POGRADEC, 19 Dhjetor/ATSH/-Rilindja e Qyteteve ka kantieret e saj edhe në qytetin e Pogradecit, ku u ndal Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës që po zhvillon në Qarkun e Korçës.
Kryeministri inspektoi punimet për rehabilitimin urban të bllokut të banimit në lagjen nr. 1 të qytetit. Me një fond prej rreth 52 milionë lekë, projekti parashikon zgjerimin e rikonstruksionin e rrugëve, punimet nëntokësore, sistemimin e përroit që përshkon lagjen, vendosjen e kangjellave dhe sistemit të ndriçimit. Në përfundim të punimeve, një hapësirë prej 23 000 m2 do të kthehet në një hapësirë funksionale në shërbim të qytetarëve dhe pushuesve.
Kryeministri u takua aty me banorë të lagjes, të cilët përfituan nga rasti që të marrin shpjegime nga vetë kryeministri për shpërblimet e fundvitit.
Pyetjes së një pensionisti, i cili jetonte vetëm me gruan, se çfarë shume përfitonte nga ky shpërblim, kryeministri iu përgjigj: "Ti do marrësh 30 mijë lekë, gruaja do marri 20 mijë lekë, 50 mijë lekë i keni për Vitin e Ri. Vetëm se, lërja gruas që t'i administrojë," ishte këshilla me humor e Kryeministrit.
Një fabrikë e re riciklimi dhe prodhimi i peleteve që cilësohet si "energji e gjelbër" (green energy), impianti më i madh në fushën e riciklimit në vend, është vënë në punë në Maliq, Korçë.
Në këtë fabrikë ishte sot, Kryeministri Edi Rama, për t'u njohur nga afër me këtë investim të suksesshëm.
Me një investim 1.5 milionë euro, impianti ka në përdorim teknologjinë më bashkëkohore në prodhimin e energjisë bio. Ndërkohë që, riciklohen mbeturinat e përpunuesve të drurit, sipërmarrësi ka mbjellë deri tani mbi 6000 pemë dhe planifikon pyllëzimin e qindra hektarëve në fushën e Maliqit. Ambicia e tij është që brenda 5 viteve, gjithë prodhimi i peletit të përdorë këtë lëndë të parë, duke synuar edhe tregun e huaj. Gjithashtu ai synon krijimin e një cikli pune që angazhon deri në njëmijë të punësuar. Sipërmarrësi falenderoi për mbështetjen e qeverisë në realizimin e këtij projekti. "Kemi pasur një mbështetje shumë të fuqishme nga Ministri i Mjedisit dhe Qeveria, për të realizuar këtë projekt, i cili kishte vite që rrinte i stokuar në ndërmarrjen tonë. Falë kësaj Qeverie erdhi dita që ta realizojmë këtë investim në Shqipëri. Kjo është një industri që prodhon dhe riciklon gjithë mbetjet teknologjike të drurit dhe është 100% bio. Përdoret për konsum familjar dhe është shumë efecientë për mjedisin," - tha sipërmarrësi.
Kryeministri Rama shprehu mbështetjen për zhvillimin e kësaj industrie jo vetëm për përmasën e saj ekologjike, por edhe për ndikimin e saj në uljen e kostos së energjisë për ngrohje deri në 40%.
"Qeveria jonë kritikohet se po bën shumë gjëra dhe po i bën shumë shpejt. Ne e kritikojmë veten se po bëjmë më pak se ç'duam dhe po i bëjmë më ngadalë se ç'duhet. Kështu që, vitin e ardhshëm do japim gjithë mbështetjen e nevojshme, siç ta dhamë këtë vit, në mënyrë që jo vetëm të krijojmë këtë rrjetin për njëmijë familje që lidhen me punësim këtu, por të riciklojmë gjithë këto mbeturina që deri dje mbushnin lumenjtë dhe na shkatërruan dhe përveç kësaj, të ulim koston e ngrohjes. Kështu që, me një ulje 40% të kostos së ngrohjes familjare, edhe faturat e energjisë paguhen më me kënaqësi. E mbi të gjitha paguani energjinë," - u shpreh Kryeministri, ndërsa garantoi sipërmarrësin për mbështetje të mëtejshme.
Kryeministri theksoi se ndaj investimeve në zonat rurale, ka tashmë një qasje krejtësisht të re, duke lënë pas kohën e subvencioneve pa kriter e pa të ardhme. Kryeministri tha se ekzistojnë të gjitha mundësitë për të ecur përpara drejt fuqizimit të sipërmarrjeve.
"Kemi ndryshuar krejtësisht qasjen ndaj të gjitha investimeve që bëhen në zonat rurale. Nuk ka më subvencione, shpërnda paratë e taksapaguesve lart e poshtë, pa kriter, pa karar, pa plan e pa projekt, e pa të ardhme. Do të mbështesim vetëm sipërmarrjen. Duhet të kalojmë nga një fazë e mbijetesës, në një fazë të sipërmarrjes dhe të mirëqenies. Eksperienca është, vullneti është, forcat janë, të ecim përpara dhe më shpejt, të bëjmë dhe më shumë gjera në të njëjtën kohë."
Fshatrat e komunave Pojan dhe Libonik në qarkun e Korçës do të lidhen tashmë me aksin nacional Korçë-Pogradec me një rrugë të standardeve bashkëkohore, Libonik-Rrëmbec-Plasë.
Rruga prej 12.6 kilometra është një aks rajonal që përshkon fushën e Maliqit dhe pjesërisht atë të Korçës. Rruga fillon në kryqëzimin e Libonikut në rrugën nacionale Korçë-Pogradec dhe përfundon në qendër të fshatit Plasë. Ajo përdoret edhe si bypass për të shkuar në zonën e Devollit dhe doganën e Kapshticës.
Rikonstruksioni i këtij aksi, me financim prej 297 351 720 milionë lekë, shkurton ndjeshëm kohën e lëvizjes në 15 minuta, nga një orë që ai përshkohej më parë. Ndërtimi i saj do të ndikojë në zhvillimin të bujqësisë dhe blegtorisë së zonës dhe u lehtëson fermerëve nxjerrjen e prodhimeve bujqësore e blegtorale në treg.
Duke parë punimet e realizuara deri tani, kryeministri tha se është shumë e rëndësishme që rrugëve të rikonstruktuara t'u shtohet gjelbërimi, i cili do t'u japë atyre një vlerë të re.
"Është shumë e rëndësishme që t'i japim këtë dimension të humbur sepse duket edhe rrugët e reja janë të zhveshura. Nuk kanë këtë përmasën e gjelbër për të cilën nuk është menduar asnjëherë këto 25 vite, por është koha për ta bërë këtë gjë. Ndërkohë që për këto rrugët që përshkojnë këto rrugët rurale ka shumë mundësi që me forcat e brendshme edhe me pak mbështetje nga ne të bëhet e njëjta gjë siç po bëjmë në akset nacionale të vendit."
Në përgjigje të interesit të Kryeministrit për ecurinë e punimeve në lidhje me firmën kontraktore kryetari i komunës Libonik është shprehur i kënaqur duke i treguar edhe drejtuesin e firmës kontraktore. Duke bërë humor Kryeministri tha se "Ky është i PD-së por sot ka ardhur se s'kishin protesta sot./a.g/