Rama fton investitorët gjermanë:
Ja avantazhet e biznesit në Shqipëri

Rama fton investitorët gjermanë:<br />Ja avantazhet e biznesit në Shqipëri
Gjatë vizitës në Hamburg, Kryeministri Edi Rama nga Forumi Ekonomik Gjermani-Shqipëri ftoi investitorët gjermanë në Shqipëri. 
 
Kryeministri iu drejtua investitorëve gjermanë me ftesën për të eksploruar mundësitë që Shqipëria ofron në fusha me potencial të lartë zhvillimi si energjia, turizmi, infrastruktura, bujqësia e industria ushqimore, administrimi i ujërave.

 “Potenciali është shumë i madh në fushën e energjisë, nga hidro tek nafta dhe mineralet. Dua të nënvizoj faktin që sot po shohim një rikthim në industrinë minerare, ku ne po fillojmë të mbyllim ciklin e prodhimit, së bashku me atë të nxjerrjes, gjë që deri disa vite më parë nuk ndodhte në Shqipëri.

Ne po shohim investime të mëtejshme në eksplorimet e naftës dhe investime të tjera në hidrocentrale dhe të gjitha këta janë përbërës të një ekonomie që është gjithmonë e më shumë e bazuar në burimet e qëndrueshme të rritjes.

Sektori prodhues ka një potencial të madh zhvillimi, me një kosto ende shumë të ulët të krahut të punës, por me cilësinë më të lartë që dikush mund të kërkojë për tregun europian
.”  

Pasi bëri një përmbledhje të masave të ndërmarra, ekonomike dhe fiskale, incentivave të ndryshme për përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe një sistem taksimi favorizues, Kryeministri garantoi se të investosh në Shqipëri është një ide shumë e mirë.    

 “Kemi një kosto të punës kaq të ulët dhe 15% tatim fitimi për biznesin, çfarëdo qoftë ai, gjë që në Gjermani nuk është e mundur as të mendohet e jo më të aplikohet në realitet, dhe pastaj shumë avantazhe të tjera që në fund, duke bërë një bilanc, mund t’ju them se në përgjithësi të investosh në Shqipëri është një ide shumë e mirë.”

Turizmi është një sektor shumë i rëndësishëm për ekonominë me potenciale të pashfrytëzuara, zhvillimin e  të cilit qeveria shqiptare e ka stimuluar me incentiva konkrete.   

 “Shqipëria ka një trashëgimi shumë të pasur kulturore dhe është një vend ku trashëgimia kulturore është një aspekt shumë i rëndësishëm i asaj që njerëzit zbulojnë kur vizitojnë Shqipërinë. Ne duam ta shndërrojmë këtë trashëgimi në shtyllën kurrizore të zhvillimit të turizmit tonë, duke zhvilluar dhe mbrojtur natyrën, bukuritë dhe peizazhin tonë sa më shumë të mundemi. Kemi aprovuar një paketë të re legjislative për të mbështetur investitorët në fushën e turizmit, duke iu ofruar tokën për 1 euro në vit, jo për metër, për vit dhe në bazë të shkallës së investimit, kontrata ka një kohëzgjatje që shkon nga 33 në 99 vjet.”

Procesi i Berlinit i ka hapur një perspektivë të re rajonit të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për nxitjen e dialogut politik, por edhe të bashkëpunimit ekonomik.    

 “Gjermania është një partner strategjik kyç jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë rajonin. Diçka shumë e rëndësishme ka ndryshuar gjatë viteve të fundit falë vizionit dhe ndikimit gjerman, me nismën e Procesit të Berlinit. 

Procesi i Berlinit është ai që Kancelarja Merkel e nisi si një nismë për të bashkuar të gjithë liderët e rajonit dhe për të krijuar një hapësirë të re dialogu për të ardhmen dhe jo më për të shkuarën.


Kryeministri ftoi investitorët e Hamburgut dhe ata gjermanë në tërësi për ta konsideruar investimin në Shqipëri si një investim në një treg rajonal.

 “Unë besoj se sot ndodhemi në një situatë ndryshe nga ajo le të themi e 10 viteve më parë dhe kompanitë tona janë ristrukturuar, duke iu adaptuar disa rregullave që i kanë bërë ato konkurruese, jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe kur bëhet fjalë për të ofruar gatishmërinë e tyre për partneritete jashtë vendit.

Dhe praktikisht, jo vetëm kompanitë që janë këtu, por edhe shumë kompani të tjera shqiptare sot janë të lidhura me partnerë ndërkombëtarë, qoftë gjermanë, italianë, francezë ose kudo qofshin.

Të gjithë duhet të kuptojnë se nëse 5 vjet më parë të investoje në Shqipëri, Serbi, Mal i Zi, etj. do të thoshte të investoje në një treg shumë të vogël, sot falë Procesit të Berlinit dhe nismës së Kancelares, që tashmë është një institucion në marrëdhëniet me rajonin, ju sot nuk investoni më në një vend të vogël, por investoni në një treg më të madh, sepse do të jetë gjithnjë e më shumë një treg rajonal. Tregu është sot krejt i ndryshëm, dhe potencialet janë aty për këdo që do t’i kapi ato
.”

Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë si donatori më i madh në këto 25 vite për Shqipërinë dhe nënvizoi se ajo mbetet një partner kyç në rrugën e zhvillimit të vendit.

 “Qeveria Gjermane është donatori më i rëndësishëm për Shqipërinë në 25 vitet e fundit dhe ne nuk mundemi të mos vlerësojmë mbështetjen e jashtëzakonshme që keni ofruar në vendin tonë në të gjithë fushat, sidomos ato që kanë pasur një rëndësi kritike për njerëzit në kohërat e vështira që kemi përjetuar, duke nisur nga energjia, uji dhe kanalizimet, mbështetja për biznesin e vogël dhe atë të madh, e kështu me radhë.”

[gallery]19037[/gallery]

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Kishte krijuar kasafortë pas garderobës për të fshehur lekët, mjekut italian i sekuestrojnë 8 milionë euro    

Itali/ Kishte krijuar kasafortë pas garderobës për të fshehur lekët, mjekut italian i sekuestrojnë 8 milionë euro