Asambleja e Partisë Socialiste u mblodh këtë të shtunë në Durrës, për të analizuar rezultatin e parlamentareve të 11 majit 2025, për të çelur procesin e votimeve brenda strukturave të partisë, si dhe për të ndezur motorrët e fushatës për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Një pjesë e mbledhjes së Asamblesë u transmetua për publikun e gjerë, ndërsa pjesa më e madhe e takimit u zhvillua me dyer të mbyllura, periudhë gjatë së cilës nuk munguan ironitë dhe diskutimet “shkoqur”.

Report Tv ka zbardhur një pjesë të diskutimeve me dyer të mbyllura, mbledhje gjatë së cilës kryesocialisti Edi Rama ironizoi fjalimin e drejtuesit politik të qarkut Berat, Ervin Demo, i cili ndryshe nga kolegët e tij, nuk raportoi para Asamblesë me një analizë elektorale konkrete të rezultatit që Partia Socialiste mori në qarkun që ai udhëheq.

Demo mbajti një fjalim sipërfaqësor të sheqerosur për “shokët dhe shoqet” e partisë dhe suksesin e përbashkët, gjë që irritoi Ramën, i cili reagoi duke thënë se ministri mund të jetë ende “i dehur nga fitorja” e parlamentareve 2025.

“Fjalimi i Demos shumë, me shumë vonese pasi ishte 1 vit pas fitores, s’mund të bëjmë fjalime sikur zgjedhjet janë bërë dje. Nëse vazhdon kështu, më mirë ta mbyllim këtu dhe të mos bëjmë mbledhje kot. Ju lutem, ajo çfarë kemi vendosur në mbledhjen e Kryesisë, se kur të dalin këtu drejtuesit e qarqeve të bëjnë një analizë në atë linje që bëri sekretari i përgjithshëm. Duhet parë pikat e dobëta. Jemi këtu për të nisur punën për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, jo për të kremtuar fitoren e zgjedhjeve të vitit të kaluar. Demos i falet sepse atje në Berat është verë, dhe dehja e fitores i falet edhe një vit pas zgjedhjeve”, mësohet të ketë deklaruar Rama në mbledhjen me dyer të mbyllura. 

Edhe Niko Peleshi, i cili është Drejtues Politik i PS-së në Qarkun Korçë, në disa momente gjatë fjalimit të tij u tregua i drejtpërdrejtë lidhur me punësimet e mbështetësve nëpëmjet partisë. Mësohet se ai ka deklaruar se kryetarët e Organizatave Socialiste janë kthyer në “ndërmjetës punësimesh”. Gjithashtu, Peleshi, i cili është kryetar i Kuvendi të Shqipërisë, tha se anëtarët, por edhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste në administratën publike, pasi sigurojnë një vend pune, i kthejnë “shpinën partisë”.

“Është një karakteristikë që e vemë re kudo. Anëtarët e punësuar. Ata që e kanë realizuar ambiecien e tyre, të punësimet apo të karrierës profesionale, ndërkohë që duhet të ishin më aktivët, janë më pasivët. Fushata tematike është një formë për ta mbajtur në presion pozitiv anëtarin. Për shkak se nuk ka ambicie punësimi e të tjera, i kthen kurrizin punës së partisë. Roli i kryetarëve të organizatave po banalizohet në një ndërmjetës punësismesh. Kështuqë duhet t’i gjejmë një rol të ri të vërtetë, përveç atij organizativ. E kanë potencialin e madh të kthehen në lidera komunitarë”, ka deklaruar Peleshi në mbledhjen me dyer të mbyllura.