Investimet në sektorin e bujqësisë kanë qenë kryefjala e aktivitetit të djeshëm të kryeministrit të vendit. Edi Rama ishte në Durrës ku apeloi që fermerët të aplikojnë për fonde qeveritare, në rast se zgjerojnë aktivitetin e tyre. Kryeministri kërkoi që fermerët të shfrytëzojnë edhe lehtësitë që do t’u krijohen me fondin e garancisë shtetërore, për të zgjeruar aktivitetin e tyre. “Në qoftë se arrin në 10 hektarë, ke direkt 100 mijë dollarë mbështetje nga qeveria. E dyta, me fondin e garancisë shtetërore që kemi krijuar tani kemi ndërtuar një marrëdhënie dhe po firmosim marrëveshje, po i bëjmë gati me bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet BERZH, që për gjithë projektet që kanë të bëjnë me bujqësinë, blegtorinë dhe fshatin të kenë kredi me interesa shumë të favorshme.

Kreditë në bankë për këtë fushë do jenë me interesa të ulëta, ose për projekte të caktuara do t’i paguajë shteti. Është 300 milionë euro në dispozicion për tre vitet e ardhshme për të pasur akses. Ju që keni një bazë mund të merrni pa asnjë merak mbështetje për t’u zgjeruar në aktivitet”,-i tha Rama një fermeri. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ishte edhe në rezervuarin e Tarinit. Deri në këtë fazë të investimit është bërë rehabilitimi i portave të rezervuarit dhe i një pjesë të kanaleve vaditës, primare e sekondare, që furnizohen prej tij. Ndërhyrjet që po bëhen në territor, nënvizoi Kryeministri, janë rezultat i reformës territoriale-administrative që fuqizon qeverisjen vendore.

“Ky operacion i madh në territor nuk mund të bëhej pa u bërë reforma administrative dhe pa pasur një nivel të dytë të qeverisjes vendore me kapacitete dhe me forcën e duhur për të ndërmarrë këtë operacion, i cili çon ujë pas 20 e kusur vitesh në dhjetëra mijëra hektarë tokë buke dhe i jep mundësinë për t’u vetëpunësuar dhjetëra mijëra familjeve ferme. Vetëm këtu janë 5800 familje që rrinin shikonin qiellin, ose shkonin në Durrës apo Tiranë për të kërkuar një punë çfarëdo, për të mbajtur vetën gjallë. Ndërkohë që tokën e tyre nuk e punon dot, sepse nuk kishin ujë. Kjo do të sjellë një shtysë të jashtëzakonshme përpara për gjithë prodhimin bujqësor dhe patjetër do të ndihmojë shumë edhe eksportet, në një proces të potë riorganizimi, ku me çka po ndodh me investimet direkte për pikat e grumbullimit, për agro-përpunimin që ne po e mbështesim fuqimisht, do të rritet interesi, do të rritet bashkëpunimi dhe energjitë e përbashkëta mes fermerit që është tek ngastra e tij dhe tregut, pasi gjithë ky zinxhir vlere do të mbyllet dhe do të na çojë në një epokë të re për bujqësinë”,-tha Rama.

Në Katund të Ri të Durrësit ka nisur rikonstruksioni i rrugës Hidrovor-Perlat-Hamallaj, një investim i rëndësishëm që lehtëson lidhjen me tregun për fermerët e zonës. Projekti,  me vlerë rreth 75 milionë lekë, përfshin edhe zgjerimin e tre urave dhe kanalizimet e ndërtimin e trotuareve në qendrat e banuara. Po ashtu, zona përgjatë rrugës “Pavarësia”, që nis nga Ura e Dajlanit deri në Plepa, po i nënshtrohen rehabilitimit të plotë. Infrastruktura nëntokësore ekzistuese e saj, një nga zonat më të populluara në muajt e verës, gjatë së cilës përllogariten rreth 23 mijë vizitorë ditorë (dhe rreth 22 mijë banorëve rezidentë), nuk e përballon këtë fluks, ndërkohë që hapësirat publike janë të pakta dhe furnizimi me ujë të pijshëm është një problem. Në zonë kanë nisur tre investime në infrastrukturën e ujit të pijshëm, sistemimin e ujërave të zeza që do t’i japë zgjidhje problemit të furnizimit me ujë dhe derdhjes së ujërave të zeza në det.

rama

Redaksia Online
Shqiptarja.com