë filluar. Sigurisht, kush është i ngatërruar me ato “zorrë”, do të ketë edhe “dhimbjet e barkut” dhe fatkeqësisht, qendra e atij barku është këtu në Parlament.
Noka: Lehtësoja vetes dhe ministrave.
Rama:Mbulesa politike për ruleta, e për fluturime, e për lundrime, e për një mijë e një zullume të tjera, e për galeri nën tokë, e për puse, e për rrugë të lira të boteve dhe të autoboteve, nuk ekziston më, nuk ka më mbulesë politike për të gjitha këto.
Berisha: Ku janë kriminelët?Shkon dhe minon pallatin dhe çdo pallat që të jetë pa leje le të hiqet. Po kështjellën që ndërton me Koçon 30 m buzë ujit në ligatinë, kur do ia vësh minat? Kështjellës së Koços në Qiparo. Çfarë kujton ti se do t’i mbyllësh sytë e këaj shoqërie. Po pallatet e Sadri Abazit në Golem që keni urdhëruar të mos preken. Po pallatet e Gjushit? Po Pallatin e zonjës tuaj të fundit që e ke në kundërshtim me të gjitha kushtet ligjore, lejen për kushtet e pallateve. Kur do ia vësh minat ti?
Rama: Besoj që kush e ndjek këtë seancë, kur dëgjon këto klithma dhimbje, teksa flitet për lojëra fati, dy rrugë ka: Kështu bërtet o një bixhozçi që ka humbur lekët, ose një kryeministër që ka fituar lekë nga kjo punë.
Berisha: Pallati i tij është pa leje në Golem.
Meta: I kujt?
Berisha: I Sadri Abazit.
Meta: Nuk e besoj, nuk e besoj.
Shkrimi u publikua sot (1.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)