Në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr u zhvillua këtë të premte ceremonia e dorëzimit të sistemeve raketore Javelin, me praninë e ministrit në largim Pirro Vengu dhe Nancy Van Horn, e ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Tiranë. Në fillim të fjalës së tij, Pirro Vengu, tha se ishte privilegj që të mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes vetëm një ditë pasi kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga ky post.
“Është kënaqësi në këtë moment tranzitimi të detyrës time të linim këtë shenjë sot së bashku me partnerët tanë. Sot dorëzojmë në forcën tokësore sistemin JAVELIN, në tërësinë e këtij komponenti të porositur prej vitesh dhe pjesë e një bashkëpunimi të ngushtë me SHBA-të. Ky nuk është vetëm një simbol force, por është edhe një mesazh qartësie strategjike.
Shpesh herë më bëjnë pyetje pse vendet, sapo t’i jepet mundësia shpenzojnë kaq pak në mbrojtje. Kur përpiqem ta logjikoj përgjigjen, e vetmja gjë që më vjen ndërmend është të them që siguria është e padukshme kur funksionon. Paqja krijon iluzionin se është një gjendje natyrore dhe investimi në mbrojtje shpeshherë nuk prodhon duartrokitje të menjëhershme, por në fakt shmang kriza që askush nuk do t’i përjetojë”, tha Pirro Vengu.
Më tej gjatë fjalës së tij, Vengu u shpreh se vendi ynë nuk po armatoset për të sulmuar, por për t’u mbrojtur, duke theksuar se kjo nuk është luks.
“Shqipëria ka vendosur të investojë në ushtri në kohë paqeje. Dua të falënderoj partnerët amerikanë, që na japin një mbështetje domethënëse. Shqipëria ka vendosur që të investojë me plan buxhetor. Ne po rrisim besueshmërinë, duke shkurajuar rreziqet me kapacitete reale. Shqipëria nuk armatoset dhe nuk forcon kapacitetet e saj për të sulmuar askënd, por armatoset në mënyre që askush të mos e vërë në provë, sigurisht brenda suazës. Është një bindje e krijuar në gjithë këtë periudhë që kam pasur privilegjin të udhëheq Ministrinë e Mbrojtjes, sepse mbrojtja nuk është luks, ështe shtyllë e shtetit dhe një kusht ekzistence për një shtet serioz që dëshiron të jetë një hallkë e fortë në të gjitha proceset që na presin dhe veçanërisht përsa i përket anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe shtetet serioze padyshim investojnë në momentin e duhur dhe jo kur është vonë", përfundoi Vengu.
Çfarë është sistemi “Javelin”?
Sistemi “Javelin” konsiderohet një element kyç për mbrojtjen tokësore, duke rritur ndjeshëm aftësinë e Forcës Tokësore për të përballuar kërcënime të avancuara dhe për të vepruar në përputhje me standardet e Aleancës.
“Javelin” është një sistem raketor kundërtank i gjeneratës së fundit, i prodhuar nga SHBA. Sistemi është shumë efektiv kundër mjeteve të blinduara dhe përdoret gjerësisht nga ushtritë e NATO si dhe në operacione reale luftarake.
Shqipëria e ka porositur sistemin “Javelin” në kuadër të programeve të bashkëpunimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara, përmes mekanizmave të shitjeve ushtarake të huaja (Foreign Military Sales – FMS). Ky investim është pjesë e strategjisë afatgjatë të modernizimit të Forcave të Armatosura, rritjes së parandalimit dhe përafrimit të plotë me kapacitetet dhe doktrinën e NATO-s.
Në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr u dorëzuan sot sistemet raketore Javelin, si pjesë e bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Tiranë, Nancy Van Horn, vlerësoi këtë moment si tregues të angazhimit për sigurinë rajonale dhe forcën e NATO-s.
“Kjo ceremoni shënjon një hap shumë të rëndësishëm në partneritetin tonë që vijon. Shtetet e Bashkuara është tregues i përkushtimit tonë për sigurinë në rajonale dhe forcën e Aleancës së NATO-s.
Kjo marrëdhënie kërkon jo vetëm rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes por një fokus të qëndrueshëm në gatishmërinë luftarake dhe modernizimin ushtarak. Mjedisi i sigurisë me të cilin përballemi të gjithë, është që kërkon që të gjithë aleatët të bëjnë pjesën e tyre. Në emër të Shteteve të Bashkuara dua gjithashtu të kërkoj kontributin tuaj me trupa dhe pajisje ushtarake për NATO-n dhe misionet ndërkombëtare në mbarë botën”, tha Van Horn gjatë fjalës së saj.
Komente








