Sot demokratët kanë dorëzuar në Kuvend raportin e 5 anëtarëve të opozitës në Këshillin e Mandateve për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, paralajmëroi “kaos” nëse Kuvendi rrëzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut.

Në një lidhje direkte me “Studio Live” në Report Tv, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Ilir Alimehmeti, tha se Rama e Balluku po e përdorin pushtetin për t’iu shmangur drejtësisë.

“Problematika është që ne kemi njerëz të veshur me pushtet që pushtetin e përdorin thjesht për t’iu maskuar drejtësisë. Kjo problematikë duhet zgjidhur dhe kurrë s’janë mbrojtur parlamentarët nga deputetët. Një situatë ku mbrohet me çdo kusht nga PS prej drejtësisë, është diçka që nuk do të donim ta shihnim në 2026. Nuk mund të pranohet që për 2-3 vetë pushtetet të bien në kaos. Parlamenti është për njerëzit, jo t’i hiqet a mos t’i hiqet imuniteti Ballukut”, tha Alimehmeti.

Ai shtoi se zvarritja e rastit ‘Balluku’ “është kosto për popullin, duke shpjeguar: “Vëmendja politike është zhvendosur te një çështje që duhet të ishte zgjidhur që në shkronjën A. Drejtësia duhet të bëjë punën e vet, kaq”, tha Alimehmeti.

Një koment e pati edhe për ndryshimet në qeveri që sollën shkarkimin e Ballukut nga dy postet e saj si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe lëvizjen e zëvendësimet në dikasteret e tjera.

“Duhet të kuptojmë, çfarë e detyroi të ndërronte kabinetin qeveritar se gjykata një person ka kërkuar, s’ka kërkuar pjesën tjetër. Gjithë kjo pjesa tjetër që u ndërrua, kush qe motivi? Duam të dimë edhe nga ky aspekt, pse disa shkuan nga aty ku ishin, në drejtim tjetër? Këto rrotullime në qeveri duhet të kenë një shpjegim sepse duken si rotacione të bëra jo për nevojat e njerëzve, por të atij vetë”, tha Alimehmeti.

Sa për protestën e dhunshme të PD-së ku u dogj edhe ‘Vila 31’ ndërsa brenda saj ndodheshin artistë e personel, Alimehmeti tha se “çdo lloj proteste është e vlefshme”, por u distancua nga dhuna duke thënë se “jam kundër”. Një qëndrim për t’u theksuar, ndryshe nga ai i kreut të PD, Sali Berishës, që vetëm të hënën e pranoi se brenda godinës kishte njerëz.

Ndërsa sa për lëvizjen e Salianjit, Alimehmeti u shpreh se “e zgjoi PD-në”, duke shtuar se partia s’i ka problemet qëndrimet e kundërta. Megjithatë, duhet thënë se Berisha e ka quajtur Salianjin “të vetëpërjashtuar” prej nismës së tij.

“Ishte një lëvizje që e zgjoi PD-në, mblodhi Këshillin Kombëtar, kreu analizën, ndodhi zbritja në nivel bazë. Të gjitha këto ndodhën shpejt gjatë muajit dhjetor, edhe protesta ishte më 22 dhjetor. PD e kishte të nevojshëm një zgim dhe zgjimi u arrit. Thirrja është bërë edhe ndaj forcave të tjera politike, jo më brenda për brenda ku të gjitha forcat konvergojnë në të njëjtin drejtim. PD s’ka problem të pranojë që ka mendime të ndryshme brenda vetes, por sa i përket qëndrimit ndaj Ramës dhe asaj që po i bëhet këtij vendi dhe shpopullimit, është emërues i përbashkët. PD mund të ketë mendime brenda vetes ndryshe, por në fund dimë shumë qartë ku dhe kundr kujt qëndron”, përmbylli Alimehmeti.