Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend foli në lidhje me projektligjin për dekoratat. Kreu i qeverisë u shpreh se ky ligj do të krijojë një ndarje përgjithmonë me komunizmin.
'Ky është një projekt, i cili ka një vonesë më shumë sesa 75 vjeçare dhe dikur unë mendoja që shumë gjëra janë të vetëkuptueshme, por për hir të vërtetës, gjërat e vetëkuptueshme, me kalimin e kohës janë bërë gjithmonë e më të pakuptueshme dhe mirëkuptimi tek gjërat e vetëkuptueshme është bërë gjithmonë e më i pamundur për shkak se kemi hyrë në një epokë absurdi si tregon edhe ky parlament çdo të enjte ku ballafaqimi bëhet gjithmonë e më absurd e gjithmonë e më pak me sensin e minimumin etik njerëzor.
Del përpara çdo të enjte dikush, thotë çfarë t’i teket për ty dhe pastaj thotë “Këto janë bindjet e mia, nuk je gjykatës që unë të të jap prova”. Ee natyrisht, edhe për projektligjin e dekoratave nuk kishte sesi të ishte i vetëkuptueshëm një mirëkuptim, ndërkohë që po e nis nga fakti që ky projekt është një projekt, të cilin dekomunistizuesit e zellshëm të këtij parlamenti duhet ta kishin përqafuar me zellin më të madh sepse është një ndarje, më në fund, me komunizmin. Por, jo vetëm që nuk e përqafojnë me zell, por e kundërshtojnë me zell. Ky projekt, shkul praktikisht, komunizmin pas kaq shumë vitesh nga fusha e Urdhrave dhe Medaljeve të shtetit dhe kjo është e bazuar në fakte, në prova, jo në opinione.
40 vjet e kusur ne patëm Flamurin e Kuq të Punës, Heroin e Punës Socialiste, Mjeshtrin e Shquar në Profesion, Naftëtarin e Zgjedhur, Minatorin e Zgjedhur, Lavdia e Nënës, Shërbimi i mirë i Popullit e të tjera dhe të tjera. Këto vazhduan, por thjesht me disa agjustime dhe një ligj, më në fund, u bë në 2013 përpara sesa të ndryshonim qeveritë dhe kaloi nga Mjeshtër i Shquar tek Mjeshtër i Madh, një sistem ku sot ne jemi i vetmi - dhe unë këtë e them me kompetencë sepse për këtë projekt është punuar shumë gjatë- jemi i vetmi vend në Europë, se bota është e madhe nuk marr përsipër të flas për botën, jemi i vetmi vend në Europë që kemi edhe një dekoratë të flamurit kombëtar, që është pasardhëse e Urdhrit komunist të flamurit, frymëzim jugosllav dhe një titull “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” por se cili është ky Urdhër, bazuar në mënyrën sesi urdhrat ndërtohen dhe funksionojnë dhe si mund ta marrë tjetri titullin “Kalorës”, kjo është e pa adresuar asgjëkund.
Faktikisht, merr një titull “Kalorës” dhe nuk ke asnjë kalë dhe asnjë grup kalorësish që të shoqërojnë. Kemi dekoratën “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu” por kemi dhe një titull “Kalorësi i Urdhrit të Skëndërbeut” dhe prapë është një urdhër që nuk ekziston, dy flamuj, dy Skëndërbej, por asnjë urdhër. Pastaj më e bukura është që i kemi grabitur Nënë Terezës urdhrin se ka një urdhër të Nënë Terezës, “Urdhri i Motrave të Nënë Terezës”. Ne e kemi marrë dhe e kemi futur për vite të tëra në ligj “Urdhrin e Nënë Terezës” dhe po të shikoni se kush e ka marrë “Urdhrin e Nënë Terezës” janë njerëz të cilët motra nuk janë, vëllezër mund të jenë. Pastaj, u bë dhe një karikaturë tjetër që u hoq Urdhri në 2013 dhe u bë Medalja.
Tani, ne mendojmë që vetëm një moment ka pasur shteti shqiptar kur ka qenë serioz dhe ka qenë i integruar në gjithë bashkësinë e shteteve. Ky ka qenë momenti kur mbreti Zog mori ekspertizën e nevojshme dhe modelin e nevojshëm nga jashtë, nuk shpiku asgjë dhe ndërtoi një system, i cili është as më shumë e as më pak por një sistem i integruar në gjithë konstelacionin e sistemeve të urdhrave dhe medaljeve që nuk janë 35, por janë 2. Është sistemi kontinental që bazohet tek Franca dhe modeli anglo-sankson që bazohet nga Britania e Madhe. Madje, dhe Japonia funksionon me njërin prej këtyre dy sistemeve.
Më e bukura është që mbreti Zog, statuti themeltar i 1928 heq titujt e fisnikërisë dhe i fut Shqipëria me Presidentin e Republikës. Në Monarki nuk kishim tituj fisnikërie, në Republikë kemi tituj fisnikërie, por nuk kemi fisnikë, kuptohet. Monarki mbase kishim fisnikë, por nuk kishim tituj fisnikërie. Spektakli është i tillë, që kur ishte 13 vjeç, në 1925, shteti shqiptar ishte serioz në këtë fushë. 110 vjet sot është njësoj si ai non-grata që vjen vërdallë dhe është të qeshësh e të qash në fushën e urdhrave dhe medaljeve.
Dëgjova që ishte bërë dhe një debat i madh për fjalën “komandarë” edhe më pëlqeu ta sjell këtu sepse është një fjalë e cila lakohet në të gjitha gjuhët dhe është ekzaktësisht fjala që përdori edhe grupi që ngriti mbreti Zog për sistemin e urdhrave dhe medaljeve në Shqipëri, Komandarë dhe është një model dominant. Dikush propozon të bëhet “Komandant”. Komandati nuk mund të rrijë nën oficerin. Ky quhet humor kaps nga lagja jonë dhe për këto raste përdoret vaj ulliri.
Ndërkohë që, kur vihet tek qasjet, duhet të kemi parasysh që qasja kontinentale franceze ka dy-tre urdhra të ndarë në 5 shkallë, ndërkohë që ajo anglo-sanksone ka një trashëgimi më të largët mesjetare dhe ne nuk kemi shumë lidhje me të dhe siç monarkia në atë kohë e mori atë sistem, edhe ne mendojmë që tek ai sistem duhet referuar sepse atë sistem kanë sot, që të kuptohemi që të mos krijohet ideja që ne po marrim dhe po sjellim kohën e Zogut këtu; atë sistem kanë sot e gjithë ditën Italia, që është republikë presidenciale, Greqia që është një republikë presidenciale, Franca e thashë, nuk diskutohet dhe këtje po të vazhdoni po të vazhdoni me Hungarinë, me Poloninë e me gjithë këto vendet e tjera, ngjituni lart tek Suedia, tek Norvegjia, tek Finlanda të njëjtën gjë do të gjeni dhe përsa i përket asaj lojës së fjalëve “flamuri, shqiponja”, se ne qenkemi betuar para flamurit dhe duhet të kemi urdhrin e flamurit dhe nuk jemi betuar para shqiponjës.'- u shpreh Rama.
Lajmi kryesor: