Kryeministri Edi Rama përmes një letre të hapur u kërkon krerëve të grupeve parlamentare të partive opozitare që të ulen në dialog. Ndërkohë që këmbëngul se nuk ka dialog me kushte. Më konkretisht, Rama kërkon takim me Bashën kryetarin e PD për të dialoguar në lidhje me mosmarrëveshjet që kanë lindur për ligjin e “Nëpunësit Civil” por dhe për të gjithë hapat e tjerë për një dialog të vazhdueshëm me opozitën. Të njëjtën letër Rama i ka dërguar e kreut të grupit parlamentar të PDIU, Shpëtim Idrizi, atij të PR Fatmir Mediu e deputetit të PDK, Nard Ndoka. “Dua t'ju rishpreh përmes kësaj letre, vullnetin e palëkundshëm të shumicës së dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, për dialog të vazhdueshëm me opozitën e me këtë rast, t'ju bëj me dije, se jam gati të takohem me Ju drejtpërdrejt, lidhur me mosmarrëveshjen për Ligjin 152/ 2013 "Për Nëpunësin Civil".
Shumica parlamentare dhe Qeveria e Republikës se Shqipërisë kanë vetëm një synim: Ta bëjnë të zbatueshem ligjin në fjalë që jo vetëm sipas nesh, po edhe sipas asistencës teknike evropiane, është i pazbatueshem në mungese të akteve nënligjore të domosdoshme. Ne kemi zgjedhur rrugën e aktit normativ, si atë më të përshtatshmen. Nga ana Juaj s'kemi arritur të degjojmë ende asnjë alternativë tjetër që e zgjidh më mirë problemin e krijuar nga mungesa e akteve nënligjore, por jemi të hapur t'Ju dëgjojmë deri në fund për një zgjidhje përtej konsensusit kushtetues”, shkruan Rama në letrën e tij të hapur dërguar kreut tw opozitës Basha.
Njëherësh ai përcakton fillimin e javës, një nga tre ditët e para të saj, si një nga ditët më të përshtatshme për një takim mes tyre. “Ja pse, për të dëgjuar çdo argument të opozitës dhe ballafaquar me Ju qetësisht, arsyet e shumicës parlamentare për të shtyrë me një akt normativ efektet e Ligjit "Për Nëpunësin Civil", ua le Ju të zgjidhni ditën e hënë, të martë apo të mërkurë për një takim mes nesh-nëse natyrisht kjo ftesë përputhet me dëshirat, me interesat Tuaja. Ne kemi marrë një zotim, të cilit do t'i qëndrojmë deri në fund: me ne në qeverisje, opozitës s'do t'i mungojë më asnjë prej hapësirave për të luajtur rolin e vet e asnjë prej mundësive për dialog mes të barabartësh me Qeverinë”, përfundon letra e hapur e kryeministrit Rama për krerët e partive opozitare.
Rama-Bashës: Dialog me kushte s’ka
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kreut të PD-së, Lulzim Basha, në lidhje me kushtin e vënë nga ky i fundit, për të ulur në një tryezë për të diskutuar mbi ligjin e nëpunësit civil.
Sipas Ramës, nuk mund të ketë dialog me kushte, duke qenë se Basha ka thënë se nuk ulet në asnjë tavolinë, nëse nuk tërhiqet akti normativ për për ligjin e nënpunësit civil. “Kushte kur ishin në qeveri, kushte edhe tani në opozitë! S’kanë kuptuar ende pas 20 vjetësh se dialog me kushte s’ka! Prandaj quhet dialog”, ka thënë Rama në profilin e tij në rrjetet sociale.
PDK, Ndoka
Kryetari i PDK Nard Ndoka është shprehur kundër një takimi të mundshëm me kryeministrin Rama për sa kohë ai nuk tërheq Aktin Normativ për ligjin për Nëpunësin Civil. Ai nënvizoi se “dialogu pikërisht mbi këtë bazë duhet të bëhet”.
Shkrimi u publikua sot (13.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)