Rama: Do t’ia dalim me se s’bën, sepse sot jemi më të fortë se sa përpara tërmetit (VIDEO)

Të dashur bashkëqytetarë,

Miq të faqes sime sociale, teksa viti po mbaron, po marr pak prej kohës suaj, për të ndarë me ju një reflektim dhe një urim!

Ky që po mbyllet ishte një vit tejet i ngarkuar, me plot momente posaçërisht të vështira që na sprovuan durimin, na lënduan shpresën dhe së fundmi na lëkundën deri edhe tokën nën këmbë.

Tërmeti i 26 nëntorit ishte kulmimi tragjik i këtij viti të vështirë. 51 të vdekur, thuajse 1000 të plagosur, mijëra familje që në më pak se një minutë humbën çatinë mbi krye, dhjetëra mijëra të tjera që lanë shtëpitë në Tiranë e Durrës, nën presionin e ankthit të pashembullt që pllakosi zemrën e Shqipërisë mund të kishin gjunjëzuar këdo, mund ta kishin kthyer vendin tonë, vite e vite të tëra mbrapa.

Duke kaluar ditë e netë të gjata përmes gërmadhave ku kërkoheshin jetë, turmave të njerëzve të mbledhur bashkë nëpër rrugë, në errësirë e në të ftohtë, në korridoret spitaleve, funeralet e viktimave, kampet e përkohshme e më pas në hotelet, banesat me qera e çadrat dimërore, ku sistemuam në kohë rekord mijëra e mijëra të pastrehë nuk mu nda mendimi se mund të kishte qenë edhe më keq, edhe shumë më keq.

Në një farë mënyre, ishte një mrekulli që numri i të vdekurve nuk qe shumë më i lartë, që numri i të plagosurve që ndërruan jetë në spital nuk qe shumë më i madh, që numri i pallateve dhe i shtëpive të kthyera në varr, largqoftë, për banorët e tyre, nuk qe shumë herë më katastrofik. Kjo mrekulli ishte nga dora e Zotit, që u ndal aty, po edhe nga mijëra e mijëra duart tona dhe nga duart e plot miqve të mirë në ditë të vështirë që vrapuan të na gjenden në krah.

Reagimi i menjëhershëm i forcave tona të kërkim-shpëtimit, ushtrisë, policisë, zjarrfikësve, mjekëve e infermierëve, shpëtoi dhjetëra e dhjetëra jetë të mbetura në fijen e perit, nxori nga rreziku për jetën dhjetëra e dhjetëra të tjera dhe kuroi mijëra plagë të mëdha e të vogla në trupat e qindra e qindra të plagosurve.

Falë edhe valës së nxehtë të qindra mijëra zemrave shqiptare të cilat u përfshinë menjëherë, në mbështetjen e njerëzve e u bënë me shpejtësi miliona, si edhe falë ngrohtësisë dhe sigurisë së shtuar, që sollën në zemrën tonë të thyer, qindra e qindra forca të angazhuara nga vendet mike, në rajon, Europë e deri matanë Atlantikut, ndodhi mrekullia e rilindjes së shpresës në mes të zymtisë.

Shqipëria e ndarë në ditët me diell nga politika ndotëse e sherrmbjellëse dhe mediat çoroditëse e keqndjellëse, u bashkua. Si rrallë herë më parë, shqiptarët u bënë bashkë, përballë një tragjedie që na tregoi se sa të vegjël jemi, po edhe sa të fortë mund të jemi, kur të bashkuar i dalim të keqes përballë.

Jetuam ditë e netë të paharrueshme, sfilitëse për nga ngarkesa e tyre dhe të jashtëzakonshme për nga pesha emocionale.

Pamë me sytë tanë vlerën e paçmueshme të njerzillëkut, të duarve të shtrira ndaj njëri-tjetrit, të bashkimit me njëri-tjetrin, për njëri-tjetrin. Dhe ia dolëm.

Përtej jetëve që nuk i kthejmë dot; përtej plagosjeve që nuk i ndalnim dot; përtej shkatërrimeve që nuk i pengonim dot, ne ia dolëm t'i mbijetojmë me dinjitet e shpejtësi goditjes tragjike.

Ne ia dolëm të mos lemë vetëm asnjë fatkeq, të mos lemë jashtë në rrugë të madhe asnjë familje, të mos mbetemi asnjë javë, peng i kampeve të emergjencës, ku zakonisht ngjizen bashkë dëshpërimi, konfuzioni, pasiguria dhe pisllëku administrativ e mediatik bashkë.

Ia dolëm t'u japim strehë e ushqim të ngrohtë dhe perspektivë të qartë në kohë rekord mijëra familjeve. Sistemuam mijëra njerëz të çdo kategorie sociale në hotele me kushte optimale, me kujdes të posaçëm mjekësor për të sëmurët dhe me shërbim të dedikuar arsimor për fëmijët. Mijëra të tjerë i sistemuam në shtëpi me qira, shpeshherë më të mira se sa ato që humbën apo ku ende nuk kthehen dot, mijëra të tjerëve akoma u siguruam çadrat dimërore brenda oborreve të shtëpive të tyre të pabanueshme në fshat.

Ia dolëm ta përballojmë furtunën e emergjencës imediate, shumë herë më shpejt dhe ku e ku më mirë se sa kurrë ndonjëherë më parë në këtë shtet, pavarësisht se kurrë ndonjëherë më parë në 30 vitet e fundit furtuna e një fatkeqësie natyrore s'ka qenë kaq e frikshme në përmasat e saj.

Po njësoj, ne do t'ia dalim edhe në sfidën e rindërtimit, pavarësisht se kurrë më parë një qeverie të Shqipërisë, nuk i ka rënë në kurriz një barrë kaq e madhe sa ky rindërtim masiv në një garë marramendëse me kohën.

Por do t'ia dalim me se s'bën, sepse sot jemi më të fortë se sa përpara tërmetit. Jemi të gjithë më të vetëdijshëm për forcën që kemi si vend e si shoqëri. Unë vetë, jam sot ende më i bindur, në forcën e kësaj shumice qeverisëse dhe akoma më i vendosur për ta bashkëqeverisur këtë vend me ju, njerëzit e zakonshëm, edhe më mirë edhe më drejtë.

Librat e shenjtë thonë se tërmeti vjen si një e keqe e madhe për t'u sjellë njerëzve mundësinë të pendohen e të pastrohen. Por përtej debatit për besimin a mosbesimin në Zot dhe falë energjisë së madhe pozitive që u gjenerua si reagim kombëtar, ndaj goditjes shkatërrimtare të tërmetit, ky është në sytë e mi momenti i një fillimi të ri për të prodhuar më shumë energji pozitive dhe arritur më shumë për vendin e për fëmijët tanë.

 

Më duhet t'ju rrëfehem se ideja e këtij momenti si një mundësi për një fillim të ri më ka pushtuar pak e nga pak, qysh se plasi konflikti absurd politik i gjysmës së parë të vitit. Më tej, kur refuzimi i Këshillit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë shkaktoi një tërmet psikologjik, mbi këtë shoqëri të lidhur pazgjidhshmërisht me ëndrrën europiane, ky mendim mu përforcua si nevojë për një fillim të ri. Por tërmeti i 26 nëntorit, me forcën reaguese dhe energjinë përbashkuese që gjeneroi, u bë vetë momenti i fillimit të ri për Shqipërinë që duam.

Të dashur miq,

nuk duhet ta humbim kurrsesi këtë momentum të ri, për të kapitalizuar mundësinë e thellimit të procesit të rilindjes ekonomike e sociale, që ka krijuar ky fundvit kaq dramatik.

Nuk kemi kohë për të humbur! Duhet të shtyjmë me forcë përpara dhe të bëjmë pa humbur kohë, tani, përditë çdo punë që s'duhet lënë më për nesër.

Me rindërtimin e shtëpive, si kryefjalë e vitit që po hyn, duhet ta kthejmë Vitin e Ri në një vit rezultatesh domethënëse për shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë që duam.

Viti 2020, duhet të jetë viti i kurimit shembullor të plagëve të shkaktuara nga tërmeti. Deri në fund të vitit 2021 ato plagët duhet të jenë kthyer në shëmbëlltyra të forcës, besimit, shpresës shqiptare tek e ardhmja.

Brenda vitit 2020 çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale, duhet të hyjë në një banesë të re, më të mirë sesa ajo që ka humbur.

Deri në gjysmën e parë të vitit 2020 duhet të jenë ngritur në qytetet e prekura, të gjitha kantieret e lagjeve të reja.

Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksioni, duhet të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm. Në sezonin e ri shkollor 2020-2021, fëmijët e shkollave të rrënuara, duhet ta nisin mësimin në shkolla të reja, me kushte shumë më të mira sesa ato që kishin përpara tërmetit.

Rindërtimim duhet e do ta bëjmë, pa cënuar prioritetet, qëllimet dhe objektivat themelorë të këtij mandati qeverisës dhe viti 2020 duhet të shënohet si viti i një kthese historike në shërbimet për qytetarët.

Revolucioni digjital në ofrimin e shërbimeve në çdo sportel shtetëror, i cili nis në janar me një bllok të parë shërbimesh, do të jetë një ndihmesë e jashtëzakonshme në këtë drejtim.

Brenda vitit 2020, duhet të marrë fund historia e aplikimeve me dosjen sa një mal, që sot e tridhjetë vjet i kërkohet qytetarit për një shërbim, duke e detyruar të bredhë në dhjetëra zyra për të siguruar dokumentet e nevojshme për një aplikim.

Dokumentet që jepen nga shteti për një dosje aplikimi, nuk duhet t'i kërkojë më qytetari zyrë më zyrë, po duhet t'i sigurojë vetë shteti.

Nga pritës pasivë të qytetarëve nëpër sportelet e shërbimeve, punonjësit e sporteleve duhet të kthehen në shërbëtorë të qytetarit dhe të plotësojnë dosjen për llogari të qytetarit, me të gjithë dokumentet që lëshohen nga institucionet shtetërore.

Qytetari duhet të aplikojë online dhe duhet të paraqitet në sportel në afatin ligjor, vetëm për të marrë dokumentin që kërkon. Kështu do të shpëtojnë nga shumë telashe dhe pamundësi objektive edhe të gjithë qytetarët shqiptarë jashtë vendit, të cilët nuk mund të rrinë nëpër radha kur vijnë në Shqipëri për pushime dhe as nuk mund të presin pushimet për të marrë shërbime në sportelet e shtetit shqiptar.

Boll me ecejaket e panumërta, ryshfetet e padurueshme, radhët e pafundme dhe stresin e njeriut të zakonshëm, sa herë që, tash 30 vjet, niset për të nxjerrë një copë letër në zyrat e këtij shteti. Fundi i vitit 2020 duhet të jetë edhe fundi i këtij kapitulli 30-vjeçar vargmalesh të pafundmë me letra nën sqetullën e popullit, që kërkon shërbim në sportelet e shtetit.

Viti 2020, duhet të shënohet si viti i vënies përpara lupës së ligjit të çdo pasurie që buron nga krimi e trafiqet e çdo lloji. Për këtë, ne jemi gati për ofensivën më shembullore ndaj botës së krimit dhe kapedanëve të asaj bote, të cilët do t'i përballim me Forcën e Ligjit.

Me të nisur viti i ri, tërmeti i shtetit do të bjerë në themelet e botës së krimit që i bëjnë karshillëk komunitetit, shoqërisë dhe këtij vendi, i cili nuk e meriton njollën e pisllëkut të tyre në sytë e botës. Kush ka kryer krime duhet të provojë pastërtinë e burimeve të pasurisë, ose duhet ta humbasë pasurinë.

Viti 2020, duhet të shënohet si viti i fillimit të një historie të re shqiptare, në administrimin e në zhvillimin e pasurisë së madhe kombëtare të bregdetit të mrekullueshëm të Shqipërisë.

Zaptimi i plazheve dhe pamundësia e njerëzve të këtij vendi për të zgjedhur sipas dëshirës e mundësisë së tyre, nëse duan të shkojnë në një plazh publik, apo në një plazh me pagesë, duhet të marrin fund.

Po kjo është vetëm A-ja, sepse me radhë, duhet të ndalohet çdo lloj ndërtimi i mëtejshëm pa plan, pa kuptim, pa cilësi e pa asnjë përputhje me ambicien e Shqipërisë turistike. Shqipëria ka nevojë për projekte dhe investime që e kthejnë potencialin e vijës sonë bregdetare në një burim fuqie ekonomike transformuese dhe krenarie kombëtare.

Viti 2020 duhet të shënohet si viti i nisjes së investimeve të huaja serioze në vijën bregdetare dhe i investimeve vendase të cilësisë së parë, duke krijuar kapacitete pritëse për turizmin e shtrenjtë; që sjell më shumë të ardhura dhe krijon më shumë vende të reja pune të paguara më mirë. s

Viti 2020 duhet të shënohet si viti i zgjidhjes përfundimtare të problemit të pronës për dhjetëra mijëra familje në fshat nga veriu në jug që janë kthyer në kufijtë e vjetër pa asnjë konflikt me fqinjët rreth tyre. Kanë 30 vjet që presin në  tokën e stërgjyshërve dhe as e shesin dot, as aplikojnë dot për financime nga shteti, ose nga institucionet financiare për zhvillimin rural, sepse nuk e gëzojnë dot ligjërisht, pasi e kanë të pamundur ta regjistrojnë.

Boll!

Po jo vetëm kaq.

Falë ndryshimeve të mëdha ligjore që duhet të kalojmë në fillim të vitit të ri në Kuvendin e Shqipërisë ne duhet të nisim të adresojmë dhjetëra mijëra dosje të mbetura pezull në procesin e legalizimit të tokës a të banesës, si rezultat i bllokimeve ligjore.

Viti 2020 duhet të shënohet si viti i një serie investimesh madhore në infrastrukturë e në energji.

Tanimë jemi gati për të filluar me zbatimin e disa projekteve të mëdha, të cilat jo vetëm do të impaktojnë ekonominë e punësimin gjatë kryerjes së tyre, po edhe do të kenë një fuqi transformuese për Shqipërinë. Aeroporti i ri ndërkombëtar në Vlorë, rruga e re Thumanë-Rrogozhinë, tuneli i Llogarasë, dy parqet e mëdha fotovoltaike në bregdet, janë vetëm më të mëdhatë e një vargu investimesh të reja që do të nisin gjatë vitit të ri, të cilat, së bashku me ato në vazhdim, përbëjnë në një hark vjetor volumin më të madh të investimeve në infrastrukturë, gjatë 30 vjetëve të fundit.

Presim zbulime të reja nafte Kompania Shell vijon investimet, ndërsa kompania ENI nis investimet në vitin 2020 në bllokun e Dumresë.

Brenda vitit 2021 ne do të fillojmë të arkëtojmë sasi të rëndësishme në arkën e shtetit, falë zhvillimeve tejet pozitive në sektorin e naftës dekada që po nis do të sjellë një ndryshim historik për ekonominë shqiptare.

I kemi forcuar ndjeshëm kontratat në favor të shtetit dhe do të luftojmë vendosmërisht në vijimësi, për një ndarje sa më të drejtë të fitimit mes kompanive dhe shtetit, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.   

Sot këto fjalë, mund të duket si fantazi festash të fundvitit! Por jo, parashikimet realiste dhe jo ato më optimiste, flasin për një dhjetëvjeçar që do të përmbysë pozitivisht parametrat ekonomikë të Shqipërisë falë zhvillimeve të reja nga nëntoka e vendit.

Jo vetëm kaq, revolucioni digjital do të shtrihet në fushën e luftës kundër informalitetit dhe përveç fiskalizimit online të transaksioneve, viti 2020 duhet të jetë edhe preludi i një transformimi rrënjësor përmes instalimit të sistemit, "Track and Trace", "Shëno dhe Gjurmo"; ky sistem jo vetëm do t'i nxjerrë zbuluar më në fund, të gjitha marifetet 30 vjeçare në shitjen e naftës, pijeve alkoolike, kafesë, ujit, cigareve, medikamenteve por edhe do të forcojë shumëfish sigurinë ushqimore të këtij vendi.

Viti 2020, duhet të shënohet si viti i garantimit përfundimtar të transformimit të infrastrukturës sonë universitare.

Jo vetëm të gjitha konviktet studentore do të kenë marrë, në çdo aspekt, një pamje krejt tjetër nga ajo që kishin përpara protestës studentore të vitit të shkuar, por me hapjen e kantierit të madh të kampusit universitar të Tiranës, ne do t'u provojmë të gjithëve, edhe njëherë, se themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi.

Pakti për Universitetin është për ne një prioritet i palëvizshëm dhe pa asnjë lidhje me temperaturat politike, akademike apo mediatike.

Unë nuk e di se sa prej atyre që protestuan dhjetorin e shkuar, e kujtojnë më protestën e tyre. Po di që nuk ka një ditë të vetme të punës sime, që kalon pa kujtuar angazhimin që kam marrë në emër të qeverisë për studentët dhe për kushtet e tyre të jetesës.

E pra, Qyteti Studenti, Akademia e Sigurisë dhe Artet, do të jenë brenda vitit 2022, po aq të bukura sa stadiumi i ri kombëtar. Shqipëria do të ketë kampusin më të bukur universitar në rajon. U tha dhe u bë për stadiumin, po u them dhe do të bëhet për Kampusin Universitar.

Të dashur bashkëqytetarë, duke qenë se i erdhi radha edhe prioritetit të fundit të vitit 2020, ju kërkoj të më lexoni drejt e në sy, teksa ju shoh të gjithëve në sy!

Dy fjalë për veten time:

Unë nuk jam i rënë nga qielli.

Nuk kam menduar ndonjëherë se jam pa të meta. Përkundrazi, kam më shumë se ju, ndoshta edhe sepse jam më i gjatë!

Nuk më ka thënë kurrë mendja se jam i pagabueshëm. Përkundrazi, jam më i gabueshëm se sa ju, për shkak të detyrës më duhet të marr shumë më tepër vendime se secili prej jush, pra probabilitetin e gabimit e kam shumë më të madh se çdonjëri nga ju.

Po ama asnjëherë, kurrë, nuk e kam bërë në këtë detyrë një gabim të qëllimshëm, për të përfituar çfarëdo qoftë, në dëmin e popullit apo të këtij vendi që kam nderin e madh të drejtoj.

Kush më njeh më nga afër, kush punon me mua, e di se unë nuk këmbëngul asnjëherë në një opinion a drejtim të gabuar.

I dëgjoj kundër argumentat shumë më tepër se sa duket. Kur janë bindëse tërhiqem. Nuk e kam të vështirë të kërkojë ndjesë, kur kam lënduar dikë apo kam gabuar në vlerësimin e një vendimi - mbase e kujtoni që kam kërkuar edhe ndjesë publike në ndonjë rast të caktuar. Nuk më kujtohet ta ketë bërë ndonjë paraardhësi im, por nuk është ky sidoqoftë metri me të cilin e mas veten dhe as ju kërkoj të më masni me këtë metër.

Jo të gjitha gjërat që kam premtuar i kam mbajtur në kohë. Ka edhe ndonjë premtim që ende nuk kam arritur t'a mbaj dot. Po ama në asnjë rast të vetëm, nuk kam premtuar diçka duke e ditur që nuk bëhet - për të kaluar radhën apo thjesht për vota, siç mendohet rëndom kur flitet për premtimet e politikanëve. Kurrë!

E para, sepse nuk jam nga soji i politikanëve që gënjejnë për vota, po jam i racës së atyre që në politikë i ka futur forca e besimit dhe e ëndrrave për ndryshim. Dhe e dyta, mendojeni edhe vetë pak, kthehuni një sekondë në kohë, pse do të duhej të gënjeja, të premtoja gjëra që nuk i besoj as vetë, kur me fuqinë që më ka dhënë Zoti e me forcën politike që udhëheq, kundërshtarët me thënë të drejtën, mund t'i mundja edhe me çerekun e premtimeve që kam bërë!

E di që jam i kritikueshëm, duhet ta dini se jam më i pakënaqur se çdokush tjetër me punën time, edhe me qeverinë që drejtoj. Po ama, balta e pafundme për hajdutërira e pisllëqe thjesht nuk më përket.

Përtej shakasë, që është gjysma e të vërtetës, gjysma tjetër e të vërtetës është se unë s'jam i varfër. Por s'kam ëndërruar kurrë të bëhem as i pasur. Nuk jetoj për të fituar, fitoj sa më mjafton për të jetuar. Nuk jetoj për salltanete, po për pasionet e mia. Jeta për mua është mundësia që më është më dhënë, për të lënë gjurmën time përmes dhuntive që më janë falur.

Ndërsa këtë detyrë që kam, e jetoj si privilegjin më të madh që mund të ketë njeriu, të udhëheqë popullin e vet në një pjesë të rrugës drejt të ardhmes.

Shumë e shumë prej jush, miq në faqen time sociale, pyesnit gjatë ditëve të emergjencës pas tërmetit, ku e gjen këtë fuqi? Po ja pra, tek ndjesia në çdo qelizë e privilegjit që kam për të qenë i zgjedhuri juaj në detyrën më të lartë dhe pasioni për të bërë të pamundurën, për këdo që mundem, që ky vend të bëhet më i mirë për ju, për fëmijët e mi dhe fëmijët tuaj.

Unë armik i lirisë së fjalës?

Po pse kur ka ndodhur që fjalëtarët e lirë ta kenë mundur fjalën time të lirë?

Jo, unë nuk jam armik i fjalës së lirë. Jam po, armik i betuar i injorancës dhe i vulgaritetit, që kanë infektuar edhe burimet e lirisë së shprehjes në këtë vend, duke ju helmuar përditë të gjithëve ju, e familjen time po njësoj, me gjithfarësoj ligësish e monstruozitetesh.

E meqë jemi këtu, as nuk kam menduar, as nuk kam kërkuar, as nuk kam mbështetur ndonjë ligj që kufizon lirinë e shprehjes. Kam votuar në parlament, bashkë më forcën time politike, një ligj që u jep mundësi viktimave të shpifjes të mbrohen nga agresioni i portaleve mbi njeriun dhe lexuesve të portaleve të mësojnë të vërtetën e njerëzve të akuzuar padrejtësisht. Asnjë gjëmb në këmbë nuk i fut botuesve, gazetarëve e analistëve ligji kundër shpifjeve e fabrikimeve nëpër portale, thjesht u kujton se liria e tyre nuk është armë për të cënuar publikisht dinjitetin njerëzor të kujt t’iu teket.

Shumëkujt ndër ju i dukem arrogant. Mbase sepse besoj tek bindjet jo tek konsensusi dhe jam shumë këmbëngulës në bindjet e mia. Por mbase edhe sepse kokëfortësia për t'i mbrojtur bindjet a për t'u shkuar gjërave deri në fund, më bën të dukem arrogant. Mbase edhe jam xhanëm, nuk e di, po kjo nuk më bën më pak të ndershëm në kryerjen e detyrës.

Pse po ju'a them këto në këtë reflektim të fundvitit?

Sepse dua të flas për Shengenin Rajonal, si një nga prioritetet tona dhe nuk e fsheh dot që më kanë lënduar shumë miq kosovarë, ndjekës të kësaj faqeje, as nuk mundem dot të rri pa ju thënë si fillim, se unë, për asnjë çmim, në asnjë rast dhe për asgjë në këtë botë, nuk e tradhtoj popullin tim, vendin tim, njerëzit e mi.

Dhe kur unë them popullin tim, nuk kam parasysh vetëm popullin e Shqipërisë po edhe të Kosovës; kur them vendin tim, nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë po edhe Kosovën; kur them njerëzit e mi, nuk kam parasysh vetëm shqiptarët në Shqipëri, po edhe shqiptarët në Kosovë.

Unë tradhtar, o motra e vëllezër nga Kosova?

Po si, kur, pse dhe për cilën arsye tjetër në botë përveç arsyes së mosarsyes të atyre që nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë të vërtetat e thjeshta të një procesi publik, transparent, politik e ndërkombëtar, të nisur këtu e pesë vjet më parë!

Me sa duket të tjerët kanë një zotësi që unë nuk e kam dhe dinë ta luajnë me sukses publik, rolin për mua të neveritshëm të mëmëdhetarit të flaktë, të patriotit të përvëluar, të shqiptarit që digjet për flamur e vret për atdhe, thjesht sapo flitet për shkjaun.

E di që momenti është gjithnjë me ta, kur luhet me emocione e me rrena patriotike) dhe kur plagët e paharrueshme të së shkuarës, preken djallëzisht për të ndezur zjarrin verbues në sytë e njerëzve të prekur nga e shkuara tragjike.

Por koha jo, kona nuk është me ta, koha është me të drejtën dhe me të vërtetat që mund të mbulohen apo të deformohen përkohësisht, po kurrësesi nuk mund të treten e të zhbëhen.

Shengeni Rajonal nuk është një Jugosllavi e re, siç thonë ata që nuk bëjnë dot as një qeveri me dy parti, në Kosovën që e duan aq shumë. Sepse mesa duket kur vjen puna tek bashkimi i forcave për ta qeverisur Kosovën, ndarja e karrigeve ka më shumë rëndësi se Kosova e mbetur në udhëkryq, pa strategji e pa qeveri. Po shyqyr që janë të bashkuar bukur mirë madje, pa dallim partie e madje edhe me do ustallarë në Tiranë, për ta hedhur Kosovën kundër "vëllaut të Vuqiqit" në Shqipëri, duke i'a prishur gjakun dhe errur sytë njerëzve në Kosovë, me dokrra patetike e me rrena patriotike.

Shengeni Rajonal nuk është as një plan serb për të pushtuar ekonomikisht rajonin, siç thonë disa që Kosovën e kanë fushë për lojën e tyre politike, teksa Kosovës po i'a marrin fytyrën e po i'a tresin respektin në sytë e miqve të paçmueshëm amerikanë dhe europianë, pa të cilët shteti i Kosovës nuk do të kishte lindur dot kurrë. Çfarë mund të jetë më e dhimbshme, se sa t'i dëgjosh ata miq pazëvendësueshëm, të thonë se sot politikanët në Kosovë, dinë çka duan për vete, po nuk dinë çfarë duan për Kosovën!

Shengeni Rajonal nuk është jo e jo, mos e dhëntë kurrë Zoti i shqiptarëve, as ndonjë program a marrëveshje për të amnistuar krimet e regjimit gjakatar të Milosheviçit. Për të harruar Reçakun. Për të pafajësuar agresorin e djeshëm, e për të ndaluar betejën politike me Serbinë për pranimin e realitetit dhe njohjen e Kosovës shtet sovran.

Kush i thotë këto e shumë poshtërsi të tjera të këtij rendi, ku hyn edhe poshtërsia e madhe që unë paskam dashur të ndaj Kosovën, ose është krejt i paaftë për ta çuar përpara me sukses betejën politike me Serbinë ose është krejt i nginjur me çka ka përfituar prej Kosovës dhe s'do më hiç, asnjë dhimbje koke për të ardhmen e popullit, se të vetën mbase e ka siguruar ndoshta për shtatë breza. Ose edhe të dyja bashkë ndërsa kush u beson atyre që e mbushin ajrin mes nesh, me këtë soj helmi patriotik, gabon.

Shengeni Rajonal është një domosdoshmëri historike sot, kur beteja jonë por jo vetëm e jona, shqiptarëve por krejt vendeve të këtij rajoni, është zgjerimi i hapësirës së lirisë së lëvizjes për njerëzit, mallrat, shërbimet e kapitalet.

Veç ata që s'duan ta shohin a s'dinë të lexojnë, nuk e kuptojnë se Shengeni Rajonal është rruga e vetme për Shqipërinë e për Kosovën, që të thyejmë barrierën kufitare mesveti dhe të garantojmë liri të plotë lëvizjeje mes të dyja të shteteve, për njerëzit, për mallrat, shërbimet e kapitalet.

Shengeni Rajonal nuk sjell asgjë të re në aspektin e marrëdhënieve politike mes Serbisë e Kosovës dhe as në aspektin e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë e Serbisë, në raport me Kosovën. Qëndrimi ynë në këtë drejtim as ka lëvizur, as nuk lëviz. Ne jemi një dhe kemi të njëjtin qëndrim. Pikë.

Unë besoj fort se Shengeni Rajonal, jo vetëm nuk e dëmton Kosovën në betejën politike me Serbinë, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, të drejtë e të plotë për njohjen saj nga Serbia po përkundrazi, e ndihmon.

Kush ndër zotërinjtë që i fryjnë këtij zjarri kundërshtie është kundër Shengenit Rajonal, sepse parasheh pasoja ekonomike negative për Shqipërinë e për Kosovën, thjesht nuk di çfarë flet.

Ndërsa kush është kundër Shengenit Rajonal, për shkak të së shkuarës duhet pyetur se si e ndihmoka Kosovën, vetëpërjashtimi nga një nisëm që ka të paktën pesë vjet, që diskutohet dhe dakordësohet përgjatë procesit të Berlinit, ku Kosova ka qenë gjithnjë e pranishme në nivelin më të lartë e ka qenë gjithnjë dakord në tryezë?

Ne, Shqipëria, kemi arritur ta bindim Serbinë, po po, unë kam arritur ta bind Presidentin e Serbisë, që as të mos e kushtëzojë tryezën me asgjë që na ndan ne me Serbinë për Kosovën dhe që e ndan Kosovën me Serbinë, as të mos pretendojë që Shqipëria dhe Kosova, të mos e bëjnë marrëveshjen e lëvizjes së lirë të njerëzve e të mallrave në kufi, në rast se Kosova nuk pranon të bëjë të njëjtën gjë me Serbinë në të njëjtën kohë.

Ditën që Serbia nuk do t'i qëndronte kësaj pike themelore, s'do kishte më tryezë ku Shqipëria të merrte pjesë për këtë proces.

Kjo do të thotë që Shengeni Rajonal na jep ne, Shqipërisë dhe Kosovës mundësinë të bëjmë atë që nuk e kemi bërë dot për vite të tëra, sepse jo vetëm Serbia, po as Uashingtoni e Brukseli nuk na e kanë lejuar kurrsesi, madje na janë hedhur në fyt sa herë e kemi përmendur: Hapjen e kufirit mes nesh dhe krijimin e një zone të vetme ekonomike.

Tani ndjesë po nëse flasim me argumente e jo me emocione, unë ende nuk e kam dëgjuar një argument të vetëm racional kundër këtij projekti rajonal të mbështetur pa rezervë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Ashtu sikundër ende nuk e kam gjetur në historinë e post-konflikteve të përgjakshme, në Europë e nëpër botë, ndonjë rast kur arritja e paqes ka ardhur me retorikën e luftës e me të sjellurit si në luftë, vite të tëra pasi lufta ka mbaruar e armët i'a kanë lënë vendin politikës dhe diplomacisë.

Bashkimi Europian vitin e ardhshëm do të vendosë 1.2 miliardë euro në mbështetje të bashkëpunimit rajonal. Po edhe pa këtë, rritja e bashkëpunimit rajonal dhe pjesëmarrja e të dyja shteteve shqiptare në këtë dimension të ri bashkëpunimi, është një premisë më shumë që të rritet jo vetëm ekonomia e vendeve tona, por që të përmirësohet edhe klima e përgjithshme e të krijohen kushte më të favorshme për vetë dialogun mes Kosovës e Serbisë. Madje unë personalisht as nuk e dyshoj fare, se sa më shumë ne të përfshihemi, së bashku, Shqipëri e Kosovë, në dimensionin rajonal, aq më shumë fuqizojmë dimensionin e realitetit tonë ndërkombëtarisht edhe në sytë e Serbisë dhe aq më shumë ndihmojmë veten, në rrugën drejt njohjes së plotë e përfundimtare të Kosovës nga të gjithë.

Siç e thashë në fillim, ne nuk kemi kohë për të humbur në asnjë drejtim. Tërmeti ishte një shtysë e fortë për të gjithë ne, që të prodhojmë më shumë energji pozitive e të shpenzojmë më pak energji negative. Mundësitë janë të gjitha për t'u shfrytëzuar, jo për t'u humbur dhe asnjë mundësi për të zgjeruar rrugën e të ardhmes, nuk mund të humbet në emër të së shkuarës.

Motra dhe vëllezër,

teksa lemë pas vitin 2019 dhe me të drejtë duam shumë më tepër jo vetëm se sa çfarë na dha ky vit i vështirë, po në përgjithësi për vendin, familjen e fëmijët tanë, mendoni sidoqoftë ku ishim dhjetë vjet më parë.

E di, e kam të qartë që shumëkush nga ju do të më hidhej në fyt tani e do të më thoshte, yhy, kushedi se sa shumë gjëra për botën që fluturon e për Shqipërinë që mezi ecën, po në fakt nuk është kështu. Nuk është aspak kështu dhe jam gati të debatoj, me ditë e me netë me ju për këtë.

Por ky s'është rasti për t'ju bezdisur me shifra e me fakte, po është rasti për t'ju thënë, se ndërkohë që një vit i ri po vjen me një dekadë të re përpara nesh, mendojeni edhe ju bashkë me mua, se sa dhe si mund të bëjmë, ne shqiptarët për Shqipërinë, katër a pesë herë më shumë se sa në dekadën që po lemë pas. Është jo vetëm e mundur, po është ajo që duhet të bëjmë.

Zoti çon dritë e çon tërmete, po nuk çon dhurata mbi këtë tokë. E kemi ne për detyrë ta bëjmë më të mirë, më të sigurt e më të begatë për fëmijët tanë.

Është detyra jonë të mos i trembemi të përpjetave sfiduese të së ardhmes dhe të mos rrëshqasim në tatëpjetat e përbaltura të së shkuarës.

Është sfida jonë të mos dorëzohemi përpara vështirësive në arritjen e rezultateve dhe të mos gënjejmë veten me rezultatet sa hap e mbyll sytë që arrihen vetëm në muhabetet e kafeneve dhe çadrave mediatike.

Është e jona dhe vetëm e jona, e njerëzve përtej kufirit të adoleshencës, që të mos e humbasim durimin në përballje me realitetin dhe të mos e lëshojmë gojën e veten në mexhelisin e komunikimit të ulët, sharjeve e shpifjeve, që rrezikojnë të infektojnë pa kthim, si një sëmundje kronike edhe fëmijët tanë.

Ky vend i ka të gjitha që ne t'ia dalim në krye të përpjetës ku po ngjitemi me vështirësi, për ta bërë Shqipërinë shtet normal, funksional, social. Po ne duhet të kemi vullnetin, vendosmërinë, përkushtimin dhe mbi të gjitha vetëdijen, se kjo kërkon kohë, durim, punë e bashkim.

Bashkim në qëllime, jo në bindje politike. Bashkim fuqish pozitive, jo forcash politike. Bashkim për të jetuar në një vend ku askush nuk duhet të jetë kurrë vetëm.

Unë ju falenderoj nga zemra të gjithëve, juve që më keni besuar, mbështetur, inkurajuar, po edhe juve që nuk më keni besuar apo më keni gjykuar keq, po sidoqoftë keni marrë mundimin dhe më kemi ndjekur në punën time.

Në fund të ditës koha ikën, vitet ikin, kryeministrat vijnë e shkojnë, të gjithë jemi kalimtarë në këtë tokë, çka mbetet është Shqipëria dhe kombi ynë mbi këtë tokë. Le të vazhdojmë të bëjmë së bashku më të mirën për Shqipërinë e për kombin shqiptar dhe më e mira u bëftë për ju e gjithkënd juve ju do zemra.

Gëzuar Vitin e Ri 2020 dhe ardhtë i lehtë, me shëndet e mbarësi në familjet tuaja.

Zoti e bekoftë Shqipërinë! 

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • sapa: 30/12/2019 20:16

    Don Kishoti kunder mullinjve te eres!Edhe pas gjashte viteve pushtet perpiqet ti genjeje njerezit.Dhe kete do beje edhe pas disa viteve po te qendroje ne pushtet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Adriatik Doçi: U përball me bandat me automatik/ Kush është Elvin Gogaj, prokurori që po heton Belind Këlliçin

Adriatik Doçi: U përball me bandat me automatik/ Kush është Elvin Gogaj, prokurori që po heton Belind Këlliçin