Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar pasi kryeministri Rama prezantoi ditën e sotme në mbledhjen e Asamblesë së PS, ndryshimet e drejtuesve politikë në qarqe dhe në njësitë e Tiranës. Blendi Gonxhja, Plarent Ndreca dhe Endrit Hoxha u caktuan si drejtues në Njësinë 14 dhe Kashar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja i ka uruar suksese Albana Koçiut dhe Megi Finos si drejtuese në njësinë e Kombinatit, të cilën më parë e ka drejtuar ai vetë.

Ndërkohë Gonxhja ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për besimin e dhënë për drejtimin politik në Njësinë 14 dhe Kashar.

Reagimi i Blendi Gonxhja:

Suksese kolegeve Albana Koçiu dhe Megi Fino, që me rolet e tyre shumë përfaqësuese si ZvKryeministre dhe Kryetare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, respektivisht, do mund të ndihmojnë në zgjidhjen më të shpejtë të halleve jetike të Kombinatit, duke marrë stafetën e drejtimit politik të Njësisë 6, ku vërtetë arritëm rezultatin më të mirë në rang njësish urbane në 11 maj 2025, duke kryesuar në Tiranë me 53.74% për Partinë Socialiste, por ku kemi ende sfida të jashtëzakonshme për t’u zgjidhur si me rindërtmin e strehimin!

Faleminderit Kryeministrit Edi Rama për besimin në angazhimin tim të ri për drejtimin politik në Njësinë 14 dhe Kashar, ku sëbashku me kolegët Plarent Ndreca dhe Endrit Hoxha do të vijojmë punën për fushatën elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2027 në një nga zonat me shtrirjen më të gjerë territoriale por dhe të dinamikës urbane si Astiri e Yzberishti, me rreth 51 mijë zgjedhës në zgjedhjet e fundit, me rritje konstante banorësh çdo vit!

Si deputeti më i votuar i listës së hapur për Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, i rifalenderoj të gjithë qytetarët për votëbesimin, në veçanti elektoratin e Njësisë 6, Njësisë 14, Kasharit, Bashkisë Vorë, por dhe mbështetësit në mbarë bashkitë e qarkut më të madh të vendit, duke i siguruar ata për dedikim e vëmendje të vazhdueshme nga ana ime, si i zgjedhuri i tyre, pavarësisht detyrës specifike të delegimit politik zonal!

Mirënjohje përjetë skuadrës socialiste të Njësisë 6 dhe shtabit tonë elektoral!

Shumë suksese Taulant Ballës si drejtues politik për bashkitë Kavajë, Rrogozhinë, Vorë e Kamëz dhe Ogerta Manastirliut si drejtuese politike për Bashkinë Tiranë! Na priftë e mbara!


Lajmi kryesor:

Asambleja/ Rama ndryshon drejtuesit e 6 qarqeve! Konfirmohet Balluku, ikën Spiropali! Tiranën e merr Balla! Dy ministrat e rinj, Karakaçi në Shkodër e Nufi në Lezhë