...
Kryefjalë të mandatit qeverisës e ka vlerësuar kryeministri Edi Rama reformën në drejtësi, për të cilën shprehu besimin se politika do të arrijë konsensusin. Këtë bindje shefi i qeverisë e bazon në pëlqimin që kanë marrë rekomandimet e Komisionit të Venezias si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita për draftin e përbashkët që do të plotësohet më tej mbi themelet e këtyre propozimeve. Ashtu siç bëri pak ditë më parë me gazetarët kur tha se nuk i lexonte lajmet, Rama surprizoi sërish duke thënë se nuk e ka lexuar draftin e reformës në drejtësi. Këtë kryeministri e argumentoi me faktin që politika nuk duhet të përfshihet në këtë proces.
Gjatë konferencës së fundvitit e cila zgjati përreth 2 orë e gjysëm, Rama hodhi poshtë pretendimet dhe kritikat të cilat u artikuluan së fundi edhe nga prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla se në këtë proces nuk pati gjithëpërfshirje. Rama foli për një ndryshim rrënjësor në sistemin e drejtësisë, një reformë që sipas tij nuk mund të quhet e tillë nëse nuk prodhon tërmet, tronditje për të sjellë modernizim.
"Reforma në drejtësi është kryefjalë e mandatit tonë dhe si kryefjalë është me një peshë shumë të madhe që prek shumë interesa dhe që nga ana tjetër domosdoshmërish duhet të prodhojë tërmet, një tërmet në të gjithë themelet e sistemit aktual të drejtësisë. Nëse nuk e prodhon këtë tërmet nuk është kryefjala e duhur. Kemi qenë të vetëdijshëm për vështirësinë e saj dhe për faktin që nuk ka pasur asnjëherë reformë ka ardhur sis rezultat i pengesës që ka krijuar politika, mungesë vullneti, eksperience, dije, dhe që besoj pas 25 vjetësh është një pengesë e kapërcyeshme me vullnet dhe me dijet e plota në këtë proces. Qysh në fillim kemi menduar se mund t'i sjellë vetëm ekspertiza, jo politika, është kthyer një proces që është shtrirë në kohë më shumë se një vit ka përfshirë që të gjithë, edhe ata që e mbrojnë, edhe ata që nuk flasin,e dhe ata që e godasin. Të gjitha institucionet, nga presidenti, te prokurorit, gjykata, avokat, noter, magjistratura, të gjithë kanë qenë të përfshirë në proces, kanë qenë të ftuar, kanë pasur ekspertët e tyre, pra përfshirja ka qenë e plotë. Ekspertiza e huaj ka qenë e plotë. Unë për reformën kam vetëm një pyetje: A do ketë tërmet, a s’do ketë tërmet? Për sa kohë përgjigjia që më jepet është që ky produkt do sjellë tërmetin, pra e tund të gjithë sistemin, dhe jep një vijë të qartë të atyre që duhet të jenë gjykatës dhe i shërben popullit, dhe atyre që duhet të bëjnë gjëra të tjera, të tjerat janë gjëra që nuk i di", tha Rama.
Kryeministri tha se nuk e ka lexuar draftin e hartuar nga ekspertët e pavarur të nivelit të lartë, dhe këtë tha se e ka bërë me qëllimin për të shmangur ndërhyrjen e politikës në këtë proces të konsideruar kyc për integrimin e vendit tonë në BE. Rama tha se ndihej i suprizuar pozitivisht me dakordësinë që Partia Demokratike ndau me rekomandimet e Komisionit të Venezias, ndaj u shrpeh i bindur se në momentin e votimit të reformës pas tryezave publike që do të reflektojnë propozimet e Venezias, do të arrihet një konsensus që kryeministri e cilësoi "spektakolar".
"Politika nuk është përfshirë në këtë proces qëllimisht. Unë nuk e kam lexuar draftin e reformës, juve besojeni ose mos e besoni, nuk jam në dijeni, qëllimisht, sepse unë kam qenë i bindur, nëse në këtë proces do të hyjë unë, do të hyjë bashkëkryetari dhe kjo ka qenë dhe bindja e tij, do të hyjmë me grupe parlamente, me deputetë, vetëm do të pengojmë, jo nga mungesa e vullnetit por nga pamundësia për të dhënë gjykime në nivelin e nevojshëm të ekspertizës. E kam thënë nuk ka konsensus politik të mundshëm për këtë reformë përveçse duke vendosur në distancë shumica dhe opozita që çelësin e konsensusit na e jep Komisioni i Venezias. PD u ndje më e lumtur se asnjëherë qëkur unë e mbaj mend në raport me diçka që i takon edhe palës tjetër dhe ju referua Venezias me superlativa që mund t'i referohesh vetëm një shpëtimtari të ardhur nga zoti. Bukuri perfekt, jemi në një fazë të re dhe kemi bërë një avancim fantastik. Kemi komisionin n e Venezias, kemi draftin, përputhim të dyja, votojmë reformën dhe bëjmë një konsensus spektakolar të pa imagjinuar në parafytyrimet e mia më optimiste. Politika nuk do shkojë në mënyrë robotike në parlament, vullneti ynë politik do të vendoset si investim i kërkuar nga publiku që na ka votuar mbi bazën e një drafti dhe dakordësie. Raporti i Komisionit të Venezias është baza", u shpreh shefi i mazhorancës.
Rama tha se ka përpjekje për të përçarë shumicën në këtë proces, por shtoi se asnjë qëllim i tillë nuk do të ketë sukses.
"Unë besoj shumë që ne do t'ia dalim dhe asnjë përpjekje e çfarëdolloj për të carë shumicën në këtë proces nuk do të ketë sukses. E them sepse ka shumë përpjekje në këtë drejtim, nuk do të kenë sukses, reformën në drejtësi do ta bëjmë së bashku por ne si shumicë nuk do të shkelim asnjë parimësi dhe nuk do të bëjmë asnjë kompromis për të reduktuar pushtetin e drejtësisë dhe efektin tronditës që kjo reformë do të ketë. Pa një tronditje nuk ka modernizim. Ky është një pushtet i korruptuar dhe kriminal në kuptimin e plotë të fjalës. Reforma shikohet si një formë tronditëse që do të sjellë burgosjen dhe pak kush e shikon si bazën mbi të cilën do të ngrihet një sistem modern dhe i pavarur që do t’u shërbejë atyre që nuk gjejnë drejtësi për pronën e tyre", - u shpreh kryeministri.
Në përfundim Rama tha: "Në Shqipëri bëhet gjyq popullor, gjyqtarët e prokurorët dalin në konferenca në emër të politikës, po e them në përgjithësi se është fundvit dhe të mos ja ngecim në fut"
Ashtu si për reformën në drejtësi maxhoranca nuk do të përçahet as për reformën elektorale.
"Reformë Zgjedhore për ne do të thotë të respektojmë traditën e bashkëpunimit shumicë- pakicë, ndërhyrjet të jenë në bllok, si shumicë e tërë. Nuk do ketë reformë zgjedhore me një metodë tjetër, çdo gjë është e mundur nëse ka mirëkuptim të plotë dhe brenda shumicës për një qasje unitare. Kemi ngritur grupin e punës PS-LSI do përfshijmë edhe aleatë të tjerë. Komisioni do fillojë punën mbi bazën e OSBE-ODHIR", tha Rama.
Edhe në këtë fundviti kryeministri është po aq i palumtur nga marrëdhënia me presidentit dhe puna e kryeprokurorit, por ai tha se nuk është një qëndrim negativ.
"Lumtura, është fjalë e madhe dhe unë me thënë të drejtën nuk do e thoja as për veten që jam i lumtur me veten apo punë që bëj kështu që nuk është ndonjë problem që ndihem i palumtur me një institucion sepse nuk përbën një qëndrim negativ, përbën thjesht një konstatim. Për shkallën e lumturisë, a ka rritje apo jo, mund t'ju them se jam në po atë shkallë as më i lumtur as më i palumtur", - tha Rama.
Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama, në mbyllje të vitit 2015
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)