Rama drejt Samitit të Berlinit: 
S'do flas me Merkel për përgjimet

Rama drejt Samitit të Berlinit: <br />S'do flas me Merkel për përgjimet
TIRANE - Para nisjes për në konferencën e Ballkanit në Berlin që zhvillohet më 28 gusht, kryeministri Edi Rama ka mbajtur një konferencë nga Aeroporti i Rinasit. Rama  është shprehur nuk do të diskutoj me kancelaren Merkel mbi përgjimin e Gjermanisë ndaj Shqipërisë.

I pyetur nga gazetarja e A1 Report, Joniada Koçi, për këtë cështje Rama shpjegoi se Shqipërisë s'mund t'i vijë asnjë e keqe nga Gjermania . Rama tha se çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë janë në interes të të gjithë vendeve të NATO-s, dhe përpjekja për informacion për çështje të sigurisë sipas kryeministrit “nuk njeh kufi”.
 
“Besoj se askush nuk dyshon që Gjermania është një vend jo vetëm thellësisht demokratik, por edhe në mënyrë themelore i rëndësishëm si një vend lider në Evropë, një vend i dorës së parë në NATO. Dhe ne jemi pjesë e NATO-së, pjesë e të njëjtës familje demokratike që luftojmë për demokraci,. Kur bëhet fjalë për siguri përpjekja për informacion për të garantuar sigurinë nuk njeh kufi. Nuk na shkon aspak të zmadhojmë diçka të tillë”, u shpreh kryeministri.
 
Ndërkaq, kreu i qeverisë ka ritheksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes BE dhe Ballkanit, dhe forcimit të rolit të vendit tonë.
 
“Europa e Bashkuar ka nevojë për Ballkanin, po aq ka edhe Ballkani për Evropën. Është koha që shqiptarët të vlerësohen për atë që kanë qenë dhe që janë. Ka një potencial të jashtëzakonshëm për bashkëpunim. Ne do vazhdojmë të ngremë zërin që shqiptarët te përbëjnë një aspekt të rëndësishëm për Europën”, tha Rama.


rama
(Foto: Kryeministri Rama me ministrat Bushati dhe Ahmetaj në konferencën në aeroportin Nënë Tereza)

Rama: Marrëdhënie e re BE-Ballkan
Kreu i qeverisë u ndal tek marrëdhëniet e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit, duke vënë theksin në rritjen e bashkëpunimit. Në fjalën e tij, kryeministri Rama theksoi rëndësinë e “Korridorit të kaltër”.
 
“Një qasje e re ndaj rajonit bëhet e mundur në funksion të një marrëdhënie të re mes BE dhe Ballkanit. Kjo qasje e re nuk mund të jetë njëplanëshe, por disaplanëshe, e për këtë arsye ne kemi konceptuar dokumentin tonë të bazuar në ato shtylla të vendosura si bazë e diskutimit të konferencës. Ky është viti i parë që rajoni në historinë e vet jeton pa konflikte në kufijtë mes vendeve. Pa burime alternative të forta vështirë se mund të besohet në një rritje të qëndrueshme në vazhdim”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe tek çështjet kryesore ku do të fokusohen diskutimet gjatë samitit të Berlinit, ndërsa vuri theksin tek rëndësia e bashkëpunimit mes Ballkanit dhe Bashkimit Europian.

rama
(Në foto: Kryeministri Rama)

“Duhet të nxisim investime që të garantojnë ndërlidhjen brenda rajonit, por edhe përfshirjen në një rrjet të integruar të energjisë, pasi kjo do të ketë influencë në stabilitetin energjetik të rajonit tonë. Do të sigurojmë në afatmesëm dhe afatgjatë financime për të mbështetur sipërmarrjen. Për ne kë rëndësi forcimi i mbështetjes për arsimin profesionional i mbështetur në modelin gjerman. Po kështu me rëndësi është edhe turizmi, si një shtyllë e rëndësishme e diskutimeve. Jemi në një moment shumë të rëndësishëm që ka kjo kohë. Kjo përbën edhe një shtysë të fortë nga ana e palës tjetër për t’iu afruar rajoni në një fazë të re, për të përmirësuar nivelin e jetesës të të gjithë rajonit. Me rëndësi është bashkëpunimi ekonomik në gjithë rajonin. Ne kemi propozuar të shkojmë më tutje sesa kuadri i investimeve në Ballkanin perëndimor, pasi mund të ngrihet një mekanizëm i fuqishëm për të gjitha vendet e rajonit për të rritur bashkëpunimin edhe me vendet e BE-së”.

Kryeministri Rama tha se dokumenti i cili i është paraqitur BE është ndarë edhe me palën gjermane, dhe me vendet e tjera pjesëmarrëse në konferencë.
 
“Dokumenti që i është paraqitur BE, është i pari i këtij lloji që Shqipëria i paraqet BE, dhe një forumi të kësaj natyre. Është ndarë me palën gjermane me të gjithë qeveritë e rajonit dhe pjesëmarrëse po ashtu edhe me komisionin dhe gjithë pjesëmarrësit e tjerë që do të jenë në konferencë. Kjo do të vazhdojë vit pas viti për të çuar përpara këtë iniciativë që e forcon bashkëpunimin mes BE dhe Ballkanit”, vijoi Rama.
 
Kryeministri ndërkaq, theksoi se edhe Kosova është e përfshirë në këtë konferencë, duke iu referuar edhe rakordimeve me kryeministrin Thaçi për diskutimet gjatë samitit të Berlinit.
 
“Kosova është e përfshirë në konferencë. Jam takuam me kryeministri Thaçi për të rakorduar diskutimet. Turqia është partneri ynë strategjik se bashku me Italinë dhe Greqinë. Janë tre partnerë tanë strategjik në funksion të sigurisë dhe zhvillimit ekonomik”, tha Rama.

rama
(Foto: Kryeministri Rama me ministrat Bushati dhe Ahmetaj në konferencën në aeroportin Nënë Tereza)

Rama: Deklarata e Nishanit si ish-anëtar i PD e jo si president
I pyetur lidhur me deklaratën e presidentit Bujar Nishani ditën e djeshme në Forumin Evropian Alpbach 2014 në Austri, i cili ka “akuzuar” qeverinë për mungesë konsensusi, kryeministri Rama tha se “Deklarata e tij vjen si ish-anëtar i PD e jo si president”.

Bushati: Të rritet më tepër bashkëpunimi rajonal
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, duke ritheksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, u shpreh se fokusi i takimit është afrimi i vendeve të Ballkanit dhe afrimi fizik me vendet e BE.
 
“Për herë të parë BE i prezantohet një program për gjithë vendet e rajonit. Europa sot për sot ka dy kërcënime një që vjen nga lindja dhe nga kufiri jugor. Dhe ne mendojmë se Ballkani mund të transformohet në një histori suksesi, duke rritur bashkëpunimin me vendet e BE-së. Fokusi është tek rritja e bashkëpunimit rajonal. Në 5 vitet e brendshme sipas komisionit të KE nuk do të ketë zgjerim, por synohet forcimi i bashkëpunimit me Ballkani Perëndimor. Kjo do t’i afronte vendet tona drejt një rajoni të vërtetë dhe të lidhur fizikisht edhe me BE. Nevoja për diversifikimin e burimeve energjetike ka rëndësi, dhe Shqipëria ka një pozitë strategjike në këtë pjesë, pasi në vendin tonë kalojnë dy projekte të rëndësishme strategjike”, tha ministri Bushati në fjalën e tij.
 
Arben Ahmetaj: Konferenca e Berlinit, risi në aspektin ekonomik
Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj u ndal tek bashkëpunimi ekonomik i vendeve, duke theksuar edhe rëndësinë që ka Shqipëria në rajon edhe duke iu referuar pozicionit strategjik.
 
“Tryeza e bisedimeve e ministrave të Ekonomisë do të fokusohet tek rritja e bashkëpunimit mes vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit. Me rëndësi është edhe bashkëpunimi në fushën e energjetikës, por edhe të infrastrukturës. Synohet edhe rritja e mbështetjes për sipërmarrjen, duke u fokusuar edhe tek aftësimi profesional sipas modelit gjerman. Turizmi është pjesë e integruar e sektorëve të Mesdheut. Projektet e infrastrukturës dhe katër shtyllat e tjera do bëjnë që turizmi të jetë pjesë e rëndësishme e zhvillimit të ekonomive të Ballkanit. Ballkani shihet si treg i rëndësishëm i domosdoshëm, dhe Shqipëria brenda Ballkanit nuk shihet si element sigurie, por si promotor i zhvillimit dhe integrimit europian”, u shpreh ministri Ahmetaj.

Redaksia Online
(e.s/e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mashtrimi për bursa studimi e udhëtime falas në SHBA, arrestohet organizatori i skemës (Emri)

Mashtrimi për bursa studimi e udhëtime falas në SHBA, arrestohet organizatori i skemës (Emri)