Rama dhe Sequi kanë dalë sëbashku para medias, duke deklaruar: i pari, se nuk do të shpalosë asnjëherë superioritetin për këtë arritje dhe i dyti, Sequi, se fjala "gjithpërfshirje" është kyçi i këtij procesi.
Rama tha në konferencën për shtyp se "“Nuk ka asgjë për të festuar! E kam thënë këtë kur kam qenë në krye të opozitës e them këtë po njësoj sot, në krye të qeverisë. S’ka dyshim se lajmi i sotëm është inkurajues, por koha e rrahjeve të gjoksit dhe të daulleve qeveritare me dokumentat e integrimit evropian në vend të shamive të valles, ka mbaruar në 23 qershor.
Ka mbaruar në 23 qershor edhe koha e mitingjeve qeveritare me këngëtarë të paguar nga shteti për t’i paraprirë daljes të kryeministrit liberator.
S’ka dyshim se në 23 qershor ka mbaruar edhe koha e qeverisë që punon për ta çuar Shqipërinë në Evropë dhe opozitës që saboton integrimin evropian. Për ne as propozimi i sotëm për statusin, as statusi vetë dhe as hapja e bisedimeve për anëtarësim, nuk janë arsye për të treguar asnjë lloj superioriteti moral apo patriotik ndaj opozitës.
Ky proces shumëvjeçar drejt anëtarësimit ka qenë për çdo vend më i gjatë se jetëgjatësia e një qeverie të vetme dhe në çdo vend, kush më shumë e kush më pak, ka pasur meritat e veta. Shkurt, ne jemi të inkurajuar sot nga propozimi i Komisionit Evropian dhe çdo shqiptar pa dallim duhet të ndjehet i inkurajuar.
Zgjedhjet e 23 qershorit ishin de facto kushti i papërmbushur i dhjetorit të shkuar, sikundër ne e lexojmë qartë atë që nuk donin të lexonin paraardhësit tanë vjet, kur bëhet fjalë për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si diçka e vetëkuptueshme bashkëlidhur me propozimin për statusin.
Risia e madhe e kësaj here, është se për herë të parë Raporti i Progresit flet për mundësinë reale të hapjes së bisedimeve për anëtarësim vitin e ardhshëm nëse përmbushen disa kushte themelore - me të cilat ne jemi 100% dakord. Lexo: Fjala e plotë e Kryeministrit
S’ka dyshim se më vjen mirë po ashtu që Raporti i Progresit flet qartë edhe për aktin normativ që nesër i paraqitet Kuvendit dhe besoj se çka shkruhet në raport lidhur me këtë, mund të jetë një pikë shumë e besueshme referimi për opozitën që të reflektojë mbi mundësinë e votimit të aktit normativ. Në fund, por jo për nga rëndësia, dua të falenderoj shumë përzemërsisht, Ambasadorin Sequi për gjithçka bën,”- përfundoi Rama.
SEQUI: INTEGRIMI ESHTE GJITHPERFSHIRJE, ESHTE PERPJEKJE KOMBETARE
Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi veçoi në fjalën e tij para medias se procesi i integrimit është gjithpërfshirje, është përpjekje kombëtare.
“Sic e theksoi edhe z.Kryeministër, në mënyrë që Shqipëria të kalojë në çeljen e negociatave, është e nevojshme të përmbushë reformat. Ky proces ka fuqi transformuese për vendet që e kalojnë atë, ashtu edhe për Shqipërinë. Progres Raporti është një skanim i situatës.
Isha veçanërisht i kënaqur kur dëgjova nga Kryeministri fjalën “gjithpërfshirje” dhe dëshiroj që me këtë rast të shpreh disa ndjenja që ne i kemi përjetuar në Bruksel. Është e drejtë që sot të njihen edhe ato suksese, që janë arritur nga ajo palë që sot është në opozitë. Është thelbësore dhe duhet theksuar se procesi duhet të mbetet një projekt gjithpërfshirës. BE-ja është plotësisht e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e reformave dhe integrimin në BE.Lexo: Fjala e plotë e Ambasadorit Sequi
PYETJET NGA GAZETARET
Një pyetje për ambasadorin Sequi. Propozimi i sotëm i Komisionit Evropian është i merituar për Shqipërinë, apo mjaft dashamirës ndaj qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, siç e ka përshkruar pak më parë ish Kryeministri Berisha?Faleminderit për pyetjen tuaj. Ne besojmë që Raporti i Progresit dhe ato që dalin nga Raporti i Progresit janë në fakt dy aspekte: nga njëra anë, kemi një skanim të situatës në vend. Nga ana tjetër, është edhe një program për të ardhmen, pasi tregon rrugën se si duhet ecur përpara në atë drejtim. E, si i tillë, ai është një skanim objektiv i situatës dhe në rastin e këtij rekomandimi që është bërë, ky rekomandim është bazuar në fakte.
Sekui: Faleminderit për pyetjen tuaj. Ne besojmë që Raporti i Progresit dhe ato që dalin nga Raporti i Progresit janë në fakt dy aspekte: nga njëra anë, kemi një skanim të situatës në vend. Nga ana tjetër, është edhe një program për të ardhmen, pasi tregon rrugën se si duhet ecur përpara në atë drejtim. E, si i tillë, ai është një skanim objektiv i situatës dhe në rastin e këtij rekomandimi që është bërë, ky rekomandim është bazuar në fakte. Faleminderit!
Kam një pyetje si për zotin Sequi edhe për zotin Rama. Edhe në Progres Raport është theksuar çështja e gjithëpërfshirjes. Por deri në këto momente që ne flasim, kemi një fillim jo të mirë të marrëdhënieve mes mazhorancës dhe opozitës. Kam këtu parasysh Aktin Normativ për ligjin e Nëpunësit Civil. A duhet ndoshta që mazhoranca të bëjë diçka më shumë për të tërhequr në rrugën e konsensusit dhe kompromisit edhe opozitën. Kam këtu parasysh edhe disa çështje që priten të hapen, që kërkojnë gjithëpëfshirje.
SEQUI: NE RAPORT GJENDET PERGJIGJA EDHE PER ADMINISTRATEN PUBLIKE
“Ashtu siç e thamë, procesi i integrimit evropian është një proces i cili bazohet në përpjekjen kombëtare,"- tha ambasadori Sequi. - "Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë përpjekjet e të gjithëve. Ne besojmë që aspekt shumë i rëndësishëm është dialogu politik, konstruktiv dhe i qëndrueshëm.
Ne, po ashtu, besojmë dhe unë mendoj që pikërisht duke i mbajtur sytë drejt këtij dialogu konstruktiv dhe të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirjes, si dhe angazhimit të sinqertë të të dy palëve për të arritur objektivin që e kërkojnë të gjithë shqiptarët, një konsensus i gjerë në shoqërinë shqiptare, është në fakt edhe elementi kyç për të ecur përpara.
Unë po ashtu, besoj, që të gjitha përgjigjet e pyetjeve tuaja, në fakt, mund t’i gjeni në Raportin e Progresit. Përshembull, ju përmendët këtu edhe reformën në Administratën Publike. Në fakt, atë e përmendi edhe zoti Kryeministër dhe mund të themi që mund t’i referoheni Raportit të Progresit, pasi në të, do të gjeni pjesë pikërisht për Administratën Publike."- deklaroi ai.
RAMA: GJITHPERFSHIRJE S'DO TE THOTE TE HARROJME SE JEMI NE QE UDHEHEQIM
Për të njëjtën pyetje, Kryeministri Rama u përgjigj: "“Ne jemi votuar për të udhëhequr. Opozita është votuar për të kontrolluar udhëheqjen. Gjithëpërfshirja nënkupton vullnetin e palëkundur për dialog dhe dialogun, si instrument i patjetërsueshëm në rrugën e kërkimit të konsensusit. Por, nga ana tjetër, gjithëpërfshirje nuk do të thotë që qeveria, për hir të dakortësisë me opozitën, të harrojë, qoftë dhe për një çast të vetëm, se është aty për të udhëhequr.
Së dyti, në rastin konkret, sot, edhe Raporti i Progresit jep një referencë shumë të qartë për faktin se Akti Normativ është larg së qeni diçka tjetër, përveç se një instrument për të bërë të zbatueshëm ligjin për Nëpunësin Civil dhe për të bërë të zbatueshëm të gjitha ato ndryshime që u miratuan me konsensus. Së fundi, ne do të dëgjojmë me shumë vëmendje dhe vazhdimisht, por ne do të udhëheqim!"- theksoi Kryeministri.
Redaksia online
(armanda.shtëmbari/shqiptarja.com)